Protestat turke te rezistosh apo jo?

Protestat turke, te rezistosh apo jo?
Reagimet po targetojnë Erdoganin, më shumë se partinë që ai përfaqëson. Që 11 vjet më parë kur ai u zgjodh për herë të parë si kryeministër ka bërë më shumë veprime që ndajnë, sesa bashkojnë këtë vend. U përpoq të përçante sindikatat, lëvizjen e gruas, grupet rinore, organet e medias ia arriti deri në njëfarë pike. Madje ditën e dytë të protestës ai tha edhe se “me zor të madh po i mbajmë atë pjesën tjetër 50 përqind që të mos dalin nga shtëpitë e tyre”, duke kërcënuar kështu haptazi protestuesit

Si ka mundësi që ideja se një park i thjeshtë do të shkatërrohet, të ketë inatosur kaq shumë një komb të tërë? Si ka mundësi që rezistenca të bashkojë të gjitha rrugët e një vendi, të gjitha pa përjashtim? Si ka mundësi që njerëzit të mos kenë më frikë nga gazi lotsjellës, ditë edhe natë? Por mbi të gjitha, si ka mundësi që pavarësisht këtyre, ky komb të jetë kaq i gëzueshëm, e të qeshë sikur të mos ishte asgjë, pas çdo shfaqje të tillë të brutalitetit dhe të përndjekjes?

“E dini çfarë, ky gaz më duket fantastik, miqtë e mi!” “Ju ndaluat alkoolin, mirëpo njerëzit u kthjelluan, i thirrën mendjes!”, “Mirësevini në festivalin e parë kombëtar të gazit!”, “Hej, ju të Starbucks, kjo lëvizje e ka më shumë qejf kafen që bën ai pronari i pavarur të kafja ngjitur!” Këto janë vetëm pak nga mijëra deklarata dhe thënie mbi muret e mbi 40 qyteteve turke. Vetëm brenda pak ditëve mesazhet përmes grafitëve u bënë pjesë e përditshmërisë sonë.

Automjetet e shkatërruara nga tifoët e klubeve sportive, automjete të policisë me detyrën e “kontrollit të kryengritjes” janë në shitje sot në internet. Ndërsa “gëzhojat” e bombave të gazit lotsjellës janë shndërruar këto ditë në enët më të përdorura për lulet nëpër ballkone.

Shkëndija e një parku në Stamboll, “i vuri flakën” dhe u përhap në të gjithë kombin. Cështja u kthye në dilemën të rezistojmë, apo mos të rezistojmë. Por pse? Nëse kryeministri i një vendi i jep të drejtën të konsiderojë veten dhe autoritetin e tij edhe si një gjinekologjist, edhe si arkitekt, edhe si doktor, edhe si baba, edhe si punonjës social, edhe si mësues, edhe si kritik kinematografie, edhe si gazetar, atëherë robtë kanë njëmijë e një arsye për të thënë: MJAFT!

Do të ishte start i gabuar ta lexonim AKP-në (partinë qeverisëse) thjesht si një parti islamike. Ta analizosh këtë kryengritje si një përplasje mes “sekulatistëve” dhe islamistëve, do të ishte gjithashtu e gabuar. AKP është një parti populiste dhe liberale që është e zonja të lexojë nevojat e botës së sotme konservatore. Jemi në gjendje të gjithë të shikojmë sa seksistë, sa racistë dhe sa nacionalistë ata mund të bëhen pasi janë bërë populistë! Më tej, kjo nuk është një betejë e 50 përqind të popullit që nuk votoi për AKP-në. Kjo është një parehati sociale që ndjejnë të gjithë ata që nuk janë rehat më për vendimet që merren për jetët tona, trupat tanë, zgjedhjet tona, shpresat dhe të ardhmen tonë.

Reagimet po targetojnë Erdoganin, më shumë se partinë që ai përfaqëson. Që 11 vjet më parë kur ai u zgjodh për herë të parë si kryeministër ka bërë më shumë veprime që ndajnë, sesa bashkojnë këtë vend. U përpoq të përçante sindikatat, lëvizjen e gruas, grupet rinore, organet e medias ia arriti deri në njëfarë pike. Madje ditën e dytë të protestës ai tha edhe se “me zor të madh po i mbajmë atë pjesën tjetër 50 përqind që të mos dalin nga shtëpitë e tyre”, duke kërcënuar kështu haptazi protestuesit.

Edhe pse mund të jetë konsideruar si një model në rajon, për vite të tëra, Turqia aktualisht nuk po shkon fare mirë. Dhe nuk janë vetëm njerëzit të pakënaqur, - kjo bën muuu tashmë, - por edhe liderët ndërkombëtarë. Duke patur deri më sot një lider musliman por me imazhin e një “moderni” në rajon, u ka dhënë mundësi ndërkombëtarëve të justifikojnë shumë prej koncepteve të gabuara që kanë për njerëzit në zonën tonë dhe për stilin e tyre te jetës.

Shumë liderë dhe burokratë të huaj kanë treguar admirim për Erdoganin, vetëm për hir të proçeseve të integrimit të Turqisë në BE, apo për shkak të rritjes ekonomike.

Në emër të kulturës apo dhe fesë, shumica e liderëve të huaj e injoruan racizmin e Erdoganit, seksizmin dhe politikat homofobike të tij.

Politikat diskriminuese të tij nuk kanë qenë asnjëherë mjaftueshëm për të zbehur marrëdhëniet bilaterale. Për hir të ironisë së humorit, duhet thënë se është ironike që ai tani dënohet edhe nga liderë gënjeshtarë të Rusisë, Sirisë apo Iranit! Shembulli më tipik ishte vizita e fundit e tij në Hollandë pak muaj më parë. Adoptimi i një djali turk nga dy nëna lezbike në Hollandë krijoi përshtjellim në marrëdhëniet mes dy vendeve. Erdogani, sikur të mos mjaftonte fakti që ua ka bërë ferr jetën lezbikeve në vendin e vet, mendoi se mund të përfitonte nga ky rast për të komentuar edhe për jetët e çifteve të tjera dhe kërkoi që adoptimet të jenë më afër të kaluarës historike dhe kulturore me Turqinë. Dhe ai takim përfundoi me komentin e kryeministrit hollandez që tha: “do të ishte mirë, parë nga një këndvështrim tjetër, nëse do të kishim më shumë familje islamike në Hollandë që do të adoptonin fëmijë me prejardhje islamike”. Sepse vizita duhet të finalizohej me një kontratë tregtie prej miliona eurosh!

Ajo që mund të thuhet me siguri është që Turqia nuk ngjan më me atë që ishte përpara protestave. Muri tashmë ka rënë dhe kufijtë mendorë gjithashtu, mes shumë qytetarëve politikë dhe grupeve sociale. Nuk besoj se mund të ndodhë më të shikosh nxënës të gjimnazeve të rrihen e të sulmohen me gaz lotsjellës e pastaj po ata pak më vonë, t’i shikosh të mos dorëzohen teksa ndiqeshin për orë të tëra nga policia. Ne jemi fatlumët që patëm mundësi të ishim dëshmitarë të atij momenti. 14-15 vjeçarë të cilët mezi zgjohen për të shkuar në mëngjes në shkollë, ishin ndër të parët në orët më të para të ditës për të gjurmuar fashizmin.

Ime më, e cila po shikonte televizionin në atë moment, më mori në telefon dhe për herë të parë më tha: “Dua tu kërkoj falje të rinjve si ti për faktin që e kemi nënvlerësuar ndryshimin që ju mund të sillni në vendin tonë. Më duket se kemi fajësuar të rinjtë për heshtjen tonë”. Nëse ti kërkon të shprehësh të drejtën tënde për të veshur çfarë do, apo të pish çfarëdo pije që të kënaq, ose të duash këdo që do, apo të jetosh në trupin që të përshtatet më shumë dhe që të bën të ndihesh gjallë, nëse kërkon këto pra dhe ke një zemërim sepse nuk të lenë ti kesh, atëherë Turqia, është gati të kujdeset për këtë zemërimin tat me rrahje dhe me gaz lotsjellës!

Këto rrugë ndahen në mënyrë të përbashkët nga LGBT-ista, unionista, socialista, tifozë futbolli, studentë universiteti, akademikë, nxënës të gjimnazeve, ambientalistë, anarkistë, feministë, anti-kapitalistë muslimanë dhe mijëra e mijëra qytetarë që solidarizohen me njëri tjetrin.

Këte hërë, grafitët flasin gjuhën e feministeve dhe LGBT: “E cfarë pastaj nëse jemi gej apo lezbike?” “Cfarë k... do të thotë fjala ndaluar???”, ose: “Mos e thërrisni Taipin “bir kurve” Mos harroni se në protesta ka dhe prostituta”! Këto janë disa nga mesazhet më të forta në rrugë.

Protesta mund të përfundojë që tani dhe të gjithë të zhduken. Televizionet mund të vazhdojnë të transmetojnë dokumentarë me pinguinë dhe të mos tregojnë brutalitetin. Megjithatë një gjë nuk do ndryshojë dhe do vazhdojë të na bëjë të gëzuar e të lumtur: muret e frikës janë shembur. Dhe tani, muri është ngritur për Erdoganin dora vetë, është një mur që e ndjek sapo të shkelë një hap jashtë derës së shtëpisë. Ta mbash me shëndet, Erdogan, e të bëftë gjak e dhjamë!
Turqi, je shumë e bukur kur zemërohesh!

*Kryeredaktore e revistes
Kaos GL, TURQI
****

 
Kur vdes një pemë, ngrihet një komb
Nga Ankaraja, Brunilda Shyti

 
Protestat masive në Turqi e kanë zanafillën në një projekt të qeverisë që dëmton rëndë sipërfaqet e gjelbërta të Stambollit. Formalisht për një shkak te tille, filluan edhe protestën paqësore në parkun Gezi ambientalistët turq dhe individët të cilët e ndjenin si detyrim ndaj vetes, prindërve, fëmijëve dhe pse jo, edhe për brezat ne vazhdim, mbrojtjen e ketij parku. Kudo u përhap lajmi se turqit po luftojnë për një pemë, dhe mendoni se deri ku mund të arrijnë ata ..Në fakt protesta paqësore në parkun Gezi nuk filloi vetëm për atë pjesë territori që po betonohej, por ishte një thirrje për të gjitha ndërhyrjet transformuese urbane që po ndodhnin dita-ditës, në sajë të reformave të njëpasnjeshme të AKP-së (Partia per Drejtesi dhe Zhvillim) së Recep Taip Erdoganit. Kjo ishte vetëm një pjesë e një fotografie të madhe, një fotografie për të cilën shoqëria këtë herë vendosi të mobilizohet dhe të mbrojë, që të mos zhdukej përgjithmonë... Por gjithsesi lajmi i përhapur u dha më shumë forcë protestuesve, një forcë për të ecur përpara dhe për të rezistuar gjatë.

Me ta u bashkuan të gjithe: - njerëz të ekranit, studentë, gra shtëpiake, tifozë të ekipeve të ndryshme të futbollit, individë të sekteve dhe bindjeve politike të ndryshme. Këtë herë ata ishin bashkuar me këmbë të mbeshtetura forte ne toke per ti rezistuar dhunes se ushtruar dhe nen qiellin e hapur te mbushur me gas lotesjelles...Sepse ata kanë vlera, ideale, luftojnë për të mbajtur  gjallë gjashtë principet e Ataturkut, kanë fatin të kenë njërën këmbë në kontinentin Aziatik dhe tjetrën në ate Europian, dinë t’i përkasin këtyre dy botëve në mënyrë të qetë dhe të kulturuar.

U duk në fillim sikur protesta qe një shpikje e rrjeteve sociale, sikur asgjë s’po ndodhte. Dhe është e vërtetë, sepse personalisht po ndiqja në shtëpi “Miss Turkey 2013”,  kur papritur ndjeva erën e gazit që po më digjte sytë e fytin, pasi dritarja ishte e hapur.

 S’po kuptoja se çfarë po ndodhte...Mora në dorë telekomandën dhe kontrollova 100 kanale turke, por përveç “HalkTv”, në asnjë kanal tjetër nuk qe e mundur të mësoje konkretisht atë çka po ndodhte në realitet... Qeveria prej ditësh fajëson protestuesit, pasi kane zgjedhur rrjetet sociale për të komunikuar mes tyre. E çfarë mjeti tjetër mund të kishin ata për të komunikuar? Televizionet turke sot janë të mbushura me emisione me receta gatimi, apo me tituj gosipi, por jo me informacion të vërtetë.

Në mëngjesin e të dielës (2 maj 2013), kur e panë që protesta ishte shtrirë kudo, ata të cilët qëndronin brenda katër mureve, nisën të trillonin histori për “duart provokative” në protesta. Historia nuk është kjo, por është ajo që arriten të gdhendnin protestuesit në këto pesë ditë e në vijim. 

Ata ditën të jenë të bashkuar, të ndihmojnë njëri-tjetrin me ushqim, me ujë, me limona (kunder gazit lotsjellës), të strehohen në shtëpitë apo dyqanet që hapnin dyert për ta, pa patur frikë nga kërcënimet...

Protestuesit qëndruan, edhe pse në kushte barbare, kur një vajzë u dhunua në qendër të kryeqytetit nga 10 policë, kur gazi lotsjellës u përdor kudo dhe pa qenë nevoja, kur u arrestuan dhe u mbajtën nën shqyrtim me qindra persona, kur profesori i universitetit së bashku me studentin e tij humbën nga një sy secili, kur kryeministri ju përgjigj me arrogancë gazetarit të Reuters Birsen Altaylı  në lidhje me protestat.

Të gjitha këto masa represive të ndërmarra nga shteti dhe policia, a bien ndesh me ligjet, me Kushtetutën? A mundet që policia të përdorë dhunë fizike dhe gaz pa limit ndaj njerëzve në rrugë? Përgjigja është e qartë dhe e shkurtër: JO! Jo vetem që këtë se lejon kushtetuta e Turqisë, po këtë se lejon as Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut. Në Turqi po preken liritë e të drejtat, po ngatërrohet shteti me fenë, po goditet sekularizmi dhe trashëgimia e Ataturkut, po qeveriset në mënyrë autoritare.

Nuk mund të përdorësh një autoritet i tillë pasi ke ardhur në pushtet me votën e lirë. Ëashington Post në titujt kryesorë shkruante se “Erdogani është prova e një lideri që edhe është autoritar, edhe është i zgjedhur nga zgjedhjet e lira...”. Kjo është njëra ane e historisë.

Nga ana tjetër, pas disa ditëve protestë, shfaqet një pjesë e politikës më e butë. Presidenti i Republikes Abdullah Gül theksoi se nga e gjithë kjo u mor një mesazh i mirë dhe u testua demokracia. Kurse zv.Kryeministri Bülent Arınç theksoi se dhuna e përdorur duhet të parandalohet sa më shpejt.

E ndërsa sot (5 qershor 2013), protesta dukej paqësore, në krah të protestuesve ishin bashkuar edhe sindikatat, për të reklamuar edhe një herë me zë të lartë te drejtat e punëtorëve, qytetarëve. Duket qartë tashmë se protestuesit i kanë dhënë një të shkundur të fortë sistemit. Sepse, siç ka thënë Nazim Hikmet, “kur vdes një pemë, ngrihet një komb”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama