Opozita fton qytetarët në marshimin paqësor para Kryeministrisë.
“T’i bëjmë paralajmërimin tonë dyshes Rama-Meta”
Partia Demokratike do protestojë sot, një javë pas publikimit të videos së emisionit “Fiks Fare”, ku studentët u filmuan duke marrë nga 2 mijë lekë në këmbim të votës së kandidatit socialist të Bashkisë së Korçës. Një ditë para protestës, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka dalë në një prononcim për mediat së bashku me disa të rinj, ku u bëri thirrje qytetarëve të dalin sot në marshimin paqësor kundër blerjes së votës. “Ajo që ndodhi në Korçë, sot një javë, është paralajmërimi ogurzi i shkatërrimit të zgjedhjeve në shkallë vendi nesër me metodën perverse dhe kriminale të blerjes së votës apo blerjes së abstenimit në zgjedhje me paratë e krimit të organizuar, mafies politike dhe ekonomike. Blerja e votës është asgjësimi i votës së lirë të qytetarëve, e barabartë me heqjen e dhomës së fshehtë nga sistemi komunist”, u shpreh lideri i opozitës në komunikimin me mediat.
Sipas tij, blerja e votës është një kambanë alarmi për vendin që ka nisur të bjerë në 23 qershor. Basha tha se dyshja që drejton maxhorancën, Rama e Meta, e kanë në projekt blerjen e votës. “Është koha për t’i bërë ne paralajmërimin tonë të vendosur dyshes Rama-Meta, që na ka paralajmëruar se e ka në gjak dhe në projekt blerjen e votës. Të mblidhemi kundër paligjshmërisë dhe arbitraritetit, para se paligjshmëria dhe arbitrariteti ta çojnë vendin në greminë. Ndaj thirrja jonë sot është: Të ngrihemi të shpëtojmë votën e lirë! Të ngrihemi të ndalojmë blerjen e votës, para se blerja e votës të ndalojë demokracinë. Të ngrihemi të tregojmë dinjitetin tonë dhe individual dhe si popull i lirë”, theksoi më tej lideri i opozitës. Sipas tij “Partia Demokratike u bën thirrje gjithë demokratëve, qytetarëve, burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave: të bashkohemi nesër në marshimin tonë paqësor të protestës për të komunikuar me fuqinë e bashkimit opozitar dhe qytetar, se: zgjedhjet e lira nuk i dorëzojmë. Liritë dhe të drejtat tona themelore nuk i japim. Demokracinë nuk e japim”.
Protesta e opozitës është parashikuar të nisë në orën 14:00 në selinë e demokratëve dhe, prej andej, protestuesit do të dalin në bulevardin kryesor të kryeqytetit, për t’u ndalur para zyrës së Kryeministrit Edi Rama. Fjalimin kryesor do ta mbajë kreu i PD-së, Lulzim Basha, ndërkohë që në foltore pritet të ngjiten disa të rinj dhe një përfaqësues i ish-të përndjekurve politikë. Gjatë ditës së djeshme, edhe ish-kryeministri Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve të jenë të pranishëm në protestën e parë të opozitës.
“Pjesëmarrja në këtë protestë është përgjegjësi dhe detyrim madhor i çdo qytetari shqiptar, i cili pavarësisht nga bindjet partiake beson te vota e lirë si vlerë themelore, pa të cilën liria dhe demokracia nuk ekzistojnë. Protesta për votën e lirë e thirrur nga Partia Demokratike është protestë për lirinë, dinjitetin dhe të ardhmen tonë europiane”, shkruan Berisha në “Facebook”. Një pjesë e madhe e deputetëve dhe ish- ministrave kanë shfrytëzuar rrjetet sociale për t’u bërë thirrje qytetarëve të jenë të pranishëm në mitingun e sotëm, i cili bëhet në të njëjtën ditë kur vendin e viziton komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule.