Prokuroria e Fierit ka nisur dje zyrtarisht hetimet për vdekjen e 42-vjeçarit shqiptar Ilia Kareli në një burg grek. Të dhënat e ekspertizës greke dhe këqyrja paraprake e kufomës, sipas prokurorisë janë të dhëna të mjaftueshme për të hedhur dyshimet se shqiptari është vrarë dhe nuk ka patur një vdekje natyrale. Këto të dhëna janë shoqëruar edhe nga akt-ekspertimi mjekoligjor i mjekëve grekë, të cilët kanë pasqyruar dëmtimet e vërejtura në trupin e 42-vjeçarit shqiptar. Në bazë të këtyre të dhënave prokuroria ka regjistruar ngjarjen si “vrasje me dashje”, por pa autor, ndërsa pritet të kryejë një sërë verifikimesh për të zbardhur të vërtetën e krimit të rëndë.
Sipas burimeve të prokurorisë mësohet se grupi hetimor tashmë është në pritje të rezultateve të autopsisë që Mjekësia Ligjore kreu ditën e djeshme, ndërsa pas administrimit të këtij akti do të dërgojë një letër-porosi pranë autoriteteve greke të drejtësisë. Paralelisht me hetimin në Shqipëri, prokuroria greke ka nisur një hetim mbi rastin e vrasjes së shqiptarit. Por edhe pse kanë kryer disa veprime hetimore, autoritetet greke thonë se nuk kanë ende persona të dyshuar si autorë të vrasjes. Mediat greke raportojnë se 42-vjeçari shqiptar mund të jetë dhunuar gjatë kohës që mbahej në stacionin e policisë, për t’u transferuar më pas në burgun e Nigritës në Selanik, aty ku dhe u gjet i vdekur pak ditë më parë. Transferimi i tij është bërë në fshehtësi të plotë, ndërsa gjatë kësaj kohe ai mund të jetë dhunuar nga policët grekë, por megjithë dyshimet, autoritetet ende nuk kanë mundur të japin asnjë të dhënë të saktë mbi mënyrën apo autorët e mundshëm të këtij krimi.