Partia Demokratike thotë se do të nisë një aksion qytetar për të kërkuar nga qeveria që të ulë çmimin e naftës.
“Partia Demokratike do të vazhdojë ta denoncojë këtë fakt dhe do të ndërrmarë një aksion qytetar për të ushtruar presionin e saj ndaj qeverisë për të rishikuar rritjen e taksave dhe uljen e çmimit të karburanteve. Përmes çdo forme demokratike në mbrojtje të interesave të gjithë qytetarëve e sidomos të atyre, të cilët pushteti i oligarkëve u bën padrejtësi,” theksoi PD.
“Maqedonia e ka çmimin 15% më të ulët. Serbia e mbërthyer nga një krizë ekonomike dhe nga një recension e ka çmimin 11% më të ulët se sa ne. Bosnja Hercegovina e ka 19% më të ulët se sa vlera që shqiptarët blejnë sot në pikat e karburantit. Të gjitha këto vende e kanë çmimin e karburanteve më të ulët sepse qeveritë e këtyre vendeve kanë vendosur mos ta vdesin ekonominë përmes rritjes së taksave. Kanë vendosur që mos ta vdesin konsumin përmes rritjes abuzive të taksave dhe arrogancës në llogaridhënie. Qytetarët e vendit tonë u duhet të shpenzojnë 10% nga të ardhurat për të paguar një litër karburant. Ndërkohë që vende si Kroacia, Bullgaria, Sllovenia, Çekia, Polonia dhe Greqia nuk e kalojnë kufirin e 5% të të ardhurave për një litër karburant,” tha deputetja e PD, Jorida Tabaku.
“Ministrat heshtin për këto të dhëna të vërtetuara ndërkombëtarisht. Qeveria nuk ka bërë asgjë, përvec rritjes së taksave, për të vërejtur këto abuzime në tregun e naftës dhe as nuk pritet të marrë masa, pavarësisht kërkesave tona të përsëritura. Duke qenë se edhe ajo po sillet si një oligarke dhe taksidare ndaj qytetarëve të pafuqishëm të vendit. Ndryshe nga cilido vend i rajonit, qeveria aktuale është përgjegjëse për 60% të çmimit që ende nuk zbret në kufinjtë e normales. Sepse është po kaq shuma që ajo i merr cilitdo prej nesh në një litër karburant përmes rritjes së taksës së qarkullimit. Ne arrijmë shifrën rekord të 1000 lekë për litër taksa!” tha ligjvënësja demokrate.