Prokuroria e Krimeve të Rënda çon në gjykatë dosjen në ngarkim të biznesmenit Arben Frroku, i cili akuzohet për ekzekutimin e Kryekomisarit Dritan Lamaj, ngjarje e ndodhur një vit më parë në Tiranë. Prokuroria në kërkesën për gjykim kapet fort pas një dëshmitari me emrin Arben Ndoka, 41 vjeç, nga Lezha, i cili është ndodhur në vendngjarje. Ndërsa Arben Frroku vijon të mbajë qëndrimin se, jo vetëm nuk ka të bëjë me atë ngjarje, por momentin e vrasjes ka prova që ai nuk ka qenë në Tiranë.
Qelizat e celularit të tij kanë përcaktuar vendndodhjen në Elbasan, ndërsa mbrojtja ka siguruar edhe pamjet filmike të mjetit me të cilin udhëtonte Frroku në drejtim të Selanikut, vend në të cilin u arrestua. Mirëpo prokurorët janë të bindur në akuzën e tyre për Arben Frrokut, në lidhje me ekzekutimin më të përfolur në vitin 2013. Ata e kanë mbështetur akuzën në konfliktet e shumta dhe publike që kanë ekzistuar mes tij dhe ish-shefit të Komisariatit nr 6, të ndjerit Dritan Lamaj.
Mbetet i pandriçuar veprimi i policisë, që Arben Frrokun, ndonëse e shpallën në kërkim menjëherë pas vrasjes së Lamajt, u lejua plot tri orë pas ngjarjes të kalonte kufirin në Kapshticë. Në lidhje me këtë përfundim hetimesh për klientin e tij, avokati që mbron Arben Frrokun, Tonin Prendi, në një prononcim për gazetën “Shekulli” bëri me dije se: “Prokuroria në të gjithë dosjen e hartuar mbi akuzat për klientin tim, më shumë ka evituar presionin ndaj vetes për të ia lënë çështjen në dorë Gjykatës, se sa ka mbledhur fakte e prova për tu ballafaquar me Frrokun në Gjykatë”.
Kërkesa për gjykim
Dosja në ngarkim të Arben Frrokut mësohet se është tejet voluminoze. Ka në përbërje 12 fashikuj që përqindja më e madhe e kësaj dosjeje, sipas të dhënave, përbëhet nga procesverbale të ndryshme, shumë prej të cilave janë mbajtur mbi ekzekutimin dhe vendin e ngjarjes ku u vra Kryekomisar Lamaj. Prokuroria ka përcaktuar dy nenet e Kodit Penal mbi të cilët pritet të gjykohet Arben Frroku, ndërsa kërkesa për gjykim që është depozituar në Gjykatë, nuk do të bëhet publike deri në momentin e nisjes së procesit gjyqësor.
Bëhet e ditur se në kërkesën për gjykim prokurorët paraqesin një dëshmitar okular, i cili deklaron se ka parë natën e vrasjes, në mjetin nga i cili u qëllua Dritan Lamaj, pikërisht Arben Frrokun. Gjithashtu dëshmitari me emrin e ndryshuar nga prokuroria, ( pra, emri Arben Ndoka nuk është emri i vërtet i dëshmitarit) pasi mendohet se është i izoluar nën statusin “dëshmitar i drejtësisë”, është shprehur se e ka njohur Frrokun, ndonëse ka thënë se autorët e vrasjes kanë qenë të maskuar dhe të veshur me të