Task-Forca, gati fletëthirrje Rezart Taçit. Hetimet për 5 vepra penale
Hetimet për Albpetrolin - Krahas kallëzimit të fundit të Policisë dhe Tatimeve për Rezart Taçin, Prokuroria e Tiranës dyshon se ky biznesmen mund të ketë mashtruar shtetin për blerjen e “Albpetrolit”
Falimenti për “Armo” - Më parë, familja Taçi ka shitur edhe kompaninë ARMO, pasi rezultoi se kishte borxhe të larta ndaj një banke azerbajxhanase. Aktualisht, kjo shoqëri administrohet nga azerbajxhanasit.
Prokuroria e Tiranës dyshon se të gjitha veprimet e familjes Taçi janë kryer me të vetmin qëllim: pastrimin e parave. Burime nga akuza e kryeqytetit pohojnë se hetimet kanë filluar prej dy muajsh, ku janë mbledhur fillimisht dokumente nga bankat e nivelit të dytë për të gjitha transaksionet që shkojnë në miliona euro. Nga të dhënat e para mësohet se po verifikohet aktiviteti i dy viteve të fundit të bizneseve në pronësi të familjes Taçi. Dokumentet e para që kanë shkuar në prokurori flasin se gjatë kësaj kohe janë kryer transaksione bankare që kapin vlerën e rreth 100 milionë eurove. Madje, janë kryer edhe transaksione të shpejta një apo dyditore, ku familja Taçi ka përfituar miliona euro, ndërsa së fundmi, gjatë verës së këtij viti, janë tërhequr nga bankat sërish miliona euro kesh. Akuza ka dyshime se të gjitha këto transaksione janë kryer për të pastruar paratë, pasi edhe disa nga “blerësit” e kompanive të Rezart Taçit kanë qenë të regjistruara në shtetet ishullore në Oqeanin Paqësor, të cilat kanë lehtësira për regjistrimin e firmave “fantazma”.
Hetimet dymujore
Prokuroria e Tiranës ka ngritur ndaj familjes Taçi, dhe të disa bashkëpunëtorëve të tyre, pesë akuza të rënda, të gjitha në fushën ekonomike. Rezart Taçi, motra e tij, Anika, dhe babai Mustafa Taçi akuzohen për fshehje të të ardhurave, mospagimin e taksave dhe tatimeve, falsifikim dokumentesh, krijimin e skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar” dhe “Pastrim të parave”, të gjitha në bashkëpunim. Mësohet se hetimi ka nisur pas denoncimit të Antikrimit Ekonomik në Policinë e Shtetit, e cila bashkëpunoi ngushtë me Drejtorinë e Tatimeve, ndërsa të hetuar janë edhe Drita Aliçka, Arjanit Kolgega dhe Irgen Selfo. “Këto akuza dyshohet se janë konsumuar nga mospagimi i taksave për disa dhjetëra eksporte të deklaruara, kontrata fiktive të shitblerjeve të aksioneve dhe kompanive fantazmë, transaksione të dyshimta bankare brenda dhe jashtë Shqipërisë me miliona euro, si dhe tërheqje kesh të shumave të mëdha parash nga llogari të ndryshme bankare”, pohojnë burimet nga akuza, ndërsa mësohet se në dosje janë renditur edhe një sërë provash që lidhen me aktivitetin financiar të drejtuar nga Taçi apo kompanitë e kontrolluara prej tij, të përfshirë në transaksione të dyshimta dhe xhirim të shpejtë parash në vlera të larta të pajustifikuara me dokumente konkrete për origjinën dhe qëllimin e tyre.
Dëshmitë dhe transaksionet
Burimet nga Prokuroria e Tiranës, pohojnë se Rezart Taçit dhe të dyshuarve të tjerë, u janë dërguar fletëthirrje dhe në ditët në vazhdim pritet të merren në pyetje nga prokuroria, për të dhënë shpjegime të hollësishme për të gjitha veprimet e tyre të dyshimta. Ndërkohë, nuk përjashtohen nga hetimet edhe drejtues e punonjës të Drejtorisë së Tatimeve, Doganave, administratorë të kompanive të ndryshme apo edhe punonjës të bankave të nivelit të dytë në vend.
Ndërkohë, në dosje renditen edhe një sërë faktesh të tjera, që lidhen me aktivitetin financiar të drejtuar nga Rezart Taçi apo kompani të kontrolluara prej tij, që përfshijnë transaksione të dyshimta dhe xhirim të shpejtë parash në vlera të larta. Sipas të njëjtit sektor hetimi, në shumë nga këto operacione nuk ekzistojnë dokumentet bankare apo kontratat noteriale që të justifikojnë qëllimin e përdorimit të fondeve dhe destinacionin e tyre pas tërheqjes. Shuma më e madhe që ka qarkulluar ka qenë shitja e disa bizneseve të familjes Taçi. Një shoqëri “Heaney Asset Corporation”, e përfaqësuar nga shtetasi Abe Halati, lindur në Iran dhe banues në Azerbajxhan, ka blerë nga shtetasi Rezart Taçi kundrejt shumës 50 milionë euro disa firma të tij. Kjo shoqëri ka blerë firmën “Anika Enterprisses” SA, me adresë në Gjenevë në shumën 35,000,000 euro, kompaninë “Taçi Oil”, për shumën 500,000 euro, shoqërinë “Europetrol”, për shumën 14,000,000 euro dhe “Kuid”, për shumën 500,000 euro. Mësohet se shoqëria “Heaney Asset Corporation” është krijuar sipas legjislacionit të Ishujve të Virgjër Britanikë (British Vigin Islands). Aksioner i vetëm në këtë kompani është Jean-Claude Dauvergne. Pas shitjeve të kompanive gjatë verës, më saktësisht më datë 6.8.2013, është kryer transferta e parë prej 35 milionë eurosh në favor të Rezart Taçit në llogarinë e tij personale. Në datat 6, 7 gusht të këtij viti, shtetasi Rezart Taçi ka transferuar në emër të të afërmve të tij, shtetasve Anika Taçi, Drita Aliçka dhe Mustafa Taçi respektivisht në Bankat RBZ dhe “Tirana”, në total shumën 12 milionë euro. Dhe, më pas renditeshin të tjera transaksione, sërish me shumë zero nga pas, qofshin lekë apo euro. Red.Akt
Në gjykatë
Procese falimentimi për “Taçi Oil” dhe “Kuid”
Në Gjykatën e Tiranës po zhvillohen paralelisht dy procese për deklarim falimentimi për shoqëritë “Taçi Oil” dhe “Kuid”, të cilat janë administruar më parë nga familja Taçi. Sipas gjykatës, Drejtoria Rajonale Tatimore e Tatimpaguesve të Mëdhenj ka bërë një kërkesë për deklarim falimenti për ‘Taçi Oil” në datën 25 shtator të këtij viti. Deri më tani janë bërë tetë seanca, ndërsa e radhës është në muajin shkurt. Ndërkohë, po në datën 25 shtator, Tatimet kanë kërkuar falimentin edhe për shoqërinë “Kuid”, ndërsa në këtë proces janë kryer vetëm tri seanca. Pritet që të dyja kërkesat të dërgohen në Gjykatën Administrative.