Profesionet e se ardhmes

Profesionet e se ardhmes
Një kërkesë e madhe për mjekë, inxhinierë, konsulentë financiarë dhe analistë informatike. Ja disa nga profesionet që do të bëjnë diferencën, do të sigurojnë të ardhura të mjaftueshme dhe një vend pune thuajse të sigurt pas dhjetë vjetësh, të paktën në Amerikë.

Në kohën kur e gjithë bota është pushtuar nga kriza ekonomike që s’po merr fund, të gjithë pyesim veten se cili do të ishte profesioni i duhur për të siguruar një të ardhme sa më të sigurt. Përveç dentistëve, doktorëve  dhe konsulentëve financiarë, që në SHBA prej shekujsh janë cilësuar si punë të sigurta, të mirëpaguara e me prestigj, tani në listë janë shtuar edhe inxhinierët dhe infermierët. Specialistët këshillojnë se të gjithë ata që nuk e  kanë vendosur ende profesionin e së ardhmes nuk duhet të nënvlerësojnë atë të informatikanit apo specialistëve të marketingut. Ja disa nga profesionet që do të bëjnë diferencën, do të sigurojnë të ardhura të mjaftueshme dhe një vend pune thuajse të sigurt pas dhjetë vjetësh.

Klasifikimi

Dhjetëshja e punëve që në të ardhmen do të jenë fitimprurëse është renditur nga amerikanët, por kjo nuk do të thotë se nuk na ofron një panoramë të qartë mbi ndryshimet në botën e punës. Lista është hartuar nga revista ekonomike “24/7 Wall St” që ka analizuar të dhënat statistikore të Ministrisë së Punës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që monitoron rritjen, nivelet e pagave, postet e disponueshme në të gjithë vendin të 75 kategorive kryesore profesionale, në dhjetëvjeçarin që shkon nga viti 2008 deri në vitin 2018.  Në vendet e para të dhjetë profesioneve më të kërkuara, më të sigurta dhe më të pëlqyera renditen ato të lidhura me shëndetin. Ndërsa fëmijët e parë te brezit “baby boomer” janë sot rreth 65 vjeç dhe popullsia po shkon drejt plakjes, kërkesa për shërbime mjekësore bazë, për infermierë dhe higjienën orale (kultura e higjienës dentale në Amerikë ka filluar të ketë një rëndësi të madhe) ka filluar të rritet dukshëm: jo rastësisht të parët në klasifikim,  në profesionet e kërkuara janë infermierët, me rreth 600 mijë vende të reja pune që do të krijohen deri në vitin 2018 në SHBA, ndërsa mjekët dhe kirurgët janë në pozicionin e pestë  (do të shërbejnë vetëm 150 mijë me rroga dyfish në krahasim me infermierët) dhe higjienistët dentalë renditen të nëntit në klasifikim  (me pak më shumë se 60 mijë vende të reja pune deri në vitin 2018).

Profesionistë të specializuar

Për sa u përket pozicioneve të tjera, studimet duhet të jenë krejtësisht të specializuara, ku më shumë sukses do të kenë inxhinierët civilë, puna e të cilëve mund të lidhet me planifikimin urban, transportin, mënyrat e të jetuarit. Po ashtu rëndësi e madhe u kushtohet edhe konsulentëve financiarë,  që gjithmonë e më shumë do të jenë të lidhur me këshillimin e  popullsisë për investimet më fitimprurëse. Edhe informatika nuk ngelet pas: numri i punëtorëve në këtë sektor në Amerikë pas një dekade do të ketë arritur kulmin.

Europa

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë laboratori avangardë që Europa herët apo vonë do të përfundojë duke e imituar. Rimëkëmbja ekonomike ka nisur më parë këtu se në kontinentin e vjetër. Por, edhe pse numri i të papunëve është rreth 15 milionë, shenjat e gjallërimit kanë nisur të shumëfishohen në tregun e punës. Që këtu deri në vitin 2018 ekonomia amerikane duket në gjendje të arrijë të krijojë më shumë se 1 milion vende të reja pune në vit. Problemi qëndron i gjithi te cilësia. Amerika sapo ka rimarrë rekordin mes eksportuesve të Perëndimit duke ia rrëmbyer këtë prestigj Gjermanisë e duke u rikthyer kështu në vendin e dytë në botë pas Kinës. Por shpërthimi “Made in USA” u besohet krejtësisht sektorëve industrialë hitech që kanë avancuar në nivelin automatik dhe përthithin pak forcë krahu. Që tani ata sektorë teknologjikë që punësojnë të diplomuarit në fakultetet e shkencave, teknologjive, inxhinierisë, matematikës, kanë 4.8 milionë punëtorë, ndërsa të diplomuarit në këto fusha janë më shumë se 15.7 milionë. Me pak fjalë dy të tretat duhet të kërkojnë punë në vende të tjera. Por, edhe profesionet që deri tani konsideroheshin se nuk kishin nevojë për arsimin e lartë, po njohin një kastë profesionistësh të shkolluar: rreth 17 për qind e baristëve, 32 për qind e masazhatorëve dhe rreth 26 për qind e rrobaqepësve. Për më tepër, hendeku mes të diplomuarve në universitet dhe punës që ata bëjnë do të vijë duke u rritur edhe në të ardhmen.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama