Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, mori pjesë në konferencën e ministrave të Ekonomisë dhe Tregtisë nga Kina, Evropa Qendrore dhe Lindore, e cila u zhvillua në Kinë. Po ashtu ministri shqiptar vizitoi edhe panairin ekonomik të Ningbos, ku Shqipëria është përfaqësuar nga 10 nga bizneset më të spikatura eksportuese, që nga prodhues të veshjeve dhe këpucëve, te prodhues të verës, vajit të ullirit e produkteve të tjera “Made in Albania”. Stendat e sipërmarrësve shqiptarë janë vizituar nga ministri Ahmetaj dhe homologu i tij Kinez, si dhe disa ministra të tjerë. Ministri kinez i Tregtisë, Gao Hucheng, ka vlerësuar disa nga produktet shqiptare dhe prezencën e sipërmarrësve shqiptarë në këtë Forum Ekonomik, duke theksuar se bashkëpunimi i ardhshëm tregtar mes dy vendeve duhet të thellohet në përfitim të të dy vendeve, duke vlerësuar cilësinë e produkteve shqiptare.
Ndërsa, ministri Ahmetaj theksoi se Kina mund të luajë një rol më të madh në shumë programe të integrimit dhe zhvillimit që nuk janë më kombëtarë, por rajonalë dhe ndaj të gjitha vendet duan të përfitojnë më shumë bashkëpunim dhe më shumë zgjerim tregtar. “Ne të gjithë duhet të angazhohemi në vazhdimin e kësaj rruge, në terma modernë, për të rritur lidhjet dhe bashkëpunimin në industri, komunikim, infrastrukturë dhe turizëm”. Ahmetaj vuri theksin në sfidat e mëdha që qëndrojnë përpara, pasi kriza e fundit globale ka shteruar disa nga burime kryesore të financimit, të nevojshme për lidhjet ekonomike mes njëri-tjetrit dhe për aftësinë për të konkurruar në tregun global. Ai shtoi më tej se, është e rëndësishme që vëmendja të përqendrohet te financimi i jashtëm dhe investimet e huaja direkte.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes theksoi se për Shqipërinë kjo është një kohë e mundësive, pasi potenciali ekonomik po bëhet gati për të kërcyer në vagonin e Bashkimit Europian. “Kjo është një kohë e mirë për tregti dhe investime, dhe ne jemi duke kërkuar më shumë bashkëpunim me kompani të fuqishme që mund të na ndihmojnë ne për ta sjellë ekonominë në stadin tjetër, atë të Bashkimit Europian dhe tregjeve të tij”, përfundoi fjalën e tij ministri Ahmetaj.