“Fiks-Fare”, pasi ka siguruar listën e kryefamiljarëve që trajtohen me ndihmë ekonomike në Bashkinë Kamzë, ka zbritur në terren, duke kontaktuar me personat që marrin ndihmë ekonomike dhe që kanë biznese, të cilat duket se janë të padeklaruara, pasi ligji e ndalon të trajtohen me ndihmë ekonomike familjarët që kanë biznese. Gazetarët, pas njohjes me listën dhe abuzuesit, kanë biseduar me pronarët e bizneseve, duke mësuar prej tyre edhe emrat që ishin në listën e ndihmës ekonomike.
Jo shumë larg nga kryqëzimi i Bathores me rrugën e Zall-Herrit, gazetarët kanë kontaktuar me bashkëshorten e një pronari të një thertoreje dhe parukerie. Bashkëshortja e pronarit të banesës ka treguar se kishte mbi një vit që kishte ngritur biznesin. Ajo ka treguar bagëtitë që thereshin në dyqanin e saj, që i blinte bashkëshorti, i cili e kryente pazarin një herë në javë. Ndërkohë që nga verifikimi i gazetarëve, në listën e ndihmës ekonomike rezultonte edhe emri i pronarit të dyqanit të mishit dhe i parukerisë, Lazam Karrashi, i cili përfiton në muaj ndihmën ekonomike prej katër mijë lekësh.
Rreth 500 metra nga lokali i Lazam Karrashit, është ngritur një lokal, ku kati i dytë është bar, ndërsa katin e parë, pronari Besnik Mata ka vendosur ta japë sërish me qira. Gjatë bisedës me gazetarët, Mata ka treguar se ishte ai pronari i objektit. Po ky person trajtohet me ndihmë ekonomike nga Bashkia Kamzë me 4 mijë lekë të reja në muaj.
Pak metra më lart, një tjetër objekt është dhënë me qira. “Fiks Fare” ka zbuluar se Rifat Shehu kishte ngritur një dyqan para shtëpisë së tij dhe e kishte ndarë në tri pjesë. Për të tria ambientet merr qira mujore. Një nga shitëset që e kishte marrë me qira njërin nga objektet u ka treguar gazetarëve se çdo muaj ajo paguante nga 20 000 lekë qira, por ka hezituar të tregonte emrin e pronarit. Një shitës tjetër ka treguar se objekti i dhënë me qira është i Rifat Shehut, i cili trajtohet me ndihmë ekonomike në Bashkinë e Kamzës me 4 mijë lekë në muaj.
Në kërkim të pronarëve të bizneseve që trajtohen me ndihmë ekonomike, “Fiks Fare” ka zbuluar se Hydajet Marku, i cili kishte në pronësi një lokal, kishte për të dhënë me qira edhe dy ambiente të tjera.
Kamerieri i lokalit ka treguar për gazetarët se Hydajeti kishte edhe një pikë shitjeje mermeri. Për të parë këtë, gazetarët kanë kontaktuar vetë me Hydajetin, i cili fillimisht ka mohuar emrin e tij, duke u thënë gazetarëve se quhej Mark. Pas insistimit të gazetarëve, pronari i pikës së mermerit ka deklaruar se quhet Hydajet Marku dhe se është me origjinë nga fshati Reç i Dibrës. Ka punuar 19 vite në emigracion dhe ka ngritur bizneset e tij, një lokal ku ka të punësuar familjarët, ndërsa për ngritjen e pikës së tregtimit të mermerit ai ka investuar plotë dyqind milionë lekë.
Në listën e ndihmës sociale të Bashkisë së Kamzës, figuron si e papunë dhe trajtohet me ndihmë nëna e tij, zonja Lirie Marku.