Prokofiev dhe nje histori censure

Prokofiev dhe nje histori censure
Historia e ndalimit të baletit "Romeo dhe Zhuljeta", me muzikë të Sergei Prokofiev, në Rusinë e viteve '30 dhe suksesi i premierës në Teatrin e Kirovit. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në Tiranë, e sjell premierë me koreografi të bullgarit Loukanov.

Nuk është e thjeshtë të takosh koreografin Peter Loukanov këto ditë në TKOB. Udhëtoi nga Sofja në Tiranë për të punuar për "Romeo dhe Zhuljetën" e Shekspirit, me muzikë të Sergei Prokofiev. Orët shtesë mbi normën e caktuar për provat, duket se nuk i dalin Loukanov-it për të punuar me balerinët shqiptarë. Sergei Prokofiev (1891-1953), pianist, kompozitor dhe dirigjent rus nga një ndër krijuesit më të rëndësishëm të shek. XX, filloi ta shkruante "Romeo dhe Zhuljetën" më 1933 dhe e përfundoi më 1935. Në kohën kur vendosi të merrej me kompozimin e kësaj vepre, kishte shkruar një sërë operash dhe muzikë për balet dhe kishte një histori të gjatë bashkëpunimi me Festivalin Rus "Sergei Diaghilev".


Kishte krijuar baletin "Hapi i Çeliktë", "Djali Plëngprishës", kishte fituar siguri në krijim, kishte arritur që t'i shpëtonte fragmentarizmit, të gjente një gjuhë të përbashkët mes dramaturgjisë dhe muzikës dhe t'i jepte ngjyra dhe freski baleteve që ai krijonte.

Një vepër si "Romeo dhe Zhuljeta", kishte frymëzuar të tjerë para tij, një Berlioz dhe një Gounod në Francë, Bellinin në Itali dhe Çajkovskin në Rusi. Në vitin 1933 Prokofiev vendosi të krijojë një balet të plotë me tri akte mbi veprën e Shekspirit. Krijimi i tij nisi me konturimin e figurës së Zhuljetës, vajzës së vogël e kureshtare të Kapuletëve, që pak e nga pak ndryshon natyrë nën efektin e dashurisë. Po ashtu edhe Romeo.

Libreti u shkruajt nga Adrian Piotrovsky dhe Sergey Radlov.

Teatri i Kirovit në Leningrad mezi priste të prezantonte baletin e Prokofievit. Por kur, më 1934, kompozitori e prezantoi krijimin e tij në teatër dhe foli për historinë e dashurisë mes Romeos dhe Zhuljetës, baleti u refuzua. Siç e shpjegon në shkrimet e tij më vonë Prokofiev, problemi qëndronte te finalja tragjike e historisë dhe historia nuk kishte frymën e kohës.

Më vonë kompozitori nënshkroi një kontratë me Teatrin e Bolshoit në Moskë për ta shfaqur atje baletin, por u refuzua për të njëjtën arsye. Vepra arriti të vihej në skenë vetëm më 1938, në Teatrin e Operës Brno në Çekosllovaki. Autoritetet sovjete nuk e lejuan Prokofievin të ishte në premierën çeke. Ai mësoi për suksesin e saj nga goja e të tjerëve.

Në vjeshtën e po atij viti, Teatri i Kirovit bëri përpjekje të dytë për ta vendosur "Romeo dhe Zhuljetën" në skenë me koreografi të Leonid Lavrovskyt. Vetë muzikantët dhe trupa e baletit kundërshtonte të interpretonte në këtë pjesë që u dukej një muzikë që fikte shpresat.

Por kundërshtimi fillestar pak nga pak po zbutej dhe u arrit një mirëkuptim i dyanshëm, derisa arriti të rrëzoheshin poshtë këto ide dhe vepra të vihej premierë në vitin 1940. Muzika lirike e Prokofievit që shoqëronte historinë tragjike të dy të dashuruarve, u prit me sukses nga shikuesit e Kirovit dhe u konsiderua e shkëlqyer nga kritika. Më vonë në vendin e tij, Prokofiev krijoi baletin "Hirushja", operën "Lufta dhe Paqja", muzikën e filmit "Ivan i tmerrshëm" të Ejzenshtejnit, pjesën e parë të së cilës e shkroi më1942-1944 dhe pjesën e dytë më 1945.

Peter Loukanov, koreografi që e ka marrë përsipër krijimin e Prokofievit me trupën e Tiranës, ka pasur përvojë të gjatë si krijues dhe drejtues në Bullgari. Ai ka studiuar në klasën e Leonid Lavrovskyt, balerinit dhe koreografit rus që mori në dorë vënien e shfaqjes së Prokofievit. Në vitin 1967 deri më 1989 dhe nga 2000-2001, Loukanov ka qenë mjeshtër baleti dhe shef i trupës së Baletit Kombëtar, drejtor artistik i Departamentit të Dancit Klasik, drejtor i Shkollës Shtetërore të Koreografisë. Nga viti 1980 deri më sot, ai është profesor në specialitetin "Koreografia Tradicionale Bullgare" në Akademinë e Muzikës, Koreografisë dhe Arteve Figurative (AMDFA) në qytetin e Plovdivit, ku vazhdon të punojë dhe sot.

Po ashtu ka qenë shef i Katedrës së Koreografisë (1989-1999) dhe zëvendës rektor i kësaj Akademie. Nga marsi i vitit 2006 ai është zëvendës drejtor i Trupës së Baletit në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, në Sofje. Qysh nga 1965 deri tani ka realizuar koreografinë e 73 baleteve, 26 baleteve miniatura, 17 prej të cilave kanë marrë pjesë në Konkurse Ndërkombëtare të Baletit në Varna dhe në Moskë, valle për 41 opera, muzikal, opereta, 6 filma baleti.

Në repertorin e tij numërohen koreografitë: "Apollon Musagète", "Agon" nga Igor Stravinsky, "Hirushja", Romeo dhe Zhuljeta", "Ala dhe Lolly" nga Sergei Prokofiev, "Apocalypse" nga Vassil Kazandjiev, "Notre-Dame de Paris" nga Maurice Jarre, "Bolero" nga Maurice Ravel.

Baleti me koreografi të Loukanovit shfaqet në skenën e Teatrit të Operës më 18,19, 21, 22 mars, ora 19.00. Në role kryesore janë Enada Hoxha, Odeta Dishnica (Zhuljeta), Gerd Vaso, Ervis Nallbani (Romeo), Sokol Zhugri (Tibaldi), Endri Shkoza, Helios Papadhima (Merkuti), Dion Gjinika (Parisi dhe Eskalus), Fatjon Lito (Benvolio), si dhe Rovena Shqevi, Ledia Sula, Isida Mollaymeri, Jonida Onuzi, Adela Muçollari, Loreta Bala, Joli Eleni Gjovreku, Alisa Gjoni, Erald Zela, Julind Dervishi, Silvester Shuta, Igli Mezini, Eni Balla. Skenografia është realizuar nga Agim Zajmi.

Kostumet: Tzvetanka Petkova-Stoynova Dirigjent: Ermir Krantja. Koncertmaestër: Enina Llozi. As/Koreograf: Maria Loukanova.
"Romeo dhe Zhuljeta", është vepra që ka tërhequr skena në Tiranë këtë sezon.

"Romeo dhe Zhuljeta" me regji të Kiço Londos po shfaqet këto kohë në Teatrin e Metropolit.

Të njëjtën vepër, por në Teatrin Kombëtar e sjell në këtë sezon regjisori italian Carlo Bruni. Kurse, Loukanov filloi dje nga provat në skenë.
Baleti "Romeo dhe Zhuljetë" është vënë për herë të parë në TKOB, nga Agron Aliaj në vitin 1996.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama