Protestat ne Shkup frike per trazira

Protestat ne Shkup, frike per trazira

Vetëm pak kohë pas protestave masive që kapluan Ballkanin, me theks të veçantë në Bosnjë, por edhe në Mal të Zi, dje në Shkup nisën protestat e punëtorëve të ndërmarrjeve të falimentuara, të cilët protestonin para ndërtesës së Qeverisë kundër ligjit të ri, i cili nuk parashikon dëmshpërblim për ta.

Në një intervistë, kryetarja e shoqatës së të falimentuarve, “UNIT”, Liljana Georgievska, paralajmëroi se të falimentuarit më nuk do të japin llogari për sjelljet e tyre. Në protestat e djeshme, policia ndërhyri dhunshëm, me ç’rast Georgievska u shoqërua në stacion policor, ndërsa më vonë, me intervenim të Komitetit të Helsinkut nga Maqedonia, u lirua. Por a do ta kaplojë vala e protestave edhe Maqedoninë? Eskpertët janë te mendimit se parakushtet për diçka të tillë ekzistojnë. “Në Maqedoni prej kohësh ekzistojnë të gjitha parakushtet për trazira sociale.

Të ardhurat e ulëta, sistemi i politizuar i përfitimeve sociale, përkatësisht mbrojtja jocilësore sociale e qytetarëve, të falimentuarit, varfëria dhe një sërë gjendjesh tjera janë shumë të përhapura në këtë shtet. Megjithatë, trazira nuk ka për shkak të disa arsyeve, mes të cilave edhe vetëdija e ulët e qytetarëve dhe mungesa e kulturës politike, si dhe frika nga manipulimi medial dhe partiak”, deklaroi për Express, aktivisti Xhabir Deralla, nga organizata joqeveritare CIVIL.

Shkalla e papunësisë në Maqedoni, sipas Entit Shtetëror për Statistikë, gjatë vitit 2013, ka arritur në 28.7 përqind ose rreth 273 860 persona. Sipas të dhënave nga Enti Shtetëror për Statistikë, 114 350 persona të papunë janë me arsimim të mesëm, ndërsa me arsim të lartë janë 41 509 persona.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama