Shqiptarët e Kosovës, të zemëruar nga barrikada e re e ngritur nga serbët e Kosovës mbi urën simbolike që ndan qytetin e Mitrovicës dolën në protestë dje, e cila u përshkallëzua në dhunë kur shqiptarët qëlluan me gurë dhe dogjën makina, ndërsa policia iu përgjigj me gaz lotsjellës.
Policia e Kosovës, e mbështetur nga policia e EULEX, njoftoi se 13 oficerë dhe 21 protestues u plagosën në atë që filloi si një demonstratë paqësore në qytetin e ndarë sipas etnisë.
Protesta filloi në orën 3:00 pasdreke dhe u përshkallëzua në dhunë më pak se një orë më vonë. Disa protestues dogjën flamujt e Serbisë dhe bërtitën “UÇK, UÇK, UÇK”, duke iu referuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila udhëhoqi kryengritjen e shqiptarëve kundër Serbisë në vitet 1990.
Disa qindra protestues u mblodhën të dielën në përgjigje të dy barrikadave të ndërtuara nga serbët përgjatë fundjavës. Më herët këtë javë, serbët fillimisht hoqën një barrikadë të stërmadhe të krijuar me rërë dhe gurë, por e zëvendësuan atë me rërë dhe baltë dhe e quajtën “Parku i Paqes”.
Ura kryesore e Mitrovicës mbi lumin Ibër ndan atë që sot janë dy komuna: Mitrovica e Jugut, e banuar në mazhorancë nga shqiptarët dhe Mitrovica e Veriut ku jetojnë më së shumti serbë.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, bëri thirrje për qetësi në Mitrovicë.
“Çdo përpjekje për të gjetur një zgjidhje përmes përdorimit të forcës do ta përshkallëzojë situatën dhe do të pengojë procesin e normalizimit të Mitrovicës dhe komunave në veri të Kosovës”, – tha Jahjaga.
Protesta dhe ngjarjet e javës së fundit kanë vënë në dukje tensionin mes shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve, pavarësisht bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në prill 2013, një marrëveshje i solli serbët e Kosovës së Veriut nën autoritetin e qeverisë së Kosovës, me autonomi të kufizuar përmes një shoqate komunash serbe. Që nga ajo kohë, një pjesë e vogël e serbëve kanë marrë pjesë në zgjedhjet vendore apo parlamentare të Kosovës.