Mes vapës, stresit të punës apo shkollës, korriku gjithmonë ka qenë muaji më i “urryer” për të gjithë ne, për shkak të provimeve. Mes ushqimit të zgjedhur, aktivitetit fizik dhe gjumit të shëndetshëm, ja disa nga truket që të ndihmojnë për të dhënë maksimumin. Është koha e provimeve për të rinjtë, adoleshentët dhe studentët. Por në këtë vapë të tmerrshme, stresi për të dhënë maksimumin ka arritur kulmin. Është një moment i rëndësishëm për të dhënë maksimumin nga pikëpamja intelektuale dhe sipas ekspertëve mund të na ndihmojë shumë ushqimi dhe aktiviteti i duhur fizik. Ja shtatë rregulla të arta.
Rregulli numër 1: Mos hiq dorë kurrë nga ushqimi
Mbi të gjitha mos lër pas dore mëngjesin. Të rinjtë, gjithmonë e më shumë ushqehen në mënyrë të çrregullt, duke lënë pas dore vaktin më të rëndësishëm të ditës. Kush nuk e nis ditën si duhet, në mëngjes e ka të vështirë përqendrimin në orët e mëvonshme. Mëngjesi duhet të jetë një vakt i pasur me drithëra, fruta të freskëta, lëngje apo fruta të thata: 3-4 lajthi apo 5-6 bajame. Çaji, kafeja apo qumështi janë më të preferuarit. Gjatë kohës që mësoni është e rëndësishme për organizmin të ushqehet mirë. Edhe dreka, pasditja dhe darka janë të rëndësishme. Në këtë rast është plotësisht e vlefshme shprehja: mendja e shëndoshë, në trup të shëndoshë.
Rregulli numër 2: Mos e lër gjithë ngarkesën në një ditë
Është shumë e rëndësishme që i gjithë materiali që kemi për të mësuar të ndahet në mënyrë të barabartë mes ditëve brenda së cilës duhet t’i mësosh. Ekspertët këshillojnë që ditëve të para t’u lihet më shumë ngarkesë trurit, sepse është më i freskët për të përthithur konceptet e reja dhe më të vështirat, ndryshe nga ditët e fundit, ku “rezistenca” e tij bie, për shkak të ngarkesës së tepërt. Por nëse keni lexuar apo mësuar gjatë vitit, e keni shumë më të thjeshtë punën. Një përsëritje vetëm dy apo tri ditë para provimit dhe jeni gati për të dalë shkëlqyeshëm e për t’u shpërblyer për punën tuaj njëvjeçare.
Rregulli numër 3: Bëjeni gjumin të qetë
Qetësia dhe gjumi me orar të plotë konsiderohen si çelësi i suksesit. Ekspertët këshillojnë se një gjumë i qetë, çlodhës dhe jo më pak se 8 orë ju jep energji, forcë dhe më shumë dëshirë për të mësuar. Për më tepër që ju largon stresin dhe ju bën të ndiheni të freskët. Asnjëherë mos lini diçka për të përsëritur apo mësuar në orët e vona të natës, po ashtu mos lini gjëra për t’u përsëritur në mëngjes nëse do të duhet të zgjoheni me zor. Zgjimi i kushtëzuar nga gjumi do ju bëjë të mos jepni rezultatin që dëshironi dhe sigurisht të keni më shumë stres dhe ankth para se të futeni në provim.
Rregulli numër 4: Vrap për të çliruar energjinë negative
Nuk ka rëndësi se sa të ngarkuar jeni, e rëndësishme është t’i kushtoni vetes çdo ditë përkujdesje. Mes tyre, aktiviteti fizik. Vrapi ju ndihmon të çlironi energjitë negative dhe njëkohësisht mendimet e këqija. Sporti sigurisht që është ilaçi më i mirë për t’u ndier në formë dhe për të përthithur më mirë leksionet që keni për të mësuar.
Rregulli numër 5: Kini besim në vetvete
Mos kini frikë. Besimi në vetvete është shumë i rëndësishëm. Duhet të besoni gjithmonë se ato që keni mësuar do t’ju kujtohen në momentin kur të filloni provimin. Për më tepër, askush nuk është më mirë se ty. Kujto gjithmonë që je më i miri dhe ke për t’ia dalë mbanë.