Prometeu dhe Herakliu

Prometeu dhe Herakliu
Pavarësisht sesa do vlerësohej një konstatim i hedhur nga një studiues modest, përfshirja ende e mitologjisë së pjesës së gadishullit ilirik (të pjesës së deteve Jon–Adriatik, me fiset pellazgo-epirote-ilire-albane-adriane-dalmate-dardane etj.), si pjesë integrante e mitologjisë greke e romake, pa bërë një ndarje e specifikim të qartë, mbetet një e metë e madhe shkencore, një inerci tashmë e papranueshme, të cilën Akademia e Shkencave të Shqipërisë duhej ta kishte diferencuar dhe përgatitur me kohë.

Sot njihet mirë e pranohet se, në funksione pushtuese, hegjemoniste skllavopronare heleno-centriste dhe më vonë romano-centriste, autorë e redaktorë antikë helenë e romakë, kishin bërë edhe rregullime, modifikime, imitime, përvetësime dhe identifikime gjithfarësh. Madje, duke pretenduar edhe se po modernizonin, apo se po pastronin “Stallat e Augiasit” nga gjithfarë barbarish primitive, shpeshherë disa nga autorët helenë e romakë, në vend “që t’u vinin vetulla i kishin nxjerrë sytë”, duke ua këputur e devijuar fillin plot pjesëve nga origjinalitetet e lashta, disa mitologjive pellazge etj.


Herakliu po çliron titanin Prometeu. Pikturë në enë krater gjetur në Atika,
shekulli VII p.e.r., ruhet në Muzeun Nacional Arkeologjik të Athinës. (P. Grimal,
“Enciclopedia dei Miti”, bot. 1990, f. 232; po aty edhe fotoskanimet e tjera.)

Është e papranueshme që nxënësve shqiptarë të shkollave fillore e të mesme t’u mësohen gjenezat e mitologjive orientale, gjenezat dhe gjenealogjitë biblike e kuranike dhe të mos dinë asgjë nga mitologjia autoktone e gadishullit, nga mitologjitë për qytetet e tyre etj!

Kemi shkruar për mitologjinë pellazge të gadishullit tonë, për Gjenezën, me Pellazgun birin e Zeusit dhe Niobës, gruas së parë të vdekshme të Tokës, pastaj për fiset me Fthiun dhe Pellazgun, birin e Poseidonit e Larisës, kemi shkruar për gjigantët bijtë hyjnorë, që u bashkuan e u shumuan me bijat e bukura të njeriut etj. Kemi shkruar për mitologjinë e “Përmbytjes së Madhe”, ku Deukalioni dhe Pirra, mbasi shpëtuan me arkën e tyre filluan të rishtonin e popullonin gadishullin me tribunë e tyre, siç na transmetohet nga disa autorë si Thukididi, Diodori, Dionisi i Halikarnasit, Plutarku etj.



Për Deukalionin thuhej nga mitologjia e lashtë se, ishte një bir i Prometeut dhe i Klymenës së Oqeanit. (“Antiquitatum Romanorum”, Lib. I, 17, 1, 2, 3.)

“Arkadët thonë se i pari që lindi mbi këtë tokë ishte Pellazgu Hyjnor. Dhe meqë Pellazgu u bë Mbret, nga ai edhe vendi e mori emrin Pellazgi”. (Pausania, Arkadia, Libri VIII, 1, 4 e 6.)

“Duke sjellë një peshqesh të bukur, Toka lindi së pari Pellazgun Hyjnor, shumë kohë më parë se të lindte Hëna.” (Pindari, Karmina, Fragmenta Selekta, I, 240.)

“Thuhet se banorët e parë të Italisë ishin Pellazgët”. (Virgjili, “Eneida”, VIII, v. 602-603.) Këndej edhe etimologjia bëhet më konkrete PellasGjeas = Piedhdheeas nga Dheu/Gjeas/Toka.



Tashti le të merremi konkretisht me temën e shkrimit, me një trajtim të shkurtuar. Prometeu, i racës së gjigantëve hyjnorë, ua vodhi zjarrin perëndive politeiste qiellore dhe ua dhuroi njerëzve tokësorë, për të përmirësuar jetën e tyre. Pra, me një farë mënyre, ndonëse primitive, mendimi i foshnjërisë njerëzore, për “epokën e zjarrit” e kishte shprehur atë hop gjigant cilësor që njerëzimi bëri me zbulimin dhe përdorimin e zjarrit, për ngrohje, për gatimin e ushqimeve dhe për zhvillimin dora-dorës të profesionit të poçarisë dhe arteve që lidheshin me të. Për këtë “mëkat të vjedhjes së zjarrit”, Zeusi e ndëshkoi Prometeun, duke e lidhur në një nga majat e Kaukazit në Skithi/Skiptia, ku një shqiponjë i hante mëlçinë.



Gjysmë tokësorit dhe gjysmë qiellorit, eksploratorit Herakli, i dhimbset Prometeu, dhe kështu vendos të sfidojë edhe vendimet e Zeusit “mëshirëmadh e tekanjoz”. Mbasi është ngjitur në një nga majat e malit të Kaukazit, Herakliu ka gjuajtur me shigjeta edhe shqiponjën e shenjtë, besniken e Zeusit, duke arritur ta çlirojë titanin Promete, të lidhur. Me këtë figurë të Prometeut kemi si ta shprehim Jezu Krishtin e parë të gadishullit tonë.

Është mjaft i kuptueshëm për ne ky veprim i dy heronjve tepër të lashtë, të cilët duke ndërhyrë me heroizëm deri në vetëmohim, ndërmjet qiellit e Tokës, kundër padrejtësive e tekanjoziteteve të perëndive, pjesë-pjesë u përpoqën t’ia pakësojnë e lehtësojnë vuajtjet species inteligjente tokësore, për të cilën Herakliti antik thoshte: “Njerëzit janë Zota të vdekshëm, ndërsa Zotat janë njerëz të pavdekshëm”.

Ky motiv mitologjik ka shërbyer për tragjedinë e famshme të Eskilit, “Prometeu i lidhur”, dhe ka frymëzuar sa e sa breza shkrimtarësh dhe piktorësh, ndër ta edhe poezinë e famshme të Gëtes, “Prometeu”.

Në këtë pikturë të mahnitshme, në një enë krater, vërejmë sesi të lashtët i ndiqnin me vëmendje rrugët qiellore të shpendëve shtegtarë stinorë, siç ishin patat, rosat, lejlekët, dallëndyshet etj. Herakliut ia ka treguar rrugën një patë dhe ai me një “kupë fluturuese të diellit” ka arritur në majën e Kaukazit. Piktori antik, me sa duket kishte njohuri për hipotezën se, Toka ishte sferike dhe qëndronte në ajër. (Krhs. Librin e Jobit, III, 26, 7 e 8.)

Duke i paraqitur yjet e vegjël si burime gjeneruese drite, me një farë mënyre ky piktor shprehte supozimin gjenial të Leukipit se midis yjeve ka botë me gjallesa dhe po ashtu shprehte supozimin gjenial të Demokritit se, yjet ishin diej të ndezur dhe “Kashta e Kumtrit na dërgon dritën e bashkuar të një sasie gjigante yjesh të largët”.



Nga burimet e shkruara të cituara, edhe nga trajtimet tona, ne e kemi shprehur hipotezën se, Aleksandri i Madh dhe Pirrua i Epirit, kishin tentuar të ndiqnin “gjurmët e Herakliut”, njëri nga lindja dhe tjetri nga perëndimi, që do të thotë se, ata kishin njohuri për rrugëtimet e lashta të pararendësve të tyre. Një informatë interesante jep Diodori i Sicilisë, i cili shkruante: “Pirrua i Epirit, mbasi i kishte mundur kartagjenasit duke ua marrë pothuajse të gjitha portet e Sicilisë, kishte grumbulluar një flotë të madhe. Pirrua synonte të hidhej nga Sicilia për të pushtuar Libinë, duke “ndjekur gjurmët e Herakliut”. (Exerpt. Hoeschel, f 497-499, cit, sip. “Ilirët dhe Iliria në autorët antikë”, 1965, f. 146-147.)

Gadishullorët tanë të lashtë e kishin hedhur hipotezën se, duke shkuar nga perëndimi arrihej në lindje ose anasjelltas, “duke ndjekur gjurmët e Herakliut”. (Krhs. Platonin dhe egjiptianët e lashtë për Atlantidën; Lukiani, shek. II, “Vep. të Zgj.”, “Një histori e vërtetë”, kontinenti Atlantida dhe bota sferike, bot. 1979, f. 414-454.)

Nga burimet e shkruara informohemi për gjurmët e argonautëve dhe albanëve shoqërues të Herakliut, mësojmë se Herakliu me ekuipazhin e argonautëve kishte lundruar e eksploruar deri “në mjegullën e veriut në fund të botës”, domethënë deri te fundi i Adriatikut. Kur Herakliu dhe ekuipazhi i tij vendosën të shkonin në “fundin e botës ku dielli perëndon”, te ngushtica e Gjibraltarit, ai nuk e dinte rrugën që të çonte deri atje. Nimfat lumore të Epidamnit/Dyrrahit, ia treguan Herakliut se, “sekretin e asaj rruge e dinte Plaku i Detit Nerreu/Forkyni, i cili banonte në një shpellë nënujore detare andej nga Deti Jon, bashkë me bijat e tij Nereida dhe Oqeanina”. Pra duhet ta kuptojmë se, rrugën deri te ish “Shtyllat e Melkartit” sipas mitologjisë fenikase, ia treguan shkolla detare e Epidamnit dhe e Feakisë së Korfuzit. (Apollodori, “Biblotheca”. Lib. II, 114 etj.; shih më hollësisht P. Grimal, “Enciclopedia dei Miti”, bot. 1990, f. 231-232 dhe f. 442-443.)

Kështu merr edhe kuptimin e plotë se, përse Gerionin e Epirit, me gjithë shqiponjën dhe qenin e tij, do ta gjejmë të degdisur e të syrgjynosur nga mitologjia e rregulluar helene, atje te “Shtyllat e Herakliut”.

Me një interes të jashtëzakonshëm për etnografinë, për autoktoninë e banorëve evropoidë të gadishullit tonë, për pellazgologjinë, ilirologjinë e epirotologjinë, janë veshjet e Herakliut dhe Prometeut, të cilat siç mund t’i shohim edhe me sy të lirë, janë veshje tipike të malësorëve albanë-shqiptarë, veshje tirqe shajaku leshi, të cilat rezistuan masivisht deri në mesin e shekullit XX e madje mbijetojnë edhe sot.

Për sa i përket formës së shqiponjës, me gjallëri jetësore e krahëhapur cep më cep, duhet të theksohet se, fillimisht ky ishte një tipar dallues i shkollës së lashtë të gadishullit tonë Helladik/Ilirik. Do të thoshim se hapja e krahëve nuk ka qenë ndonjë tipar origjinal dallues i shqiponjave të kopjuara sllave mesjetare, sikurse është deklaruar edhe ndonjë autor shqiptar bashkëkohor që mbahet edhe si ekspert!

Në “Iliada”, Homeri e theksonte:
“Mbretin e shpezëve, shkabën e rrufeshme,
t’murrmen gjahtare që e quajnë edhe zeshkane,
më ogurmirën, me krahë hapur cep-cep,
Zeusi e do me shpirt më fort se çdo shpez tjetër…
(Iliada, përkth. shqip 1979, K. XXIV, v, 359-394, f. 436-437.)

Sot njihet se, Herakliu ka qenë një personazh i legjendës mitologjike të Epidamnit, por si një pjesëmarrës i një gjenerate, mbas themelimit të parë nga barbari pellazg Epidamni Kokë/Epër/Mbi Demi. Herakliu erdhi në Epidamn/Dyrrah, si një aleat ndihmues për Dyrrahun, në luftën ndërmjet vëllezërve ilirë, me kusht që të merrte një pjesë të tokës dhe portit etj. Konkretisht në këtë “vëllazërimin Dyrrah-Herakli”, autorët tanë e kishin neglizhuar krejtësisht atë pjesë të tregimit mitologjik, ku flitej për luftërat e hershme të brendshme para kolonizimit helen, midis vetë fiseve ilire, simbolizuar mitologjikisht si “lufta e vëllezërve ilirë të Dyrrahut”. Tek autori antik Diodori, konstatohej se këto luftëra legjendare të vëllezërve ilirë, me bazë Epidamnin/Dyrrahun ishin kthyer edhe si proverbiale në tërë botën antike mesdhetare me një tregim-figurë mjaft të spikatur: “Epidamnasit banonin në brigjet e Adriatikut dhe ishin në luftë të vazhdueshme me njëri-tjetrin; ata hodhën në det një tok me hekura të skuqura dhe u betuan se nuk do t’u jepnin fund luftërave, derisa t’i nxirrnin ata hekura (spiranca anijesh A.L.) nga deti përsëri të skuqura”. (Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë”, bot. 1964, “Diodori, Fragmente, Excerpt. Vatican. F. 17-18.)

Njihet gjithashtu edhe se, Hylli, i biri i Herakliut me Melitën, ka qenë si një bazileus i fiseve ilire-epirote Hylleis, në zonën e Mallakastrës dhe në Dorida. Fiset doriane e pretendonin Herakliun si një ekskluzivitet të tyre, ku me anën e mitologjive neoheraklidiane pretendonin edhe avantazhe pronësish e sovranitetesh tokësore etj. (Ne kemi shkruar me kohë një studim të gjatë për këto tema.)

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama