Tregjet shqiptare kanë tashmë prodhuesit e parë me vulën e cilësisë ‘Made in Albania’. Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti shpërndau certifikata për disa prodhues të verës, të vajit të ullirit dhe të mjaltit, duke garantuar kështu se këto subjekte respektojnë standarde të larta higjieno-sanitare dhe cilësi të lartë.
Vula e cilësisë është e vlefshme për një periudhë 1-vjeçare nga data e dhënies së saj, ndërsa më pas, prodhuesi i nënshtrohet sërish kontrollit për ta përfituar apo jo atë.
“Me këto certifikata kemi origjinë të kontrolluar të prodhimit bujqësor, set standardesh të cilësisë dhe të sigurisë dhe proces të kontrolluar teknologjik që e lidhin produktin me një rajon të caktuar”, deklaroi Panariti. Vula e cilësisë do të shpërndahet edhe për produkte të tjera, ndaj ministri i Bujqësisë ftoi fermerët që të plotësojnë kriteret, e të aplikojnë për të marrë certifikatën pas kontrollit përkatës.