Ka mjaftuar publikimi i pamjeve të një aksioni të policisë në Fushë-Krujë duke arrestuar një grup kriminal, për të ndezur gjakrat në median shqiptare. “News 24”, “Ora News” dhe “ABC News”, kanë reaguar së bashku pas publikimit të pamjeve të aksionit nga A1 Report, duke akuzuar Ministrinë e Brendshme për shpërndarje të lajmeve në mënyrë selektive, duke prishur kështu edhe konkurrencën mes mediave në vend.
I prekur drejtpërdrejt nga ky pretendim, i pari reagoi redaktori i kronikës në A1 Report, Dashamir Biçaku, duke theksuar se pamjet nuk janë siguruar zyrtarisht nga Ministria e Brendshme, por nëpërmjet burimeve që kanë gazetarët në radhët e policisë.
“U bëjmë më dije kolegëve dhe dashamirësve të mediave të tjera, se dhënia e lajmeve në menyrë të shpejtë e të saktë, nuk bëhet domosdoshmërisht nëpërmjet kanaleve zyrtare të informacionit. Mjafton pak deshirë për punë”, shpjegon ai në Facebook.
Por kur u duk se debati do të mbyllej me një shpjegim të thatë të Ministrisë së Brendshme, ai është ndezur edhe më tepër në mbrëmjen e 17 marsit, ku nëpërmjet një editoriali të botuar në Shqiptarja.com, pronari i “A1 Report”, Carlo Bollino, hedh akuza të rënda ndaj pronarëve dhe drejtuesve të “News 24”, “Ora News” dhe “ABC News”.
“Merita është e redaksisë sonë që arriti të gjejë pamjet para konkurrentëve, një garë që ndodh çdo ditë në të gjitha redaksitë e botës. Në të gjitha kohërat një gazetar synon të ketë pamje para të tjerëve, por rregullat profesionale mes gazetarëve shqiptarë, mesa duket nuk vlejnë dhe kështu tre TV xheloze të skupit ( NEWS24, ABC dhe Ora News) ndërmorën një sulm befasues politik kundër Ministrisë së Brendshme, duke e akuzuar për “informacion selektiv”, shpjegon ai.
Bollino e rëndon gjuhën në fund të editorialit të tij duke thënë: “Nëse policia “furnizoi” pamjet në A1 Report, kush i'a dha dje ABC dokumentin e plotë të policisë përmes të cilit akuzohet deputeti Mark Frroku se ka fshehur në makinën e tij një trafikant droge?
Kush ja dha News24 pamjet e atentatorit të babait të Sajmir Tahirit që largohej me biçikletë? Por edhe pse është zgjedhur Ylli Ndroqi, Konsull (nderi) i Meksikës dhe jo i Turqisë? Me çfarë parash Armand Shkullaku ka blerë supervilën e tij milionere? Si u financua (dhe nga kush) operacioni për blerjen e News24? Si lindi ABC dhe vetë Ora News? Sa dhjetëra mijë euro para publike merr ne muaj nga OSHEE, Ylli Rakipi? Etj, etj. Ndoshta, pas dekriminalizimit të politikës, ka ardhur momenti i dekriminalizimit të medias”.