Sytë të nxirë, dhëmbë të thyer dhe fraktura në fytyrë. Turisti Gunther Van Eyck thotë se këto janë pasojat e përballjes me pronarin shqiptar të një restoranti në Itali. 42-vjeçari belg, pronar i një kompanie që merret me riparimin e anijeve në Itali, u ka thënë medieve se është rrahur nga një shqiptar në restorantin “Casanova”.
Ngjarja ka ndodhur të martën, rreth orës 14:00, kur Eyck së bashku me bashkëshorten kanë shkuar në restorant për të drekuar. Duket se gjithçka ka nisur me ngatërrimin e porosisë. Gruaja ka kërkuar një biftek me salcë berneze, por kamerieri i ka sjellë një me piper. Eyck ka rrëfyer versionin e tij të ngjarjes, i cili është botuar në mediat italiane.
“Kamerieri pranoi se ka gabuar porosi dhe shkoi të sillte një tjetër. Dhjetë minuta më vonë, na vjen i njëjti biftek, por i pastruar në pjesën e sipërme dhe me një salcë sipër, po jo atë që kishim kërkuar. Ishte një salcë e keqe, e hidhur. Ime shoqe nuk mund ta hante. Atëherë kërkova llogarinë dhe më thanë që kushtonte 28 euro. U thashë se kjo nuk ishte korrekte dhe bifteku që më kishin sjellë nuk ishte ai që kërkoja. Kamerieri u përgjigj se në Venecia ai lloj bifteku quhej me salcë berneze. Unë kundërshtova. Në atë moment, një burrë, që mendoj se ishte pronari, më pa shtrembër.
– Mbylle, ule zërin në lokalin tim, më tha.
– Unë jam klienti, – i thashë.
– Ti nuk e di kush jam unë. Unë jam shqiptar. Dhe mund të ta pres fytin këtu, – më tha duke më bërë me dorë gjestin për këtë veprim. Më pas më gjuajti një grusht të fuqishëm në sy. Rashë përtokë. Erdhën të tjerë dhe më gjuajtën me grushte e shkelma. Nuk e di sa ishin, aq sa zgjati e gjithë kjo histori”, përfundon ai.