Në këtë program kompjuterik rus janë simuluar gjithashtu edhe detyra të ndryshme që mund të kryhen gjatë eksplorimit të Marsit. Këto detyra përfshijnë udhëtime në zona me erë të fortë, ngjitja nëpër gryka si dhe mbledhja e kampionëve për analiza.
Për fazën tjetër, shkencëtarët kanë menduar që ky program simulimi të kryhet nga kozmonautë që kanë qëndruar në orbitë për një kohë të gjatë. Qëllimi i këtij eksperimenti është të kuptohet nëse një kozmonaut mund të operojë pajisjet, si automjetet e eksplorimit, pasi i është ekspozuar për një kohë të gjatë një ambienti ku mungon graviteti.
Një version kompakt i pajisjeve të programit të simulimit përbëhet nga “syze të realiteti virtual”, nëpërmjet të cilave mund të kontrollohen simulime të një makine eksplorimi ose një kozmonauti që po ecën në Mars. Ndërkaq, këto “syze” mund të përdoren për simulimin e një zone ujore me peshq për të krijuar efekte qetësuese për kozmonautët.