Projektligji i ri për lojërat e fatit detyron organizatorin të kontrollojë dhe regjistrojë identitetin e të gjithë lojtarëve që hyjnë në kazino dhe t’i ruajë ato për tri vite. Shtrenjtohen licencat për kazinotë elektronike dhe bastet sportive. Ja penalitetet për biznesin e bixhozit kur nuk zbaton rregullat
Lojërat e fatit dhe të gjitha aktivitetet e bixhozit do të zhvillojnë aktivitetin e tyre në kushte më të shtrënguara ligjore. Projektligji i ri për organizimin e Lojërave të fatit që shumë shpejt do të shkojë për miratim në qeveri, vështirëson bixhozin për disa kategori zyrtarësh, ndërsa të gjithë lojtarët e kazinosë regjistrohen.
Regjistrimi
Hyrja në kazino dhe pjesëmarrja në lojë do të lejohen vetëm për personat mbi 21 vjeç, të cilët janë të detyruar të identifikohen me dokument. Projektligji i ri detyron organizatorin të kontrollojë dhe regjistrojë identitetin e të gjithë lojtarëve që hyjnë në kazino, duke mbajtur një regjistër që përmban të dhënat identifikuese personale, të tilla si: emri, mbiemri, adresa, data, vendi i lindjes, numri i dokumentit të identifikimit, si dhe data dhe ora e hyrjes në kazino. Këto të dhëna do të ruhen nga operatori për të paktën 3 vjet. Por nga ana tjetër, ruajtja dhe përdorimi i të dhënave identifikuese të lojtarëve duhet të bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale. Të dhënat janë konfidenciale dhe operatori nuk mund t’u bëjë publike palëve të treta. Gjithashtu personat e veshur me uniformë, me funksione publike, mund të hyjnë në një kazino vetëm për arsye profesionale dhe për asnjë arsye tjetër.
10-fish licenca për bastet
Sipas draft-ligjit për bastet sportive, tarifa për të marrë një licencë do të 10-fishohet. Kështu nga 2 milionë lekë në vit që është aktualisht, ajo do të shkojë në 20 milionë lekë, ndërsa licencat do të jenë të kufizuara me afat 5-vjeçar. Rritje të tarifës së licencimit ka edhe për kazinotë elektronike, të cilat nga 1 milion lekë në vit që paguajnë aktualisht, me ligjin e ri kjo tarifë llogaritet 25 milionë lekë për çdo 5 vjet. Kufizimi i sallave të lojërave për kazinotë apo pikat e basteve është një ndër pikat e ndryshuara në ligj. Kështu, sipas kushteve të reja, kazinotë kanë të drejtë të hapin vetëm një sallë për ushtrim aktiviteti, ndërsa për ato elektronike në total mund të hapen deri në pesë salla për ushtrim aktiviteti. Për bastet sportive dhe bastet për garat në pistë, kufizimi për një nipt sekondar është deri në 300. Bingot tradicionale mund të hapin deri në 10 nipte sekondare në total. Po kështu, ndryshime janë bërë edhe te kapitali që duhet të kenë shoqëritë që duan të përfitojnë një licencë, afati që u jepet nga kjo e fundit, dhe tarifat që do të aplikohen. Afati i licencimit për kazinotë jepet për një periudhë 10-vjeçare. Tarifa e licencimit për të gjithë periudhën e licencimit është 1.000.000.000 (një miliard lekë). Në këtë tarifë është përfshirë e drejta për të hapur vetëm 1 sallë në total.
Penalitetet
Ushtrimi i veprimtarisë në fushën e lojërave të fatit, pa u licencuar, sipas procedurave të parashikuara nga ky ligj përbën kundërvajtje dhe biznesi që e kryen atë, dënohet me gjobë. Aktiviteti i bingove pa licencë trajtohet me gjobë 30.000.000 lekë. Lotaria kombëtare pa licencë gjobitet me 50.000.000 lekë. Bastet sportive pa licencë gjobiten 30.000.000 lekë. Për ushtrim aktiviteti nga kazino elektronike, 30.000.000 lekë për çdo makinë të paregjistruar. Për kazinotë me leje të parregullt, gjoba është 50.000.000 lekë. Për bastet e garave në pista, pa leje, gjoba do të jetë 50.000.000 lekë. Për shkelje të tjera të ligjit gjobat variojnë nga 5000 mijë deri në 1 milion lekë.
Biznesi i lojërave të fatit, ja taksat e reja
Projektligji i ri ka ndryshuar edhe mënyrën e taksimit për të gjitha kategoritë e lojërave të fatit. Kështu duke filluar nga data 1 janar 2016 të ardhurat bruto nga loja, për të gjitha kategoritë e lojërave të fatit tatohen në masën 25 %. Organizatorët e basteve sportive, brenda 31 mars të vitit pasardhës, derdhin në llogari të ministrisë përgjegjëse për sportin shumën prej 0,5 për qind të fitimit mbi të ardhurat bruto vjetore. Ministria përgjegjëse për Sportin, duhet të njoftojë brenda muajit prill AMLF-në, në rast se organizatori nuk derdh në llogari shumat. Krahas detyrimit tatimor, organizatorët e kazinove elektronike brenda 31 marsit të vitit pasardhës derdhin në llogari të ministrisë përgjegjëse për Turizmin shumën prej 0,5 për qind të fitimit mbi të ardhurat bruto vjetore nga loja. Ministria përgjegjëse për Turizmin duhet të njoftojë brenda muajit prill AMLF-në në rast se organizatori nuk derdh në llogari shumat përkatëse. Krahas detyrimit tatimor për kazinotë elektronike në distancë, brenda datës 31 mars të vitit pasardhës, organizatori i lojërave të fatit derdh në llogari të ministrisë përgjegjëse për Turizmin shumën prej 0,5 për qind të fitimit mbi të ardhurat bruto vjetore nga loja. Tatimpaguesit që ushtrojnë veprimtari në fushën e organizimit të lojërave të fatit në kazino, paguajnë një taksë mujore në masën 12 për qind mbi vëllimin e qarkullimit të realizuar në bazë të arkëtimeve, por jo më pak se 300.000 (treqind mijë) lekë në muaj për çdo pozicion. Për çdo tryezë të lojërave (me letra dhe/ose me zare), një taksë mujore në masën 12 për qind mbi vëllimin e qarkullimit të realizuar në bazë të arkëtimeve, por jo më pak se 1.500.000 (një milion e pesëqind mijë) lekë. Për lojërat elektronike dhe për videolotarinë, të vendosura në mjediset e kazinosë, një taksë mujore në masën 25% të fitimit nga të ardhurat bruto nga lojërat e fatit. Për makinat slot me fitim në çast, një taksë mujore në masën 25% mbi fitimin nga të ardhurat bruto nga lojërat e fatit. Krahas detyrimit tatimor brenda 31 mars të vitit pasardhës, organizatori i lojërave të fatit derdh në llogari të ministrisë përgjegjëse për Turizmin shumën prej 0,5 për qind të fitimit mbi të ardhurat bruto vjetore nga loja.