Pas sherrit me armë në Gjirokastër, Prokuroria kërkoi kontrollin e banesës së prindërve të Kostandin Xhuvanit, por u refuzua nga policia pasi nëna e tij kishte imunitet. Për më shumë se një muaj nuk pati asnjë raportim mbi punën e policisë rreth kësaj çështjeje. Oficeri i policisë i ngarkuar për hetimin e çështjes, u transferua pak kohë pas marrjes së dosjes “Xhuvani”. Regjistri në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit u sekuestrua më 27 korrik, tre muaj pas ngjarjes.
Justifikimi i policisë se arrestimi i Kostandin Xhuvanit nuk ishte bërë pasi ndaj tij nuk kishte një urdhër-arresti nga Prokuroria, ka nxjerrë në dritë të tjera prova që tregojnë implikimin e dy institucioneve të drejtësisë në mosarrestimin e djalit të deputetes socialiste. Pas ngjarjes së 25 prillit 2014 në qytetin e Gjirokastrës, ka patur një angazhim të madh nga policia dhe prokuroria e këtij qyteti për identifikimin dhe ndalimin e autorit, i cili sipas informacioneve operative të policisë është identifikuar si shtetasi Kostandin Xhuvani.
Pas marrjes së njoftimit se në një lokal pranë qendrës së qytetit ka patur të shtëna me armë zjarri, prokurori i çështjes, J. C ka zhvilluar një takim me zv.drejtorin e Policisë së Qarkut, F. D, të cilit i ka kërkuar kryerjen e verifikimeve në banesën e të dyshuarit Xhuvani në Tiranë, veprim i cili nuk është kryer për shkak se nëna e Kostandin Xhuvanit asokohe ka qenë deputete e Kuvendit të Shqipërisë dhe gëzonte imunitet. “Pas kontaktit të zv.drejtorit të Policisë, F.D me kolegët dhe eprorët e tij në Tiranë, është bërë e ditur që verifikimet në banesën e djalit të deputetes nuk mund të kryheshin, pasi nëna e tij kishte imunitet, çka mund të sillte probleme të mëpasshme ligjore”, – konfirmoi një burim për gazetën “Mapo”.
Por edhe pas këtij fakti, prokurori dhe drejtuesit e policisë kanë rënë dakord për përdorimin e metodave speciale të hetimit me qëllim përcaktimin e vendndodhjes së të dyshuarit, por për më shumë se një muaj policia nuk ka raportuar në prokurori asnjë të dhënë mbi punën për kapjen e të dyshuarit, i cili rezultonte në kërkim policor. Pas referimit të kësaj dosjeje në Prokurorinë e Gjirokastrës, prokurori i çështjes ka deleguar kryerjen e hetimeve pranë oficerëve të Policisë Gjyqësore, të cilët ishin pjesë e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, dhe jo oficerë të prokurorisë. Një fakt i tillë konfirmohet nga urdhrat e delegimit fillimisht për oficerin me inicialet D. S, i cili e ka mbajtur dosjen “Xhuvani” për rreth 6 ditë pasi është transferuar nga detyra. Motivet e largimit nga detyra të oficerit të policisë që po hetonte sherrin me armë ku i dyshuar ishte djali i deputetes socialiste, nuk dihen, por ai është zëvendësuar nga një tjetër oficer i policisë, i cili ka qenë i pranishëm edhe në vendin e ngjarjes. Pasi është njohur me këtë fakt, prokurori i çështjes ka bërë një tjetër urdhër delegimi për kryerjen e veprimeve hetimore nga ana e Oficerit të Policisë Gjyqësore K. P., i cili rezulton të ketë sekuestruar regjistrin që tregonte se Kostandin Xhuvani ka qenë i shtruar në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit në datën 27 korrik, pra rreth 3 muaj pas ngjarjes.
