Ndryshimet në Kodin Civil dhe të Procedurës Civile, miratuar në maj, kanë hyrë në fuqi tani në shtator, dhe zbatimi nisi pa humbur shumë kohë. Ndryshimet prekin shumë nene, por pjesa më e rëndësishme dhe më e ndjeshme për ekonominë është ekzekutimi i kolateralit, kjo gangrenë për sektorin bankar, që solli bllokimin e kredive dhe rritjen e huave të pashlyera.
Lehtësitë lidhen direkt me vlerën e pronës së bllokuar nga banka, ndaj klientit të saj, që nuk ka qenë në gjendje të shlyejë kredinë. Me Kodin e mëparshëm, procedurat ishin burokratike, por edhe vlera e pronës që dilte në ankand nuk ishte fleksibël për të arritur çmimin optimal të shitjes së pronës.
Tani, vlera e një apartamenti, trualli, makine etj., mund të ulet deri në 50 për qind, aspekt ky tepër pozitiv që bankat të shesin pronat e mbajtura peng. Një ulje në këto përmasa, natyrisht që i sjell bankave mundësi për të hequr “qafe” pronat, të ulin nivelin e kredive me probleme dhe t’i hapin rrugë kreditimit të ri për ekonominë. Nuk janë pak, por rreth 1 miliard euro kredi të pashlyera, ku nga këto, afro 300 milionë konsiderohen të humbura, pra janë me një vit a më shumë vonesa në shlyerje.
Kështu, në rast se një pronë e sekuestruar nga banka, vlerësohet me 10 lekë, atëherë ajo del në ankand me çmim 20 për qind, më të ulët, pra 8 lekë. Në rast se në ankandin e parë, nuk shfaqet interes për pronën, atëherë zhvillohet ankandi i dytë, duke e nxjerrë me një vlerë prej 5 lekë, pra 50 për qind më ulët se fillestarja.
Shoqëritë e përmbarimit e vlerësojnë këtë masë, pasi i jep mundësi çdo kujt të blejë prona me çmime më me leverdi, por nga ana tjetër, lehtëson bankat nga “makthi” i mosekzekutimit të kolateralit. Tjetër ndryshim lidhet me afatet. Në kodin e mëparshëm, kur dikujt i bllokohej prona nga banka, atëherë ai shkonte në gjykatë për të marrë sigurinë e padisë. Kjo i jepte kohë individit për të shtyrë ekzekutimin e kolateralit nga banka përmes përmbaruesit dhe shitjes së saj në ankand, afate që shkonin me muaj. Ndërsa tani, siguria e padisë zgjat 20 ditë, afat ky që detyron gjykatësin të japë vendimin, nëse bllokimi i pronës nga banka është i drejtë apo jo.
Nga ana tjetër, përmbaruesit shprehen me shqetësim se hyrja në fuqi e Kodit Civil është shoqëruar me përplasje të ligjeve, ose më saktë mbivendosje, sa u takon rregulloreve dhe udhëzimeve për mënyrën e zbatimit të ndryshimeve. Ka paqartësi, pasi çfarë thotë një akt, nuk thotë një tjetër. Si shembull jepet paraqitja e ofertave, ku në vendimin e qeverisë thuhet se duhet të jetë me zarf të mbyllur, kurse në kod specifikohet se duhet mbajtur procesverbal për vlerën e paraqitur, pra që në momentin e ofrimit të vlerës, të jetë e dukshme.
Masat e marra erdhën si rezultat i lobimit të vazhdueshëm nga Shoqata Shqiptare e Bankave, prej më shumë se një viti, derisa Ministria e Drejtësisë aprovoi ndryshimet, duke ia përcjellë qeverisë për miratim. Aktualisht, niveli i kredive me probleme ka zbritur nën 24 për qind, sipas të dhënave për muajin korrik, por që gjithsesi vijon të mbetet problem. Bankat pothuajse kanë bllokuar kredidhënien, madje deri në atë pikë sa në 5 muajt e parë të vitit, kishte një rritje gati zero për qind.