Prokuroria zbardh rolet dhe shkeljet e 10 te arrestuarve per supervjedhjen e Thesarit

Prokuroria zbardh rolet dhe shkeljet e 10 te arrestuarve per supervjedhjen e Thesarit

Dosja e bankës

 

Arka stok - Në përbërje të arkës stok në degën e Thesarit kanë qenë përgjegjësi Ardian Bitraj dhe specialistët Lavdim Cani dhe Myzejen Belba

Arka në veprim - Tek arka për veprim ishin përgjegjësi Petrit Ramohitaj dhe dy specialistët të ngarkuar me vlera, Mimoza Bruzia dhe Liliana Kola

Ngërçi - Departamenti i Emisionit u zhvendos në repartin “X” në Linzë, në janar 2013, por pas zhvendosjes nuk është nxjerrë rregullorja e re

Ardian Bitraj - Duke pasur çelësat e arkës stok dhe asaj në veprim, Bitraj ka mundur të vjedhë para të reja, por edhe ato që ishin për shkatërrim

Vjedhja e 7 milionë dollarëve

 

Dokumentet dhe filmimet zbardhin veprimet e secilit prej të dyshuarve

 

Rrethanat e shpjeguara nga Ardian Bitraj përputhen plotësisht nga konstatimet e bëra në këqyrje

Pamjet e kamerave vërtetojnë çdo veprim të Bitrajt dhe të nipit të tij, që e ndihmonte për paratë

Veprimet e Task-Forcës së prokurorisë janë përqendruar në të paktën katër çështje kryesore

Veç mekanizmit të vjedhjes, destinacionit të parave, akuza po heton edhe pasurinë e të dyshuarve

 

Prokuroria e Përgjithshme ka zbardhur të gjithë mekanizmin sesi ka funksionuar vjedhja për katër vite në Thesarin e Shtetit, duke u bazuar në dokumente dhe pamje filmike, të cilat janë gjetur gjatë dy këqyrjeve që janë bërë në ambientet e repartit “X” në Linzë. Dosja e plotë e prokurorisë tregon qartë rolin e secilit prej dhjetë të arrestuarve për skandalin më të madh të Bankës së Shqipërisë, ku nëntë prej tyre janë nëpunës të Departamentit të Emisionit të kartëmonedhës, dhe i fundit i afërm i njeriut kyç në këtë histori, Ardian Bitrajt.

 

Dosja e plotë për BSH-në

 

Nga veprimet e prokurorisë është provuar se Banka e Shqipërisë, aktualisht funksionon në katër ambiente, një ndër të cilat është në Linzë, Tiranë. Këtu gjendet Departamenti i Emisionit, i cili përfshin disa sektorë, ndërmjet tyre, arka stok, dhoma transit dhe arka për veprim. Arka stok është një ambient magazinimi në Bankën e Shqipërisë, ku depozitohen fondet e gatshme për t’u hedhur në qarkullim, pra kartëmonedhë e re, e pahedhur më parë në qarkullim. Këto para vijnë nga kompanitë prodhuese të huaja, me të cilat Banka e Shqipërisë ka lidhur kontrata për prodhimin e prerjeve të ndryshme të lekut. Në përbërje të arkës stok kanë qenë përgjegjësi Ardian Bitraj dhe specialistët Lavdim Cani dhe Myzejen Belba. Arka stok furnizon me fonde arkën për veprim, e cila është në të njëjtin departament me të. Në përbërje të arkës për veprim kanë qenë po tre punonjës; përgjegjësi i zyrës, Petrit Ramohitaj dhe dy specialistët të ngarkuar me vlera, Mimoza Bruzia dhe Liliana Kola. Të tre këta formojnë treshen e ngarkuar me vlera, ashtu si tek arka stok. Të dy arkat përfshihen brenda Departamentit të Emisionit. Arka për veprim, gjatë ushtrimit të aktivitetit të saj, seleksionon dhe nxjerr nga tregu si të dëmtuara, çdo ditë fonde të sasive të caktuara të lekut.

