TIRANË, 10 Nëntor/ATSH-Gjergji Mima/ -Kryeministri Edi Rama dhe ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin, dhane sot pasdite një konferencë të përbashkët për median pas publikimit tëproges - raportit 2015 për Shqipërinë nga Komisoni Europian.
Kryeministri Rama tha se progres- raporti konfirmon se rruga e hapjes së negociatave kalon përmes reformës në drejtësi.
"Progres- raporti e konfirmon se rruga për hapjen e negociatave kalon përmes reformës në drejtësi, e cila sot mbetet sfida më e madhe jo vetëm e qeverisë, por dhe e qytetarëve në rrugën drejt BE. Mendoj se për rëndësinë sa dhe për kompleksitetin e saj meriton të adresohet së pari si një konstatim mbi prioritetin dy, ku vlerësoet ecuria e mirë në përgatitjen e reformës në drejtësi dhe angazhimi për të siguruar një reformë gjithëpërfshirëse dhe të thellë.
"Progres-raporti rekomandon në mënyrë prioritare përfundimin në kohë të reformës gjithëpërfshirëse në drejtësi që do të thotë në këndvështrimin tim nëse reforma në drejtësi do të mbyllet pa humbur kohë të çmuar dhe duke e adresuar fuqimisht në muajt në vijim, atëherë rruga jonë për negociatat është e hapur. Nga ana tjetër në progres raport është e qartë se kjo lidhet ngushtësisht me konsolidimin e rezultateve ku theks të veçantë kanë hetimet, gjykimet dhe ndëshkimet. E nënvizova këtë për të gjithë ata që suynon të thonë të kundërtën, dhe në fakt mungojnë në këtë thirrje kombëtare për të realizuar këtë reformë me rëndësi historike", u shpreh Rama.
Progres-raporti, vijoi kreu i qeverisë, "rekomandon përfundimin në kohë të reformës, që do të thotë në këndvështrimin tim, se nëse reforma do të mbyllet pa humbur kohë të çmuar dhe duke e adresuar fuqimisht në muajt në vijim atëherë rruga jonë për negociatat është e hapur".
Kjo, tha Rama, "lidhet ngushtësisht me konsolidimin e rezultateve, ku theks të vecantë kanë hetimet gjykimet dhe ndëshkimet, pra i gjithë zinxhiri i pushtetit gjyqësor".
Kryeministri tha se, raporti vlerëson një administratë profesionale, jo të stërpolitizuar apo stërkorruptuar, duke thënë se do të ketë dënime dhe penalizime për shkelësit në të gjitha nivelet, përfshi dhe zyrtarët e lartë.
"Ne konstatojmë se angazhimi ynë për të mbyllur një epokë në një administratë të diskredituar jo profesionale, të stërpolitizuar dhe të stërkorruptuar dhe për të hapur një epokë të ndërtimit të një administrate profesionale dhe të pavarur vlerësohet qartësisht në këtë raport ku theksohet ecuria e mirë dhe reforma solide e administratës publike", tha kryeministri.
Rama theksoi se, "edhe kjo na kthen prapë tek fjala kyç që lidhet me reformën në drejtësi. Realizmi i reformës në drejtësi do të çelë një fazë tërësisht të re, duke krijuar kushtet për të pasur hetime dhe gjykime të drejta dhe dënime të merituara, në të gjitha drejtimet, veçanërisht në administratën e nivelit të lartë".
Në prioritetin e katërt, shtoi kreu i ekzekutivit, "ka një vlerësim, i cili hedh poshtë akuzat dhe shpifjet ndaj Policisë së Shtetit ku ka rritje të goditjes së krimit të organizuar dhe veçanërisht trafikut të drogës".
Por, vijoi Rama, "edhe këtu kërkohet më tepër ndërveprim mes faktorëve të ndryshëm dhe këtu rikthehemi sërish te fjala kyçe, reforma në drejtësi, si parakusht për ndërtimin e shtetit ligjor në Shqipëri".
"Në prioritetin e pestë adresohet problemi i çështjes së pronës", ku nënvizoi Rama, "kjo qeveri ishte e para që e ka adresuar këtë problematikë me vizion, vendosmëri dhe drejtësi. Reforma e pronës është në parlament. Përfundimi i saj në kohë do të realizojë nj ndarje të prerë nga e kaluara që na lanë në kurriz".
"Siguria dhe mbrojtja vazhdojnë të jenë të vlerësuara lart, njësoj me linjën e BE dhe ne e shohim si një unifikim vlerash dhe standardesh të BE, me të cilat Shqiëpria është njëhsuar prej kohësh", tha Rama duke shtuar se progres raporti vlerëson edhe rolin e Shqipërisë në Ballkan si një pikë reference.
Në raport, theksoi Rama, "ka vlerësim për qëndrueshmërinë makroekonomike dhe veçanërisht për operacionin kundër informalitetit dhe reformën e tatimeve që janë të dy fryt i punës së madhe por ende të pambaruar që ne kemi bërë. Jemi të bindur të vijojmë me reformën që kemi ndërmarrë në fushën e enrgjisë". /a.ke/