Protesta ne Shkup nderkombetaret apel per dialog mes etnive

Protesta ne Shkup, nderkombetaret apel per dialog mes etnive

Menjëherë mbas protestave të dhunshme që u zhvilluan në Shkup ditën e djeshme, bashkësia ndërkombëtare i bëri thirrje për qetësi qytetarëve dhe kërkoi që ata të përmbahen nga dhuna dhe të shohin dialogun si mjetin më frytdhënës për zgjidhjen e konflikit.

 

Kjo thirrje u bë nga ambasada e SHBA-ve, delegacioni i Bashkimit Evropian, OSBE dhe misioni i NATO-s në Shkup, pas protestave të dhunshme në Shkup, kundër dënimit të gjashtë shqiptarëve me burg të përjetshëm për vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit që ndodhi më 12 prill 2012. 

 

“I bëjmë thirrje qytetarëve dhe liderëve të shtetit që të bashkohen dhe në frymën e dialogut konstruktiv t`i adresohen çështjeve që minojnë mirëkuptimin reciprok dhe marrëdhëniet ndëretnike”, thuhet në komunikatën e përbashkët të lëshuar mbrëmjen e djeshme.

 

Sipas deklaratës së tyre,  të gjithë qytetarët kanë të drejtë të protestojnë dhe të shprehin pikëpamjet e tyre në mënyrë paqësore, por jo të përfshihen në akte të dhunshme. Ndërkombëtarët nënvizuan gjithashtu rolin e rëndësishëm të dialogut për forcimin e lidhjes dhe bashkëpunimit mes etnive të ndryshme:

 

“Derisa çdo incident ndëretnik apo tentim për të nxitur jotolerancë  paraqet mundësi për politizimin apo shfrytëzimin e situatës për qëllime personale apo politike, ajo gjithashtu paraqet edhe mundësi për hapjen e dialogut dhe për forcimin e lidhjeve ndërmjet bashkësive të ndryshme ndëretnike. Kjo është një mundësi që liderët të rreshtohen në emrin e një shteti të integruar që plotësisht respekton diversitetin”, thuhet në deklaratën e përbashkët. 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama