Pas protestave të dhunshme ndaj shqiptarëve të Maqedonisë, të cilët kërkojnë lirimin e personave të gjykuar me burgim të përjetshëm për rastin “Mostra”, ka reaguar për herë të parë kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski.
Ai theksoi se po i ndjek me vëmendje të madhe zhvillimet e fundit në vend, por nga ana tjetër ka deklaruar: “Ekzistojnë organizata të caktuara apo individë që ditët e fundit po përpiqen t’i hedhin benzinë zjarrit për të realizuar qëllimet e tyre”.
“Njerëz të tillë që e bëjnë këtë gjë, – vazhdoi Gruevski, – sigurisht që nuk punojnë për interesat e Maqedonisë, por as të shqiptarëve dhe as për interesat e të gjithë atyre që jetojnë në vendin tonë. Ata nuk punojnë as në interes të të krishterëve apo myslimanëve. Megjithatë, ne si shtet dhe si autoritete, kemi aftësinë për t’u përballur me ta në çdo situatë”.
Gruevski vuri në dukje se “protestat ku përdoret dhuna nuk mund të përkrahen. Protestat e qeta janë në sinkron me demokracinë”.
Në fund, Gruevski u shpreh i sigurt se Ministria e Punëve të Brendshëm e ka bërë si duhet punën e saj dhe pranoi se ka biseduar për këtë temë me partnerin e tij të koalicionit, Ali Ahmetin e BDI-së (Bashkimi Demokratik për Integrim), por pa dhënë më shumë detaje.