Projekti zviceran per nxitjen e punesimit te te rinjve

Projekti zviceran per nxitjen e punesimit te te rinjve

Bashkëpunimi Zviceran dhe Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë prezantuan sot 'RiSi Albania', një projekt të ri për të rritur punësimin e të rinjve në vend.  Ambasadori zviceran, Alexander Wittwer deklaroi se ‘RiSi Albania’ është një përpjekje tjetër që plotëson iniciativa të tjera me financim zviceran në fushën e punësimit dhe zhvillimit ekonomik. Projekti ka për qëllim rritjen e mundësive për punësim dhe të ardhura për të rejat dhe të rinjtë e moshës 15-29. "Ne besojmë se duhet të ndërhyjmë për të përmirësuar kapacitetin e sektorit privat për të thithur dhe për të tërhequr forcën e punës, ne duhet të forcojmë ofruesit e shërbimeve dhe agjencitë e punësimit, dhe ne duhet të sigurojmë aftësi shtesë tek të të rinjtë dhe të rejat", deklaroi ambasadori Wittwer duke shpjeguar thelbin e projektit të ri.

"Projekti sjell një metodologji të re: ai do të promovojë përdorimin e forcave të tregut në të mirë të të rinjve dhe anasjelltas. Ne kemi gjetur se ekzistojnë mundësitë e punësimit në qoftë se ne mund të përmirësojmë klimën e biznesit, të forcojmë shërbimet, dhe të prezantojmë aftësi të reja", tha ambasadori.

Gjatë fjalës së tij Ministri i Mirëqenies Social dhe Rinisë, Erjon Veliaj theksoi se "Emergjenca më e madhe kombëtare është punësimi i të rinjve. Duhet të fokusohemi në fushat ku mund të kemi një perspektivë dhe duhet të tregohemi më tepër kreativë se në çfarë lloj tregu do të konkurrojmë".  Ministri siguroi se institucioni i tij do të jetë pjesë aktive në zbatimin e projektit dhe do të mbështesë nisma të tjera që në mënyrë specifike adresojnë çështjen e punësimit të të rinjve.

Në emër të organizatave zbatuese, Drejtore e 'Partnerëve Shqipëri', znj. Juliana Hoxha prezantoi qasjen inovative të projektit, që fokusohet në shfrytëzimin e tregjeve të punës për të rinjtë.
"Ne besojmë se mundësimi i të ardhurave dhe punësimit për të rinjtë dhe të rejat në Shqipëri është kritike për një zhvillim të qëndrueshëm të vendit. Të dy organizatat kanë një përvojë të gjatë pune në Shqipëri dhe rajon, me një njohje të mirë të kontekstit social-ekonomik të vendit. Në këtë projekt ato sjellin ndër të tjera edhe njohjen dhe përvojat bashkëpunuese me aktorët publik dhe privat, eksperiencën teknike në fushat përkatëse të projektit", tha znj. Hoxha.

Ajo vuri në dukje më tej se "Ky projekt është një investim në mbështetje të nevojave dhe prioriteteve të vendit dhe kjo mund të arrihet vetëm me bashkëpunimin dhe mbështetjen e aktorëve shtetërorë, privat e social dhe në bashkërendim me aktorët e tjerë të ndihmës së huaj në vend". Një prezantim i shkurtër nga stafi ‘RiSi Albania’ pasoi fjalimet, ku pjesëmarrësit dhe media patën rastin të mësojnë rreth asaj se si do të zbatohet projekti i ri dhe çfarë do të thotë për punësimin e të rinjve në Shqipëri.

Përfituesit kryesorë do të jenë studentët, të rinj punëkërkues dhe të punësuarit e rinj ndërsa bizneset, institucionet e punësimit, ofruesit e shërbimeve dhe mediet do të jenë partnerët kryesorë.

Qasja e re e propozuar nga ky projekt përfshin punën në tri nivele: kompanitë e biznesit (punëdhënësit), agjencitë e vendeve të punës (ndërmjetësuesit) dhe vetë të rinjtë (të punësuar). Pas një skanimi dhe hulumtimi fillestar, projekti arriti në përfundimin se sektorët më premtues për punësimin e të rinjve janë Agro-përpunimi, Turizmi, TIK dhe ndoshta Veshjet & Këpucët. Mundësitë e punësimit në këto sektorë do të hulumtohen gjatë jetës së projektit, ndërsa ndërhyrjet në këto industri do të synojë përmirësimin e punësimit të të rinjve në afat të gjatë. Papunësia e të rinjve në Shqipëri është zyrtarisht në 21.5%, por kjo shifër është më e lartë në zonat rurale dhe përveç kësaj ka edhe punësim informal dhe të paguar pak që është i përhapur midis të rinjve. Si qeveria dhe donatorët ndërkombëtarë pranojnë rëndësinë e adresimit të papunësisë tek të rinjtë dhe përshtatjen e aftësive të të rinjve me kërkesat e tregut. Programet zviceran të zhvillimit që adresojnë punësimin në Shqipëri kanë qenë më parë të suksesshme sidomos në fushën e arsimit profesional.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama