Projektligji Byroja Kombetare e Hetimit me 50 te paprekshem

Projektligji, Byroja Kombetare e Hetimit, me '50 te paprekshem'

Zbardhet projekti përfundimtar për Byronë Kombëtare të Hetimit, struktura “elitë”, e kërkuar me ngulm nga Kryeministri Rama dhe e cilësuar si FBI-ja shqiptare. Kjo strukturë, që përfundimisht është vendosur të jetë brenda Policisë së Shtetit, do të ketë vetëm 50 punonjës, të cilët do të jenë OPGJ, agjentë policie dhe ekspertë nga fusha të tjera. Me rregullat e vendosura për emërimin, shkarkimin dhe detyrat e tyre, mund të thuhet pa dyshim se punonjësit e Byrosë Kombëtare të Hetimit do të jenë “50 të paprekshmit”. Për më tepër, secili prej tyre do të ketë një shtesë mbi pagën për vështirësi në vlerën 76 mijë lekë në muaj, e cila është paga referuese në polici.

FBI-ja shqiptare

Në projektligjin e policisë, të dërguar në qeveri, është lënë një kapitull i veçantë për Byronë Kombëtare të Hetimit. Kjo strukturë e veçantë do të kryejë veprimtari gjurmuese dhe hetimore në përputhje me legjislacionin penal dhe procedural penal, për veprat penale në fushën e korrupsionit dhe të veprimtarisë së organizuar kriminale dhe do të ketë varësi dyfishe mes Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm. Ajo ushtron kompetencat në të gjithë territorin e vendit dhe për veprimtarinë gjurmuese do të përgjigjet para Drejtorit të Policisë së Shtetit dhe për veprimtarinë hetimore procedurale do të përgjigjet para prokurorit. Sipas draftit të dorëzuar në qeveri, organizimi dhe funksionimi i Byrosë Kombëtare do të përcaktohet me urdhër ministri, megjithëse është përcaktuar se ajo do të ketë vetëm 50 punonjës.

Kreu i byrosë

Për emërimet në këtë strukturë mësohet se do të ketë një sërë kushtesh, por më të forta do të jenë ato për shkarkimin e punonjësve të saj. Sa i përket drejtuesit të BKH-së mësohet se ai do të emërohet nga ministri, me propozimin e Drejtorit të Policisë së Shtetit për një periudhë katërvjeçare dhe në momentin e emërimit, do t’i jepet grada “Drejtues i lartë” (sipas sistemit të ri të gradave, i parashikuar në ligjin e ri të policisë). Në një nen të veçantë të projektligjit mësohet se drejtuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit mund të emërohet nga radhët e Policisë së Shtetit ose prokurorëve në detyrë. “Pas përfundimit të mandatit, me pëlqimin e tij, ai ka të drejtë të emërohet në funksionin e mëparshëm ose në një funksion të barasvlershëm me vendin e mëparshëm”, thuhet në draft. Por, në nenin 28 të ligjit të ri janë përcaktuar kritere të forta për të përzgjedhurin. Drejtuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit duhet të ketë arsim policor ose juridik, të ketë gradën policore “Drejtues i parë”, kur është punonjës policie. Ai duhet të ketë eksperiencë mbi dhjetë vjet në hetimin e veprave penale në fushën e korrupsionit, krimit të organizuar ose krimeve të rënda, të ketë aftësi të larta profesionale, të ketë cilësi të larta morale dhe të mos jetë nën efektet e një mase disiplinore.

Punonjësi i byrosë

Kurse punonjësi i Byrosë Kombëtare të Hetimit përzgjidhet nga radhët e punonjësve të policisë ose të personave me njohuri të posaçme. Përzgjedhja bëhet nëpërmjet një procesi konkurrimi transparent, sipas rregullave e procedurave të përcaktuara në rregulloren e policisë dhe emërimi i tyre bëhet nga drejtori. Për oficerët e policisë gjyqësore merret miratimi paraprak i Prokurorit të Përgjithshëm. Çdo punonjës i BKH-së duhet të ketë të paktën arsimin policor, ose juridik. Veç këtij kriteri, kandidatët duhet të kenë eksperiencë mbi pesë vjet në hetimin e veprave penale në fushën e korrupsionit, krimit të organizuar ose krimeve të rënda. Për funksione të veçanta në BKH, punonjësit duhet të kenë përfunduar arsimin e lartë përkatës dhe të kenë jo më pak se 7 vjet përvojë pune në fushën ku kërkohen njohuritë e veçanta.

Shtesa e pagës

Punonjësit, të cilët do të emërohen në këtë strukturë të veçantë të policisë, pritet të përfitojnë pagat më të larta të dhëna ndonjëherë në strukturat policore për shkak të shtesave që janë parashikuar në draft. Në nenin 33 të tij thuhet se punonjësi i Byrosë Kombëtare të Hetimit përfiton shtesë në masën 100% mbi pagën referuese. Pra veç pagës bazë për gradë që jepet në këto struktura, ata do të përfitojnë 76 mijë lekë më shumë, aq sa është paga referuese në polici. Po ashtu, këto struktura pritet të kenë të gjithë aksesin e nevojshëm për informacion. “Gjatë kryerjes së veprimtarisë hetimore, personat juridikë, entet publike dhe shtetasit janë të detyruar t’i japin oficerit të policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit akses të pakufizuar për mbledhjen e provave për t’u përdorur në një proces penal, në zbatim të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale”, citohet në projektligj.

 

Neni 29

Lirimi nga detyra i Drejtuesit të Byrosë

1. Drejtuesi i Byrosë lirohet nga detyra:

a) kur përfundon afatin e qëndrimit në detyrë

b) për shkelje të Kushtetutës ose për shkelje të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të detyrës

c) për sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e tij

d) për shkelje të rënda dhe shumë të rënda të disiplinës në ushtrimin e funksioneve të policisë gjyqësore, sipas ligjit përkatës

e) kur dënohet me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale

f) kur jep dorëheqjen

g) kur mbush moshën e pensionit

h) kur i hiqet ose i kufizohet zotësia për të vepruar me vendim gjykate të formës së prerë.

2. Në rastet e parashikuara në pikën 1, shkronja “a” dhe “b” lirimi nga detyra bëhet me propozim të Drejtorit të Policisë së Shtetit.


Neni 32

Largimi i Punonjësit të Byrosë Kombëtare të Hetimit

1. Punonjësi i Byrosë Kombëtare të Hetimit largohet vetëm për shkelje të rënda disiplinore. Për oficerët e policisë gjyqësore merret miratimi i Prokurorit të Përgjithshëm.

 

Ligji i ri

Forcohen rregullat për policët e politizuar

Policia duket se do të forcojë më shumë edhe çështjen e pjesëmarrjes së punonjësve të policisë në politikë. Me ligjin e ri deklarohet se punonjësi i policisë ndalohet të jetë anëtar i një partie ose organizate politike, siç ka qenë edhe më parë, por ndryshimi qëndron në faktin se ai ndalohet edhe të mbështesë fushatën e një partie, organizate politike, të një anëtari partie politike apo të një kandidati të pavarur, duke marrë pjesë ose duke kontribuar fizikisht ose financiarisht. Kufizime i janë bërë punonjësit të policisë edhe për veprimtari të dyta. Sipas draftit, punonjësi i policisë nuk mund të punësohet ose të kryejë veprimtari tjetër private me përjashtim të mësimdhënies. Me ligjin aktual, punonjësi i policisë lejohej të punonte në disa profesione, por që përcaktoheshin çdo fillimviti nga Drejtori i Përgjithshëm. Kjo e drejtë do t’i hiqet punonjësit të policisë, duke i lënë vetëm profesionin e mësimdhënies, madje edhe për këto raste, ai ka detyrimin të marrë miratimin me shkrim të drejtuesit të strukturës.

 
Përfitimet e reja të policisë

Në detyrë

Punonjësi i policisë gëzon të drejtën e lejes pa të drejtë page për një periudhë afatshkurtër deri në 2 muaj ose afatgjatë deri në 3 vjet.

Punonjësi i policisë përfiton shtesë për vjetërsi shërbimi në masën 1% për çdo vit deri në 25 vjet.

Trajtim me ushqim për struktura sipas përcaktimeve me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Shpërblim në fund të vitit në masën e një page mujore.

Ndihmë të menjëhershme financiare në rast të dëmtimit të rëndë të pronës për shkak të detyrës.

Punonjësi i policisë përfiton sigurim shëndetësor të veçantë.

Punonjësi i policisë përfiton kredi për strehim me një interes në masën 3%.

Punonjësit të policisë, kur emërohet/transferohet jashtë vendbanimit të tij të përhershëm, brenda dhe jashtë vendit, i jepet kompensim për qira banese.

Punonjësi i policisë përfiton sigurim jete sipas rregullave të përcaktuara me VKM.

I liruar

Punonjësi i Policisë që ndërpret marrëdhëniet e punës me policinë përfiton pagesë kalimtare, pension të parakohshëm suplementar, pension shërbimi dhe pension suplementar pleqërie.

Për çdo vit shërbimi mbi 15 vite për meshkujt dhe 12 vite për femrat, punonjësi përfiton shtesë në masën 2% të pagës referuese të muajit të fundit. Shuma e përfitimit nuk duhet të jetë më shumë se 65% e pagës referuese të muajit të fundit.

Punonjësi i Policisë ka të drejtë të dalë në pension shërbimi kur ka plotësuar 25 vite vjetërsi shërbimi dhe moshën 50 vjeç.

Punonjësi i Policisë, që përfiton pension shërbimi, përfiton shpërblim të menjëhershëm në masën e dymbëdhjetë pagave të pagës referuese të muajit të fundit.

Humbja e jetës

Kur Punonjësi i Policisë humb jetën për shkak të detyrës, pjesëtarët e familjes përfitojnë ndihmë të menjëhershme financiare deri në 10 paga mujore referuese të muajit të fundit.

Familja përfiton pension familjar suplementar në masën 100% të pagës mujore të muajit të fundit kalendarik të shërbimit, pavarësisht nga periudha e sigurimit.

Familja përfiton rimbursim në masën 100% të bursës së studimit në institucionet e arsimit shtetëror për fëmijët e punonjësit.

Familja përfiton banesë falas për bashkëshorten/in dhe fëmijët kur janë të pastrehë.

Familja përfiton një pagë mujore referuese çdo përvjetor vdekjeje.

Ceremonia mortore organizohet nga drejtuesi i strukturës dhe shpenzimet paguhen nga buxheti i policisë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama