Prokuroria ne tension me policine pas nxjerrjes se sekretit per 2 te arrestuarit

Prokuroria ne tension me policine pas nxjerrjes se 'sekretit' per 2 te arrestuarit

Organi i akuzës që drejton hetimin për vrasjen e Artan Santos, e konsideron të nxituar njoftimin e policisë për Klodian dhe Saimir Gjozin. “Nuk kemi autorizuar nxjerrjen e asnjë informacioni, sepse hetimi është tepër delikat”

Hetimi për vrasjen e bankierit Artan Santo ka reflektuar momente tensioni mes policisë dhe prokurorisë. Presioni në rritje për zbardhjen e vrasjes ka bërë që policia të njoftojë dje se dy të arrestuarit nga fshati Bubq i Fushë-Krujës kanë gjurmë baruti në duar. Një informacion i tillë është konsideruar “sekret” nga prokuroria, e cila zyrtarisht nuk ka pranuar të komentojë lëvizjen e policisë, edhe pse në këtë rast është “strukturë vartëse” e prokurorit që drejton hetimin. Por pavarësisht mungesës së komenteve zyrtare, burime nga prokuroria pohojnë se nuk kanë autorizuar publikimin e një informacioni të tillë, për faktin se hetimi është tepër delikat. “Prokuroria do të reagojë dhe do të ketë një qëndrim zyrtar për këtë çështje vetëm kur të jetë e bindur në bazë të provave për implikimin e të dyshuarve”, thanë burime të prokurorisë. Ato nuk mohuan ekzistencën e faktorëve plotësues në duart e kushërinjve Klodian dhe Saimir Gjozi, por thanë se ky është vetëm një element. Sipas prokurorisë, mësohet se kjo e dhënë është provë rrethanore dhe një element i vetëm që ka nevojë të lidhet me prova të tjera, në rast se të dyshuarit janë të implikuar në vrasje. “Aktualisht jemi në një proces hetimi ku po kryhen shumë verifikime dhe veprime të tjera hetimore. Ende nuk ka një pistë zyrtare dhe për këtë arsye po verifikojmë të gjitha informacionet dhe të dhënat e mbledhura”, – tha një burim i prokurorisë.

 

Por përtej mungesës së provave nga hetimet e deritanishme, reagimi i djeshëm i policisë duket se ka nxitur një lloj nervozizmi në radhët e prokurorëve. Pasditen e djeshme ka patur komunikime në nivel drejtuesish, por përmbajtja e këtyre bisedave nuk bëhet e njohur. Mësohet se drejtuesit e grupit hetimor nuk kishin dijeni për deklaratën për media të policisë, me të cilën janë njohur vetëm në orët e pasdites. Pikërisht pas këtij informacioni ka patur komunikime mes tyre, duke orientuar policinë të jetë sa më e rezervuar në publikimin e të dhënave të tilla që mund të jenë me tepër rëndësi për hetimin. Në këtë linjë ka qenë edhe orientimi i Prokurorit të Përgjithshëm, i cili gjatë një takimi me drejtuesit e Prokurorisë së Tiranës ka dhënë porosi të prerë dhe të qartë për sekretin hetimor. “Nuk duhet të publikohet asnjë informacion me rëndësi për hetimin e çështjes”, – ka qenë porosia e Prokurorit të Përgjithshëm në një takim ku të pranishëm kanë qenë edhe përfaqësues të policisë.

 

Por deklarata e djeshme e policisë tregon për një marrëdhënie gati të tensionuar mes policisë dhe prokurorisë, të cilat prej një javë në bashkëpunim me njëra-tjetrën po hetojnë vrasjen e bankierit Artan Santo. Rezultatet e deritanishme janë shumë larg pritshmërive, çka duket se ka detyruar policinë të dalë në nxitim e sipër me një deklaratë, që sipas prokurorisë konsiderohet si sekret hetimor. Lëvizja e radhës nga policia vjen pas një tjetër debati mes dy institucioneve të hetimit pas publikimit të informacioneve se katër punonjës policie ishin përfshirë në hetime për shpërdorim detyre. Pas mosmarrëveshjeve për një qëndrim të përbashkët polici-prokurori, Ministria e Brendshme nëpërmjet një njoftimi për mediat tha se asnjë punonjës policie nuk po hetohet nga prokuroria. “Nga verifikimet e kryera, në kontakt të vazhdueshëm edhe me grupin hetimor të çështjes, rezulton se asnjë efektiv policie nuk është vënë nën hetim për këtë çështje. Nga ana tjetër, të gjithë punonjësit dhe drejtuesit e policisë që kanë pasur lidhje me ngjarjen apo kanë pasur informacione të dobishme për hetimin, kanë dhënë deklarimet e tyre pranë oficerëve të Policisë Gjyqësore dhe grupit hetimor”, – deklaroi Ministria e Brendshme.

 Gjurmët e barutit, çfarë është testi i parafinës

Dy kushërinjtë nga Bubqi i Fushë-Krujës, Saimir dhe Klodian Gjozi, i janë nënshtruar testit të parafinës pak kohë pas ndalimit të tyre. Ky test fikson gazrat e barutit që mbesin në duart apo rrobat e një personi që ka qëlluar me armë zjarri, përmes përdorimit të parafinës së shkrirë. Në kriminalistikë, një test i tillë përcakton nëse të dyshuarit kanë kryer apo jo qitje dhe në rastin e dy kushërinjve nga Bubqi ka rezultuar pozitiv. Duart e të dyshuarve për krime janë një element i rëndësishëm i kriminalistikës, e cila më pas ngushton edhe rrethin e aludimeve për ta. Një test i tillë është konsideruar si tepër i rëndësishëm nga hetuesit e vrasjes së bankierit Artan Santo, që shoqëruar me prova të tjera i bën të arrestuarit nga Bubqi si të dyshuar potencialë për këtë krim. Megjithatë, grupi i hetimit është ende larg provimit të këtyre dyshimeve. Saimir dhe Klodian Gjozi kanë pretenduar se mëngjesin e së enjtes, kur ndodhi edhe vrasja e Artan Santos, kanë qenë duke hapur një kanal dhe për këtë, ata pretendojnë se kanë mbi 40 dëshmitarë. Megjithatë, policia dyshon se në intervalin kohor të vrasjes së Santos, dy djemtë e rinj nuk kanë qenë në vendin e punës. Afërsia e banesave të tyre me humbjen e gjurmëve të atentatorëve është një tjetër pikë që i ka vënë ata në shënjestër. Por dyshimi kryesor lidhet me motorin e gjetur në një servis në Fushë-Krujë, krejt i ngjashëm me atë të atentatorëve.

 
Ngushtohet rrethi, Bizhga zbret në Drejtorinë e Tiranës

Ngushtimi i rrethit të atentatorëve të dyshuar ka shtuar lëvizjet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Numri 2 i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga, i cili drejton njëherazi hetimet për vrasjen e bankierit Artan Santo, zhvilloi mbrëmë rreth orës 21:30 një takim me shefat e Policisë së Tiranës. Në fokus të takimit kanë qenë zhvillimet e fundit rreth ngjarjes, të cilat kanë nevojë edhe për verifikime shtesë. Burime nga policia e kryeqytetit bënë me dije ditën e djeshme se po kryejnë hetime të koordinuara, për të mbledhur sa më shumë prova rreth të dyshuarve si të implikuar në vrasjen e Artan Santos. Klodian dhe Saimir Gjozi, dy kushërinjtë nga Bubqi i Fushë-Krujës u ndaluan të enjten, pak kohë pas vrasjes në Tiranë të Santos. Dyshimet e para rreth tyre u ngritën për shkak të një motori që ata dispononin, i ngjashëm me atë të atentatorëve. E ndërsa u duk se ata ishin pa lidhje me ngjarjen, verifikimet e tjera vetëm sa shtuan dyshimet e policisë. Dy kushërinjtë kishin të çara në alibinë e tyre, ndërsa në shtëpi iu gjetën edhe disa fishekë. Ky fakt u shfrytëzua nga policia dhe prokuroria për t’i lënë ata në qeli për 15 ditë, duke fituar kështu kohë me hetimet. Por kur gjithçka po ndodhte në fshehtësi, policia deklaroi zyrtarisht se dy kushërinjtë janë të dyshuar për vrasjen e Artan Santos.
 

2

Persona të maskuar me skafandra dhe veshje të zeza lëkure ekzekutuan mëngjesin e së enjtes bankierin Artan Santo në zonën më të survejuar të Shqipërisë. Ata mundën të largoheshin deri në Fushë-Krujë, ku edhe humbën gjurmët

3

Plumba qëlluan për vdekje drejtorin ekzekutiv të bankës ‘Credins’, në shkallët e bankës së themeluar prej tij. Atentatorët u kujdesën të mos linin asnjë gëzhojë në vendin e krimit, ndërsa predhat nuk janë të identifikueshme

5

Ditë pas vrasjes së Artan Santos, policia deklaroi se i ka ngushtuar hetimet tek Klodian dhe Saimir Gjuzi, dy kushërinj nga Bubqi, me precedentë penalë në Greqi. Ata vetë deklarojnë se nuk kanë asnjë lidhje me krimin


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama