Në konferencën e Durrësit kishte atje gjuhëtarë që kanë firmosur Kongresin por që janë pro rishikimit e rregullave për të cilat vetë rezoluta e Kongresit deklarohej e hapur për përmirësime që i kërkon gjuha veta si një organizëm që gjallon dhe zhvillohet me kohë. Nga analizat e shkencëtarëve gjuhëtarë, përfaqësues të qendrave albanologjike, instituteve të gjuhës dhe universiteteve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Italia dhe Gjermania, pjesëmarrës në konferencën shkencore treditore e organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike, dolën disa përfundime që u bënë të ditura dje në mbrëmje. Konfirmohet së pari vlefshmëria e standardit në këtë dekada, pavarësisht se i themeluar "në një epokë të ngarkuar me ideologji dhe me mungesë të lirisë shkencore".
Por, duke referuar praktikës së përdorimit të shqipes standarde, që prej vitit 1972 e deri më sot, rezulton se kjo gjuhë "ka nevojë që t'i nënshtrohet periodikisht një shqyrtimi shkencor lidhur me funksionimin e sistemit në të gjitha segmentet". Me këtë kihet parasysh shqyrtimi i disa rregulla të drejtshkrimit "me qëllim njësimin e tyre dhe shmangien e konflikteve të krijuara si pasojë e zbatimit të dy parimeve të ndryshme njëherësh (atij fonetik dhe atij morfologjik). Në mënyrë të veçantë, drejtshkrimi i zanores -ë ka nevojë për rishqyrtim."
Konferenca propozon që të rishikohet përdorimi i shkronjës së madhe, drejtshkrimi i emrave të huaj të përveçëm, si dhe drejtshkrimi i toponimeve.
Në aspektin e leksikut të standardit të shqipes, duke ditur qëndrimin që është mbajtur ndaj dialektit gegë, konferenca propozon hapjen ndaj prurjeve nga dialektet, "sidomos nga dialekti gegë dhe nga autorët e traditës letrare në këtë dialekt" dhe që të vazhdojë puna "për pasurimin e leksikut me krijime të reja sipas gjedheve fjalëformuese të shqipes, si dhe për pastërtinë ndaj huazimeve të panevojshme".
Njësim dhe kodifikim të terminologjisë në të gjitha fushat, është një kërkesë tjetër për vëmendje dhe punë të madhe që gjuhëtarët i deklarojnë gjuhëtarëve. Në pikën shtatë të përfundimeve, që ka të bëjë me sistemin morfologjik, kërkohet që rishqyrtohet formimi i shumësit të emrave, "për një saktësim të mëtejshëm paradigmatik, duke synuar njësimin dhe shmangien e përjashtimeve të shumta".
Herë pas here në diskutime për standardin është përmendur mundësia e integrimit në të të paskajores gege, gjë që gjuhëtarët e kanë renditur ndër çështjet specifike që duhen studiuar dhe shqyrtuar.
Përfundimet e fundit: Studimet dhe hulumtimet të jenë të hapura edhe në fushën e sintaksës; dhe: "Nxënia e shqipes në shkollë, në të gjithë hapësirën shqiptare, ka shfaqur vështirësi dhe probleme, ndaj propozohet përmirësimi i kurrikulave, i teksteve, i metodave të mësimdhënies, si dhe aftësimi i mëtejshëm i mësuesve të gjuhës amtare."
Konferenca miratoi krijimin e Këshillit Mbarëshqiptar për Gjuhën, me statusin e personit publik, sepse kjo Këshilli "mund të jetë një rrugë e mirë për t'u gjetur zgjidhje çështjeve të rëndësishme të politikave gjuhësore, të planifikimit të gjuhës, dhe të strategjisë për zhvillimin dhe mbrojtjen e shqipes."
Komisioni Shkencor i Konferencës i përbërë nga Prof. Dr. Ardian Marashi (kryetar) dhe anëtarët Kolec Topalli (akademik), Ethem Likaj (akademik), Prof. Dr. Imri Badallaj dhe Prof. As. Dr. Valter Memishaj, i vlerëson tepër pozitive punimet e konferencës, për frymën e debatit i cili "e pasuron mendimin gjuhësor shqiptar dhe hap perspektiva studimore e kërkimore të domosdoshme për etapën e sotme të zhvillimit të shqipes".
Mbi temën "Shqipja në etapën e sotme: politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit", gjuhëtarët referuan për historinë e formimit të standardit; problemet e tij gramatikore; problemet e drejtshkrimit dhe të pasurimit; marrëdhëniet e standardit me dialektet; standardi dhe norma letrare (letërsia, shkolla, mediat).
Në perspektivë të këtyre përfundimeve, Komisioni Shkencor i Konferencës, pohon që duhet vijuar me studime të thelluara për çështje të veçanta, si dhe duhen gjetur mënyrat dhe mundësitë që puna e nisur të vazhdojë në mënyrë periodike, në përputhje edhe me porosinë e dalë nga Kongresi i Drejtshkrimit, në të cilin u sanksionua kodi normativ i shqipes: "Struktura e sotme e gjuhës letrare është e hapët e do të mbetet e tillë. Përndryshe zhvillimi i gjuhës letrare do të ndërpritej.
Ai që ne quajmë 'kristalizimi përfundimtar i normës' në të vërtetë nuk është kurrë përfundimtar, i përjetshëm, statik; ai duhet kuptuar si vendosje e një qëndrueshmërie tipike, por relative të normës, e cila është dinamike, zhvillohet e përsoset."