Burime të prokurorisë thonë se gjatë kësaj kohe, në prokurori nuk është dërguar asnjë raport lidhur me punën e policisë për përcaktimin e vendndodhjes së të dyshuarit apo kapjes së tij, duke qenë se ishte shpallur në kërkim policor që prej datës 25 prill 2014. Burimet gjithashtu sqarojnë edhe arsyet përse nuk është kërkuar masë sigurimi ndaj të dyshuarit, pasi për rreth një muaj, prova e vetme që implikonte Xhuvanin në ngjarje ishin informacionet e marra në rrugë operative nga policia dhe paraqitja për njohje me fotografi bardhë e zi të printuara nga sistemi TIMS. “Pasi dosja është analizuar gjatë kohës që i dyshuari ka qenë në kërkim policor, nuk është çmuar e arsyeshme të kërkohet masë sigurimi, kjo për faktin se prova e vetme ishte paraqitja për njohje me anë të fotografive bardhezi të printuara nga sistemi Tims”, – thanë burime të prokurorisë.
Sipas hetimit rezulton se edhe njëri prej personave që ndodhej në tavolinën e të dyshuarit, nuk ka dhënë asnjë detaj mbi identitetin e tij. Dy muaj pas ngjarjes, avokati i të dyshuarit Kostandin Xhuvani, ka paraqitur një memo në Prokurorinë e Gjirokastrës, sipas së cilës, drejtori i Spitalit Psikiatrik të Elbasanit, Ylli Muça konfirmonte se shtetasi Kostandin Xhuvani ishte paraqitur pranë këtij spitali më datë 25 prill 2014 dhe është regjistruar në regjistër me numrin rendor 13. Pas kësaj prove, prokuroria ka urdhëruar kryerjen e verifikimit të regjistrit nga oficeri i policisë K. P, i cili ka administruar fletën e regjistrit më datë 27.07.2014, pra tre muaj pas ngjarjes. Fleta e regjistrit nuk i është nënshtruar asnjë ekspertimi grafik për të përcaktuar vërtetësinë e fletës së regjistrit. Pas këtij veprimi, i dyshuari është paraqitur në prokurori dhe është bërë paraqitja për njohje me të dëmtuarit, të cilët nuk e kanë identifikuar atë si autorin e ngjarjes së datës 25 prill 2014.
Detaje nga çështja
- Prokuroria kërkoi verifikimin në banesën e të dyshuarit Kostandin Xhuvani në Tiranë, por kjo kërkesë është kundërshtuar nga policia, pasi nëna e tij kishte imunitet, çka mund të shkaktonte probleme të mëvonshme ligjore.
Për gjatë periudhës 1-mujore të kërkimit policor, policia e Gjirokastrës nuk ka dërguar asnjë informacion në prokurori lidhur me punën e saj për identifikimin e vendndodhjes së të dyshuarit dhe shoqërimin e tij për sqarimin e ngjarjes.- Prokuroria ka deleguar kryerjen e veprimeve hetimore në Policinë e Gjirokastrës dhe konkretisht nga oficeri D. S, i cili është lëvizur nga detyra vetëm 6 ditë pasi ishte caktuar për hetimin e dosjes “Xhuvani”.
- Prokuroria nuk ka kërkuar caktimin e masës së sigurimit ndaj të dyshuarit, pasi prova e vetme ishte paraqitja për njohje nëpërmjet fotografive bardhë e zi të printuara nga sistemi TIMS.
Dy muaj pas ngjarjes, avokati i të dyshuarit ka paraqitur në prokurori një Memo sipas të cilës, drejtori i Spitalit Psikiatrik të Elbasanit konfirmonte shtrimin e të dyshuarit Kostandin Xhuvani në këtë spital më datë 25 prill 2014, ora 17:00.
Regjistri i spitalit është sekuestruar nga oficeri i Policisë Gjyqësore në Drejtorinë e Gjirokastrës P. më datë 27 korrik 2014, tre muaj pas ngjarjes.
Prokuroria nuk ka urdhëruar kryerjen e ekspertimit grafik të regjistrit të Spitalit Psikiatrik të Elbasanit për të përcaktuar vërtetësinë e tij.
Nga paraqitja për njohje e të dëmtuarve me të dyshuarin dhe disa persona të tjerë, asnjë prej të dëmtuarve nuk ka identifikuar Kostandin Xhuvanin si autor të përdorimit të armëve në ngjarjen e datës 25 Prill 2014, në qendër të qytetit të Gjirokastrës.