 

Përgjegjësi Ardian Bitraj

 

Nga hetimi është provuar se i arrestuari Ardian Bitraj ka qenë i punësuar pranë Bankës së Shqipërisë, në detyrën e përgjegjësit të arkës stok, që gjendet pranë Departamentit të Emisionit. Gjatë ushtrimit të detyrës së tij, ai dyshohet se ka përvetësuar shuma të mëdha parash, veprime të cilat, sipas deklarimit të tij, i ka filluar qysh prej vitit 2010 e deri në ditën kur është depozituar kallëzimi penal. Personi nën hetim, Ardian Bitraj, i cili ka qenë i ngarkuar me administrimin e vlerave monetare që disponoheshin pranë arkës stok dhe asaj për veprim, gjithashtu ka përvetësuar vlera monetare edhe prej arkës stok në kartëmonedha të dëmtuara, të cilat, sipas urdhrit të administratorit përkatës së Bankës së Shqipërisë, duhet të asgjësoheshin. Në lidhje me faktin është pyetur si deklarues e në vijim si person nën hetim Ardian Bitraj, i cili ka pranuar faktin penal, pra se ka vjedhur shuma parash në vendin ku ishte përgjegjës për ruajtjen dhe administrimin e tyre, si dhe ka shpjeguar në detaje si e ka realizuar vjedhjen.

 

Verifikimi i dëshmisë

 

Nga procesverbali i këqyrjes së vendeve i datës 22.07.2013, konkludohet se rrethanat e shpjeguara nga personi nën hetim Ardian Bitraj, përputhen plotësisht nga konstatimet e bëra në këqyrje. Po kështu, me procesverbalin e sekuestrimit të datës 22.07.2014, janë sekuestruar gjurmë që kanë lidhje me veprën penale, si edhe pamjet filmike të Departamentit të Emisionit. Nga deklarimet e shtetases nën hetim Mimoza Bruzia, me detyrë specialiste e arkës për veprim, pranohet fakti se ka pasur dijeni se Ardian Bitraj vidhte shumë parash në arkën për veprim, por nuk e ka kallëzuar këtë fakt.

 

Kamerat dhe pesë punonjësit

 

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, që filmonin ambientet e brendshme të godinës së Thesarit, ka rezultuar se Ardian Bitraj, gjatë orarit të punës dhe konkretisht në disa data të dokumentuara në këqyrje, ka hapur i vetëm derën kasafortë të zyrës stok (transit). Ky veprim i tij është në kundërshtim me udhëzimin nr. 741, datë 28.03.2014 “Mbi administrimin dhe përdorimin e çelësave dhe kodeve numerikë të dyerve në Bankën e Shqipërisë”. Sipas këtij udhëzimi, konkretisht neni 5, pika 2 “përdorimi dhe administrimi i çelësave aktivë dhe kodeve të kombinatorëve numerikë”, çelësat e dhomës së transitimit përdoren dhe administrohen nga të ngarkuarit me vlera në Departamentin e Emisionit.

 

Më tej, në pikën 3, germa “c” përcaktohet se: Çelësat e dhomës së transitimit, të mbyllur në pliko të veçantë, depozitohen dhe ruhen në kasafortë në arkën për veprim. Treshja e arkës për veprim, Petrit Ramohitaj, Mimoza Bruzia dhe Liliana Tusha (Kola) vendosin plikonë në kasafortë brenda mjediseve të dhomës kasafortë të arkës për veprim dhe çelësat e kësaj kasaforte vendosen në modulin e menaxhimit të çelësave.

 

Referuar pamjeve filmike, procesverbalit të këqyrjes së tyre si dhe deklarimeve të Ardian Bitrajt, në cilësinë e përgjegjësit të arkës stok, ka rezultuar se kjo procedurë nuk është zbatuar dhe kjo ka sjellë për pasojë që Ardian Bitraj të përfitojë nga kjo situatë dhe të përvetësojë shuma të mëdha parash. Fakti që Ardian Bitraj ka hapur i vetëm derën kasafortë të arkës stok, tregon se nga ana e treshes të ngarkuar me vlera, si në arkën stok, ashtu dhe në arkën për veprim, nuk është zbatuar rregullorja përkatëse nr. 741, datë 28.03.2014.

 

Nga pamjet filmike pasqyrohet fakti se, pas mbylljes së derës kasafortë në arkën stok (transit), nga ana e treshes së arkës për veprim, të arrestuarve Petrit Ramohitaj, Mimoza Bruzia dhe Liliana Tusha nuk janë marrë në dorëzim çelësat e derës, duke i lënë ato në duart e të arrestuarit Ardian Bitraj, i cili në momente të caktuara shkon i vetëm dhe hap derën kasafortë në arkën stok, duke marrë sasi të mëdha parash.

 

E njëjta shkelje është konstatuar edhe për dy specialistët e arkës stok, të arrestuarit Lavdim Cani dhe Myzejen Belba, të cilët pas mbylljes së derës kasafortë ia kanë lënë çelësat e tyre Ardian Bitrajt, edhe pse udhëzimi përkatës i detyronte ata të depozitonin çelësat në kasafortën e arkës për veprim.

 

Takimi me nipin e Bitrajt

 

Gjithashtu nga hetimet e zhvilluara është provuar se nga procesverbali i këqyrjes së pamjeve filmike, në Departamentin e Emisionit të Bankës së Shqipërisë të datës 30.07.2014, ka rezultuar se më datë 15 dhe 16 korrik 2014, personi nën hetim, Klevis Bejtaj, ka shkuar me automjetin e tij tip “Benz” me targë TR xxxx M pranë godinës së Departamentit të Emisionit të Bankës së Shqipërisë dhe është takuar me personin nën hetim Ardian Bitraj. Ky i fundit, para se të nisej te makina e Klevis Bejtajt, ka shkuar te kasaforta, ku depozitonte paratë dhe më pas është drejtuar për në automjetin që drejtohej nga Klevis Bejtaj. Ky i fundit rezulton se është nipi i Bitrajt. Nga deklarimet e Klevis Bejtajt pranohet fakti se ka qenë me automjetin e tij afër godinës së Departamentit të Emisionit në Bankën e Shqipërisë, ku ka takuar Ardian Bitrajn. Gjithashtu Klevis Bejtaj pranon faktin se ka qenë në dijeni të vjedhjes së Bankës nga ana e Ardian Bitrajt rreth një javë para arrestimit të tij, por nuk ka kallëzuar në organet kompetente. Duke analizuar sa më sipër aktet e administruara, rezulton se Klevis Bejtaj me veprimet e mosveprimet e tij ka konsumuar plotësisht elementet e figurës së veprës penale të “moskallëzimit të krimit”.

 

Rregulloret për Thesarin

 

Nga procesverbalet e marrjes së provave materiale, në lidhje me dokumentacionin ligjor (aktet ligjore e nënligjore, vendime, urdhra dhe udhëzime) që ka funksionuar Departamenti i Emisionit në Bankën e Shqipërisë, konkludohet se është zhvendosur në repartin “X” në Linzë, në janar 2013. Në përbërje të tij funksionojnë krahas të tjerave, edhe të ngarkuarit me vlera në arkën për veprim dhe në arkën stok. Në këtë departament është shtuar edhe dhoma transit. Por pavarësisht se kanë vazhduar funksionimin si arka për veprim, arka stok dhe dhoma transit, organizimi i punës në këto tre arka nuk është shoqëruar me miratimin e akteve nënligjore, si udhëzime apo rregullore, por ka vazhduar me rregulloret e vjetra, e konkretisht me vendimin e këshillit mbikëqyrës nr. 04, datë 16.01.2012 “Për organizimin dhe funksionimin e Departamentit të Emisionit”, si dhe udhëzimit nr. 1798, datë 06.11.2001 “Mbi përdorimin e çelësave të arkave me vlera monetare”. Siç konstatohen, këto akte nënligjore nuk e kanë rregulluar funksionimin e Departamentit të Emisionit, e si rezultat i mungesës së këtyre akteve, është bërë vjedhja e shumave të mëdha në Bankën e Shqipërisë.

 

Drejtori Dorian Çollaku

 

Urdhri Nr. 1798, datë 06.11.2001 i Bankës së Shqipërisë, mbi bazën e të cilit ka funksionuar Departamenti i Emisionit deri në datë 28.03.2014 (dalja e udhëzimit Nr. 741), flet për çelësa “dublikatë” dhe jo për çelësa “aktivë”. Siç shihet, ky udhëzim nuk rregullon asnjë procedurë mbi përdorimin dhe administrimin e çelësave aktivë dhe kodeve të kombinatorëve numerikë. Për sa më sipër, provohet se Departamenti i Emisionit nga data 01.01.2013 deri në datë 28.03.2014, në kohën që drejtohej nga Dorian Çollaku, ka funksionuar pa udhëzime e rregullore konkrete. Bazuar në vendimin e Këshillit Mbikëqyrës Nr. 13, datë 22.02.2006, “Për miratimin e rregullores për nxjerrjen e akteve juridike”, në nenin 5 të tij parashikon përgjegjësinë e Departamentit të Emisionit për hartimin e projektrregulloreve dhe projektudhëzimeve për funksionimin e këtij departamenti. Mbi bazën e këtij vendimi, personi nën hetim, i arrestuari Dorian Çollaku, duhej të përgatiste aktet nënligjore të funksionimit të arkave me vlera monetare pranë këtij departamenti.

 

Urdhrat e Këshillit Mbikëqyrës

 

Në datë 28.03.2014, nga ana e Këshillit Mbikëqyrës, mbi propozimin e Departamentit të Emisionit, është miratuar rregullorja Nr. 741 “Mbi administrimin dhe përdorimin e çelësave dhe kodeve numerike të dyerve në Bankën e Shqipërisë”. Ky udhëzim, konkretisht neni 5, pika 2, ndër të tjera përcakton se “përdorimi dhe administrimi i çelësave aktivë dhe kodeve të kombinatorëve numerikë”, çelësat e dhomës së transitimit përdoren dhe administrohen nga të ngarkuarit me vlera në Departamentin e Emisionit. Nga këqyrja e arkës për veprim më datë 22 korrik 2014, si dhe me datë 4 gusht 2014, rezulton se në këtë ambient nuk gjendet kasafortë apo objekt për vendosjen e plikos së çelësave të arkës transit dhe stok. Mosmarrja e masave për krijimin e kushteve në zbatim të udhëzimit Nr. 741, datë 28.03.2014, ngarkon me përgjegjësi direkte drejtorin e Departamentit të Emisionit, Dorian Çollakun.

 

Referuar pamjeve filmike, procesverbalit të këqyrjes së tyre, si edhe deklarimeve të Ardian Bitrajt, në cilësinë e përgjegjësit të arkës stok, deklarimeve të Petrit Ramohitajt, në cilësinë e përgjegjësit të arkës për veprim, ka rezultuar se kjo procedurë nuk është zbatuar dhe kjo ka bërë që Ardian Bitraj të përfitojë nga kjo situatë dhe të përvetësojë shuma të mëdha parash. Siç është provuar nga hetimi, si në arkën stok ashtu edhe në arkën për veprim, janë kryer vjedhje në vazhdimësi të shumave të mëdha monetare, vjedhje këto që kanë ardhur si rezultat i mosfunksionimit të organizimit të brendshëm të Departamentit të Emisionit që drejtohej nga Dorian Çollaku. Po ashtu, Dorian Çollaku ka pasur për detyrë të miratonte manualet e vendit të punës për çdo punonjës, por edhe kjo nuk është realizuar prej tij. Nga analiza e fakteve dhe provave të administruara deri në fazë të hetimit, është urdhëruar ndalimi dhe më pas është vendosur nga gjykata masa e sigurimit personal “arrest me burg” për dhjetë persona, ndër të cilët nëntë janë punonjës të Thesarit, ndërsa i dhjeti është nipi i autorit të vjedhjes së 700 milionë lekëve.

 

Të arrestuarit

Ardian Bitraj, 45 vjeç, me detyrë përgjegjës i arkës stok në Departamentin e Emisionit në Bankën e Shqipërisë, i dyshuar për “vjedhjen e kryer, duke shpërdoruar detyrën”

Mimoza Bruzia, 42 vjeçe, me detyrë specialiste e arkës për veprim në Departamentin e Emisionit në Bankën e Shqipërisë, e dyshuar për “shpërdorim të detyrës” dhe “moskallëzim krimi”

Dorian Çollaku, 37 vjeç, me detyrë drejtor i Departamentit të Emisionit në Bankën e Shqipërisë, i dyshuar për “shpërdorim të detyrës”

Bashkim Xhilaga, 63 vjeç, me detyrën e kontrollorit mbikëqyrës në Departamentin e Emisionit në Bankën e Shqipërisë, i dyshuar për “shpërdorim të detyrës”

Petrit Ramohitaj, 60 vjeç, përgjegjës i arkës për veprim, në Departamentin e Emisionit në Bankën e Shqipërisë, i dyshuar për “shpërdorim të detyrës”

Lavdim Cani, 47 vjeç, me detyrë specialist i arkës stok në Departamentin e Emisionit në Bankën e Shqipërisë, i dyshuar për “shpërdorim të detyrës”

Myzejen Belba, 47 vjeçe, me detyrë specialiste e arkës stok në Departamentin e Emisionit në Bankën e Shqipërisë, e dyshuar për “shpërdorim të detyrës”

Liliana Tusha, 44 vjeçe, me detyrë specialiste e arkës për veprim në Departamentin e Emisionit në Bankën e Shqipërisë, e dyshuar për “shpërdorim të detyrës”

Dhimitër Davidhi, 57 vjeç, vëzhgues operator në Departamentin e Emisionit në Bankën e Shqipërisë, i dyshuar për “shpërdorim të detyrës”

Klevis Bejtaj, 27 vjeç, i dyshuar për “moskallëzim të krimit”, nipi i Ardian Bitrajt


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama