Brenda katër muajve të ardhshëm, qeveria shqiptare duhet të paguajë 37 milionë euro, për zbatimin e vendimeve të Gjykatës së Strasburgut, e cila u ka dhënë të drejtën pronarëve që nuk u është kthyer dhe as kompensuar prona.
Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg i kujton qeverisë së ka vetëm pesë ditë kohë për të informuar rreth zgjidhjes së çështjes së 60 pronarëve shqiptarë që kanë proces gjyqësor kundër qeverisë shqiptare në Strasburg. Pranë kësaj gjykate janë depozituar kërkesat e 413 pronarëve shqiptarë.
Reagojnë pronarët
Agim Toro, sekretar i shoqatës ”Pronësi me Drejtësi” thotë se, sipas të dhënave zyrtare, janë 413 dosje të pronarëve shqiptarë që janë pranuar për t’u shqyrtuar nga Gjykata e Strasburgut. Në ditët e para të Marsit një delegacion nga Këshilli i Evropës do të vijë në Shqipëri për të parë zbatimin e vendimeve nga qeveria për çështjet e përfunduara. “Për 8 çështje të fituara nga pronarët e Shqipërisë në Gjykatën e Strasburgut, qeveria duhet t’i kompensojë ata me 37 milionë Euro.
Për çështjet e tjera Gjykata i ka kërkuar qeverisë që të gjejë një zgjidhje paqësore, me mirëkuptim, të pranuar nga pronarët që Strasburgu të mos dalë me një vendim përfundimtar për kompensim financiar. Çështjet e fituara deri tani në Gjykatën e Strasburgut nga pronarët e Shqipërisë, të cilëve u është shkelur e drejta themelore e pronës, mund të kenë një kosto financiare prej 150 milionë Euro. Deri në qershor të këtij viti, kjo Gjykatë do të shqyrtojë “en block” 60 dosje”, thotë, Agim Toro.
“Në çështjen e kthimit të pronës është shkelur rëndë Kushtetuta e Shqipërisë, ku ka një nen që thotë, se ‘prona trashëgohet, blihet ose është e dhuruar’. Pasuritë e paluajtshme të pronarëve në këto 2 vite nuk u kthyen dhe janë në duart e atyre që nuk plotësojnë këtë nen të Kushtetutës”, deklaron Toro.
Procesi
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut i ka vënë Qeverisë shqiptare një kufi kohor deri më 5 mars të këtij viti, për të informuar rreth zgjidhjes me mirëkuptim të çështjes së 60 pronarëve shqiptarë, të cilët i kanë kërkuar nga gjykata ndërkombëtare të vendosë kthimin apo kompensimin e pronave të tyre nga shteti ynë, çka shoqërohet zakonisht edhe me penalizime të mundshme ndaj këtij këtij të fundit. Strasburgu i bën këta me dije, gjithashtu, si duhet të veprojnë nëse qeveria nuk bën përpjekje të efektshme për të gjetur rrugët e mirëkuptimit. Po qe se palët nuk bien dakord, qeverisë i është përcaktuar një afat tjetër i shkurtër për të paraqitur vërejtjet e saj, të cilat do t’u dërgohen sa për informacion pronarëve.
Gjykata njofton pronarët se në çdo rast do të kenë mundësinë që të bëjnë brenda gjashtë javëve të paraqesin vërejtjet e tyre për qëndrimin e qeverisë. Përndryshe, shkeljen e këtij afati, Gjykata Evropiane paralajmëron që do ta nënkuptonte si shprehje të humbjes së interesit të pronarëve për të ndjekur aplikimin dhe, për rrjedhojë, vendos për të hequr çështjen e tyre nga kalendari i gjykimeve në Strasburg. Vendosjen e këtyre afateve e konfirmoi edhe një Delegacion i Këshillit të Evropës, i cili vizitoi së fundmi Tiranën, duke zhvilluar edhe një takim pune me përfaqësues të Agjencisë shqiptare të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, në kuadër të shkëmbimit të ideve për ecurinë dhe përmirësimin e këtij procesi të zvarritur prej vitesh, si edhe për zbatimin e detyrave të lëna në Vendimin pilot të Gjykatës së Strasburgut, përmbajtjes së të cilit i korrespondon edhe letra që përmendëm më sipër.
Kjo kujtesë që bëhet në këto radhë, ndoshta është e vlefshme edhe në kuadër të një procesi të shpejtë drejt marrjes nga Shqipëria të statusit zyrtar të Shtetit kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Të mos harrojmë, gjithashtu, se një nga 12 objektivat që Brukseli i ka vënë për këtë qëllim Tiranës zyrtare ka qenë dhe mbetet zgjidhja e çështjes së pronës. Ky objektiv, që qeverisja e mëparshme, jo vetëm nuk e arriti, por edhe e komplikoi gjithnjë e më shumë me zvarritje të diktuara nga korrupsioni masiv, nuk i ndahet qeverisjes së re, aktuale, për të treguar brenda një kohe të shkurtër vullnetin politik të saj dhe për të shtruar teknikisht trasetë e përparimit në këtë drejtim.
Paralajmërimi i gjykatës
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut i ka dërguar ditët e fundit një letër qeverisë dhe për dijeni Shoqatave të Pronarëve, ku i kërkon të gjendet zgjidhje për kërkesat e tyre. Kjo më poshtë është një pjesë e tekstit: “Duke u bazuar në dispozitat e Konventës Evropiane të të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe duke i vështruar ato në mënyrë krijuese, sipas kohës së kaluar që nga miratimi dhe ratifikimi i tyre prej Shteteve Palë, gjithmonë me vendimet e saj e ka cilësuar ligjshmërinë thelbësore të të drejtave themelore të të cilat janë të pacenueshme, si të paravlerëshme ndaj ligjshmërisë formale. Prandaj, edhe në rastet e mëparshme, pra të 20 pronarëve nga Shqipëria, që ankoheshin ndaj shtetit të tyre, për moskthim të pronave të veta, apo moskompensim të atyre të shpronësuara gjatë viteve, Gjykata ka penalizuar shtetin shqiptar në disa milionë euro.
Derisa u penalizua edhe qeveria shqiptare nga populli i saj me rrëzim prej pushtetit në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të kaluar, sepse një nga shkaqet kryesore të korrupsionit të saj kishte të bënte direkt me mosnjohjen, harrimin dhe përbuzjen e të drejtave të njeriut, pra edhe asaj për kthimin dhe kompensimin e pronës. Si rezultat i këtij korrupsioni masiv të qeverisjes së mëparshme, në bazë të informacionit zyrtar që jep Agjencia në Tiranë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, mësohet se ndodhen ende të pashqyrtuara 7300 dosje dhe se po të vazhdohet me këto ritme llogaritet që kompensimi i pronave të pakthyera të kryhet përgjatë 151 viteve.
Kjo situatë në rendin juridik të shtetit shqiptar, i cili ka pranuar që më 1996 të bëhet Palë e Konventës Evropiane të të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, nuk e shmang Gjykatën e Strasburgut – organ i kësaj Konvente – të kërkojë me vendimet e saj zhdëmtimin e pronarëve edhe nga Shqipëria. Është shumë i rëndësishëm angazhimi i Qeverisë shqiptare për të “folur” nëpërmjet gjuhës së mirëkuptimit me pronarët – nënshtetas të saj, që pasi kanë shterur të gjitha kushtet dhe rrugët e brendshme, pa gjetur zgjidhje të çështjes së tyre, më së fundi janë ankuar në Gjykatën Evropiane”.