Prof. Ramadan Sokoli shpallet “Oskar i Folklorit 2008”

Prof. Ramadan Sokoli shpallet “Oskar i Folklorit, 2008”
Vlerësimet e shumta që u bënë, nxorrën në dritë ndihmesën e tij cilësore që ai ka dhënë në fushat e muzikës, historisë dhe kulturës. Jehona e vlerave të tij të veçanta, ka kapëcyer kufijtë tanë dhe ka mbritur në shumë qendra kulturore dhe shkencore në Europë e më tej. Nuk kanë kaluar ende dy muaj nga ikja e përhershme e profesor Ramadan Sokolit, dhe “Bashkimi Ndërkombëtar i Federatave të Grupeve Folklorike" (International Union of Folklore Associations), i krijuar qysh në vitin 1949, merr në konsideratë personalitetin dhe veprën e tij.


Kështu në datat 9, 10 dhe 11 maj u organizua nga ky institucion në qytetin italian të Foxhias, veprimtaria “Oskari Botëror i Folklorit” (në analogji me Oskarin e filmit që ndahet në Holivud). Pjesë të programit janë shfaqje nga grupe të ndryshme folklorike, biseda me karakter shkencor mbi folklorin, ekskursione në vende historike, panaire, shfaqje filmash, ekspozita të prodhimeve të krahinës etj. Gjithë veprimtaritë mbyllen me paraqitjen zyrtare të “Hymnit Kombëtar të Folklorit” dhe me dhënien e çmimit të lartë “Oskar i Folklorit, 2008” .

E, me këtë çmim organizatorët e veprimtarisë, kanë vlerësuar edhe profesorin tonë të nderuar, Ramadan Sokoli. Marrja e këtij çmimi nga ana e prof.Ramadan Sokoli, nuk është nderim vetëm për emrin e tij të nderuar, por edhe për mbarë kulturën shqiptare në përgjithësi dhe njëkohësisht na nxisin që trashëgimia e tij kuluturore dhe shkencore, ende e papublikuar, të shohi sa më shpejt dritën e shtypit duke u bërë kësisoj, pronë e masës së gjerë të njerëzvë të dijes. Gjithashtu, siç mendojnë mjaft nga ata që e kanë njohur nga afër jetën dhe veprën e Ramadan Sokolit, ndarja e tij nga jeta para rreth dy muajsh, nuk do ta ndërpresi vlerësimin që bota e kulturës dhe shkencës, këtu e jashtë, do të vazhdojnë të bëjnë për të. Vlen të përmendim këtu, se organizatorët e veprimtarisë, me këtë rast kanë ftuar për të marrë pjesë në këtë veprimtari, vajzën e prof. Ramadanit, z.Linda Duma dhe Drejtorin në MTKRS, Shaqir Rexhvelaj.

Qerim VRIONI : Gazeta Albania

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama