Progres-raporti Vlahutin Shqiperia shenon ecuri te qendrueshme

romana_vlahutin3TIRANË, 10 Nëntor/ATSH-Gjergji Mima/ - Kryetarja e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, ambasadorja Romana Vlahutin, prezantoi sot pasdite pikat kryesore të progres-raportit të Komisonit Evropian për Shqipërinë.

Në një konferencë për mediat, kryesuesja e delegacionit të BE-së tha se, Shqipëria ka bërë hapa përpara sa i takon trajtimit të prioriteteve kyçe në rrugën e integrimit europian. Vlahutin u ndal edhe tek lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke u shprehur se ka ende shumë punë për të bërë në këtë drejtim.

"Në rast se do të na duhej të bënim një përmbledhje të raportit për këtë vit, do të ishte progresi i qëndrueshëm i Shqipërisë në trajtimin e prioriteteve kyçe, Nëse Shqipëria do vijojë të ecë kështu, do të na çojë në hapjen e negociatave. Përgëzojmë qeverinë dhe qytetarët e Shqipërisë për angazhimin e tyre. Procesi i reformave i lodh të gjithë, por ju nuk jeni të vetëm. Të gjitha institucionet e BE janë me ju për t'ju ndihmuar për të ecur përpara", tha Vlahutin.

Sipas saj, "në raport vlerësohet se sistemi gjyqësor i Shqipërisë është në një fazë fillestare të përgatitjes dhe ne jemi në mes të një përpjekje madhore të reformës në gjyqësor. Hapi tjetër kyç do të jetë miratimi i paketës së reformës në gjyqësor. Ky do të jetë një hap kyç për të hapur opinion pozitiv për të ardhmen".

"Në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Shqipëria ka bërë përpjekje. Ka realizuar disa operacione me rëndësi. Megjithatë korrupsioni mbetet shumë i përhapur dhe duhen masa më të madha. Masat kundër pastrimit të parave mbeten të përdorura më pak. Duhet më shumë punë për luftën ndaj korrupsionit", theksoi ambasadorja Vlahutin.

Sa i takon reformës për administratën publike, Vlahutin nënvizoi se, "Shqipëria është e angazhuar, por duhen përpjekje të tjera për të patur një administratë të jo politizuar dhe profesionale. Po kështu nevojitet zbatimi i ligjit të nëpunësit civil edhe në nivel vendor".

"Kuadri ligjor për mbrojtjen e të drejtave të njeriut është në përputhje me standardet europiane, por mekanizmi i zbatimit të mekanizmave të mbrojtës së të drejtave të njeriut nuk është i mjaftueshëm. Sa i takon lirisë së fjalës nevojitet më shumë punë, dhe të forcohet më tej", tha Vlahutin.

Rëndësi e veçantë, tha ambasadorja e BE, "i jepet të drejtave të pronës, procesit të regjistrimit të pronë dhe të kompensimit. Duhet të ecet përpara në këtë drejtim". Ndërsa, shtoi Vlahutin, "vlerësohet ecuria në kuadër të procesit të Berlinit". "Duhet të themi se Shqipëria është e përgatitur në mënyrë të moderuar në zhvillimi e ekonomisë së tregut dhe është arritur progres sa i takon stabilitetit makroekonomik. Po është i nevojshëm rritja e investimeve për kapitalin njerëzor, dhe për përmirësimin e mjedisit të biznesit", tha Vlahutin.

Sipas saj, "në raport i jepen merita vendit për faktin se është në përputhje me të gjitha përfundimit të KE dhe deklaratat e BE sa i takon politikës së jashtme. "Ne e vlerësojmë Shqipërinë si një partner besnik dhe të qëndrueshëm", theksoi ambasadorja Vlahutin. /a.ke/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama