Proteste ne heshtje dhe me flamur kombetar ne varrimin e Ilia Karelit

Proteste ne heshtje dhe me flamur kombetar ne varrimin e Ilia Karelit

Nëna, familjarët dhe qindra të afërm e bashkëfshatarë të Ilia Karelit (Kudret Kume), që mbanin në duar dhjetëra flamuj, zgjodhën simbolin kombëtar dhe heshtjen për të protestuar

Familja nuk resht së kërkuari drejtësi për vrasjen 42-vjeçarit

Familja këmbëngul se shteti shqiptar duhet të veprojë që të zbardhë të vërtetën për shtetasin e vet

Në heshtje dhe me flamuj në duar ata kanë ecur ngadalë, duke e zhvilluar protestën e tyre ndaj vrasjes



Emigranti shqiptar Ilia Kareli, i cili u vra nga autoritetet greke në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e gardianit, është përcjellë dje për në banesën e fundit, ku të afërmit kanë përdorur flamurin kombëtar, duke mbështjellë arkivolin e 42-vjeçarit në shenjë indinjate për këtë ngjarje.

Me arkivolin e mbuluar me flamurin kombëtar dhe mjaft flamuj të tjerë që mbanin në duar, familjarë, të afërm dhe banorë të fshatit Zhupan të Rrethit të Fierit kanë përcjellë dje për në banesën e fundit 42-vjeçarin Kudret Kume (Ilia Kareli), i cili u torturua deri në vdekje në Greqi, pasi vrau një prej gardianëve të burgut të Malandrinos, ku prej vitit 2006, vuante dënimin për vjedhje. Që prej orës 12:00 të ditës së djeshme, të afërm të Kudretit qëndronin në rrugën para shtëpisë së tij me flamuj kombëtarë në duar. Nëna e tij, Resmia, e motra dhe të afërmit e tjerë po vajtonin çastet e fundit pranë trupit të Kudretit, derisa arkëmorti ka dalë nga shtëpia rreth orës 13:15 për t’u drejtuar në varrezat e fshatit Zhupan, të cilat ndodhen pranë Qafës së Koshovicës. Ndryshe nga sa ishte paralajmëruar të dielën prej familjarëve të Kudretit, kur u tha se kortezhi mortor do të drejtohej fillimisht drejt qendrës së qytetit të Fierit në shenjë proteste e më pas trupi do të transportohej për në varreza, një gjë e tillë nuk ndodhi. Nga të afërm të të ndjerit është mësuar se ka qenë vetë nëna e Kudretit, Resmia, e cila ka kërkuar që të mos ndodhte një gjë e tillë, por ka dashur që trupi të përcillet për në banesën e fundit.

Pasi arkëmorti ka dalë nga banesa, familjarët më të afërt të Kudretit e kanë mbajtur mbi shpatulla gjatë gjithë rrugës për në varreza, të cilat ndodhen rreth një kilometër larg shtëpisë së familjes Kume. Në heshtje dhe me flamuj në duar ata kanë ecur ngadalë, duke e zhvilluar në këtë formë protestën e tyre, me anë të së cilës kërkojnë zbardhjen e së vërtetës dhe autorëve të torturave barbare që i janë bërë Kudretit në institucionet greke të vuajtjes së dënimit, si dhe vënien e drejtësisë ligjore për këtë rast.

Rreth orës 13:45, kortezhi ka mbërritur në varrezat e fshatit Zhupan, ku Kudreti do të prehet pranë të afërmve që kanë ndërruar jetë më parë. Në nekrologjinë e rastit nuk u la pa përmendur dashuria e madhe që Kudreti kishte për nënën e tij, Resmien, por edhe për gjithë familjarët e tjerë. “Do t’i mungosh nënës, Resmies, për dashurinë e së cilës dhe jetën, do t’i mungosh motrës, vëllait dhe nipave e mbesave, të cilët i kishe aq shumë përzemër”. Këto ishin fjalët me të cilat u përcoll 42-vjeçari Kudret Kume për në banesën e tij të fundit. Nëna e Kudretit, Resmia, dhe familjarët e tjerë të tij e kanë fshehur dhimbjen që kishin dhe lotët u kanë dalë pa nxjerrë zë, teksa trupi i të dashurit të tyre fundosej nën tokë.

Ndërkohë, familjarët dhe të afërmit kanë kërkuar sërish drejtësi dhe zbardhjen e së gjithë së vërtetës të asaj që i ka ndodhur Kudretit në burgjet greke. Ata kanë këmbëngulur në faktin se shteti shqiptar duhet të veprojë që të zbardhë të vërtetën dhe të mbrojnë të drejtat e shtetasve të tij. Kjo, pasi nuk duhet të lejohet që krime të tilla të ndodhin herë tjetër në kurriz të shqiptarëve. Sipas familjarëve, drejtësia greke duhej ta dënonte Kudretin për vrasjen e gardianit ashtu si e parashikon ligji, por jo ta torturonin deri në vdekje, ashtu siç kanë bërë. Ata shtojnë se Kudreti duhet të ketë pasur një arsye të fortë që veproi kështu, pasi nuk e lejonin të takonte nënën e tij prej vitesh. Sipas të afërmve, gardiani e kishte lidhur dhe qëlluar më parë, ndërkohë që kohët e fundit kishte mësuar se e kishin dënuar për diçka që nuk e kishte bërë dhe pa dijeninë e tij. Të gjitha këto arsye, ku më e forta, sipas të afërmve, ka qenë mohimi i mundësisë për të takuar nënën, e kanë çuar në vrasjen e gardianit të burgut.


PD, Vokshi: Qeveria të ndërmarrë çdo hap për zbardhjen e vrasjes


Me anë të deputetes së saj, Albana Vokshi, Partia Demokratike i kërkoi dje qeverisë shqiptare që të ndërmarrë çdo hap të mundshëm institucional, që do të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes dhe vendosjen e drejtësisë, për rastin e Ilia Karelit, që u vra në burgun grek. Në fjalën e saj, deputetja demokrate tha se, Partia Demokratike i kërkon qeverisë shqiptare që të marrë në konsideratë dhe të trajtojë me seriozitet maksimal, pretendimet dhe kërkesat e familjarëve të viktimës. “Partia Demokratike i kërkon qeverisë shqiptare të ndërmarrë çdo hap të mundshëm institucional që do të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes dhe vendosjen e drejtësisë, për rastin e Ilia Karelit që u torturua dhe u ekzekutua në burgun grek. Partia Demokratike, i kërkon qeverisë shqiptare që të marrë në konsideratë dhe të trajtojë me seriozitet maksimal, pretendimet dhe kërkesat e familjarëve të viktimës”,- tha Vokshi. Por, nga ana tjetër, deputetja demokrate duke e dënuar ngjarjen e rëndë, kërkoi hetim dhe drejtësi për rastin e Ilia Karelit. “Partia Demokratike e dënon ngjarjen e rëndë, dhe çdo lloj shkelje të të drejtave të njeriut dhe ushtrimit të dhunës ndaj të dënuarve shqiptarë në burgjet greke, dhe kërkon hetim dhe drejtësi për rastin e Ilia Karelit”, – përfundoi deklaratën e saj deputetja e PD-së Albana Vokshi, lidhur me ngjarjen e rëndë në burgjet e shtetit helen, ku mbeti i vrarë 42-vjeçari shqiptar, që në Greqi njihej me emrin Ilia Kareli.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama