Provimet koha per te analizuar
- Botuar: 12 vite më parë
- Shkruar nga:
Gjatë një ore leksioni, në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, vite më parë, një mace kaloi në oborr dhe një pedagogu dhe studentëve të tij iu tërhoqi vëmendjen që nga dritarja dhe ndërprenë mësimin një kohë (rroftë sebepi, qoftë dhe mace!). Gjithsesi, ngjarja kujtohet edhe sot, për shkak të episodit që pasoi. Në provimin e fundit të lëndës, një nga pyetjet qe “çfarë ngjyre kishte macja?”. Kush e di sa histori të tjera provimesh ekzistojnë! Madje dhe kur nuk kanë asgjë të jashtëzakonshme, në periudhë sezoni, siç janë këto javë që ikën për disa studentë dhe këto aktualet për disa të tjerë, provimet janë tema e ditës. Efekti i tyre duket se nuk do ndryshojë kurrë te studentët dhe pse ata vetë nuk janë më të një kohe. Kanë ndryshuar shumë madje.
Nga një kohë, që brezat e më të rriturve e kujtojnë mirë, kur në provime kërkohej riprodhimi i materialit teorik sigurisht me pyetje me zhvillim, para studentëve nisën të shfaqen teza më të larmishme, me pyetje me alternativa të kombinuara me ato me zhvillim. Gjithashtu nisën të ndërtoheshin pyetje ku duhet të logjikosh mbi një situatë të pa ndeshur më parë, apo pyetje kur të duhet të argumentosh qëndrimin tënd. Në dinamizmin e arsimit dhe praktikave të tij, fletët e provimit nuk mund të mos i merrte era e ndryshimeve…
Po drejt cilëve elementë synojnë këto formate të reja testesh? E kemi sqaruar nëpërmjet pedagogëve që i hartojnë ato, po dhe studentëve që vihen përballë. Jonida Këllezi, pedagoge në Universitetin Europian të Tiranës, drejtuese e departamentit të Marrëdhënieve me Publikun dhe Komunikimit, tregon si funksionon hartimi i testeve në universitetin e saj ku tezat përgatiten nga titullarët e lëndëve duke marrë parasysh nivelin e të gjitha nëngrupeve të studentëve që ndjekin lëndën dhe më pas aprovohen nga përgjegjësit e gruplëndëve. “Tezat e provimeve në UET janë të konceptuara në tre pjesë, ku secila ka një përqindje të caktuar të notes finale të atij provimi.
Pjesa e parë e provimit përbëhet nga një grup pyetjesh të cilat synojnë të testojnë njohuritë bazë të lëndës; pjesa e dytë e provimit i kushtohet pyetjeve analitike: studentëve u jepen dy ose më shumë pyetje dhe pjesa e tretë është një temë eseje.” Për pedagogen e lëndëve Reklamë, Fushata Marketingu dhe Konceptim dhe Menaxhim Fushatash kjo formë testesh, e ngjashme me atë të universiteteve britanike, ku ajo ka studiuar, është shumë e mirë, “pasi kërkon që të nxisë të menduarin në mënyrë analitike të studentëve dhe t’i largojë nga të mësuarit përmendësh”. Por edhe në një fushë tjetër siç është ajo e Shkencave politike, konceptimi I tezës mbështetet në të njëjtat parime vlerësimi. “Provimi është i ndarë në tri pjesë të rëndësishme: në të parën janë pyetjet për kontroll njohurish, në pjesën e dytë janë pyetje analitike ku shikohet se sa është i aftë studenti t’i lidhë konceptet me njëra-tjetrën dhe t’i përdorë ato në rastet që i janë dhënë në shqyrtim.
Në pjesën e tretë, janë pyetjet e kategorisë ‘mbaj qëndrimin tënd’: ku studenti pasi e njeh lëndën është i aftë që, duke u mbështetur tek baza teorike, të japë një mendim dhe të mbajë një qëndrim të vetin në lidhje me një çështje të caktuar që është ngritur për diskutim”, thotë Ina Zhupa, pedagoge e lëndëve Hyrje në Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Teoritë e Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Secila nga këto pjesë ka peshën e vetë për të plotësuar pikët e plota të tezës. “Pjesa e provimit që synon të testojë njohuritë bazë të lëndës zë 25 %; pjesa me pyetje analitike zë një peshë prej 50% dhe pyetja ese ka një peshë prej 25%”, thotë Këllezi. Por këto më shumë se sa blloqe të ngurta, janë ndarje orientuese për pedagogët të cilët i përshtatin me nivelin e studimit apo lëndën që japin. Çdo pjesë e testit ka dhe natyrën e vetë të pyetjeve.
“Pyetjet për kontroll njohurish janë më të shkurtra, në formë pohimesh, me pika, ose me alternativa. Ndërsa pyetjet analitike dhe ato ku studenti duhet të mbajë një qëndrim kërkojnë zhvillim dhe sqarim të idesë. Pyetjet e pjesës së tretë përfshijnë situata, raste konkrete dhe studenti duhet t’i shikojë me syrin e tij, por duke u mbështetur tek ajo që ka mësuar gjatë lëndës”. Diçka pozitive është që studenti e di sa pikë vlen secila pyetje dhe pse ai jo gjithmonë e parashikon saktë notën dhe ndodh që dhe të zhgënjehet prej saj. Kjo ndoshta prej ndonjë sindrome universale optimizmi, ose për shkak të pedagogut…Megjithatë, kur bëhet fjalë për pyetjet argumentuese pothuaj gjithmonë do ketë vend për debat. “E rëndësishme është që studenti ta argumentojë në mënyrë logjike qëndrimin e tij”, sqaron Ina Zhupa. Dhe më e rëndësishmja është që sot, një student duhet të analizojë, argumentojë, të veprojë i pavarur në teste, shumë më tepër se të mësojë përmendësh. Këto janë testet e kësaj kohe, të ngjashme me kërkesat e ditëve tona për profesionistët e rinj.
Provimet dhe vlerësimet në sytë e studentëve
Studentët urrejnë të riprodhojnë përmendësh materialet teorike. Kjo është pak, por e sigurt nga ajo që thonë studentë të profileve dhe viteve të ndryshme. Dhe tjetra është që dhe pse pedagogët këmbëngulin se “te provimi i parë që dhashë duhet të kisha mësuar përmendësh me pika, ashtu siç ishin të ndara në literaturë, nëse synoja të merrja ndonjë pikë. Kjo tregon se shumë pedagogë nuk kanë hequr dorë ende nga metodat tradicionale të hartimit të tezave”, shprehet Alda, studente e nivelit master në degën e gazetarisë në Universitetin e Tiranës, e cila shton se këto janë llojet e tezave ku ajo del më keq, duke preferuar gjithmonë pyetjet me zhvillim që kërkojnë arsyetim. Por ndonjëherë mbajtja mend përmendësh është kërkesë e degës dhe jo e pedagogut.
“Në pjesën më të madhe të rasteve nuk është e nevojshme të mësosh përmendësh. Kur bëhet fjalë për lëndë teorike apo për ushtrime të hyn në punë logjika dhe mënyra si e ke konceptuar atë që është shkruar në libër, por duke qenë drejtim shkencor materialet mësimore përmbajnë edhe ligje apo formula të cilat duhet të mësohen përmendësh”, shprehet Kamela, studente masteri e Informatikës në UPT, e cila për sa i takon formës së pyetjeve ka gjithaq preferencat e saj. “Personalisht preferoj më tepër pyetjet me zhvillim, sepse tregojnë më tepër sesa formim ke marrë nga lënda, kurse pyetjet me rrethime ndonjëherë i kanë alternativat aq shumë të ngjashme sa mund të ngatërrohesh lehtë”. Ato ashtu si dhe Frenki, student i vitit të dytë në degën Financë Kontabilitet në Universitetin Bujqësor, preferojnë provimet me shkrim ndaj atyre me gojë, por jo të gjithë janë në një mendje. Albi, studenti i Teknologjisë Ushqimore, mendon se testet me alternativa por dhe provimet me gojë, janë më të mira për të matur njohuritë e tij.
Çfarë ngjyre kishte macja?
Shprehur, me apo pa pyetje-kleçkë, provimet dihet që janë më të vështira për ata që mungojnë në leksione. E pranon Holta Vrenezi, që studion Financë-Bankë në Torino, se provimet janë më të vështira për ata që nuk i ndjekin leksionet. Por tani që është në vit të fundit, ajo flet dhe për një tendencë tjetër: për ta bërë më të vështirë edhe për ata që hyjnë me shpresën te fati, pasi ndodh që për çdo pyetje vendoset kriteri i kalueshmërisë, që në Itali është 60 për qind të pikëve maksimale. “Duhet t’i përgjigjesh çdo pyetjeje me minimum 60 % dhe jo thjesht të bësh 60% të pyetjeve”, sqaron Holta. Kjo është një nga praktikat e ndjekura në testet e degës së saj, ku sa vjen dhe kërkesat bëhen më rigoroze.
Provimi, (jo) e vetmja provë
Përqindja e peshës së provimit në notën përfundimtare, vitet e fundit në disa lëndë dhe fakultete është ulur duke konsideruar më shumë punën e studentit gjatë vitit, detyrat e kursit, prezencën etj. “Në UET, nëse dikush si pasojë e stresit ose faktorëve të tjerë nuk shkruan mirë në provim, ka mundësi të rikuperojë me aktivizim në seminar ose në detyrën e kursit”, sqaron Këllezi praktikën e përhapur, por jo në çdo profil. “Në fakultetin tim, në pjesën më të madhe të lëndëve e gjithë nota bazohet tek testi, në pak raste merren parasysh detyrat e kursit apo punët me projekte”, thotë Kamela, studente e Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit në UPT. Të njëjtën gjë pranon dhe Vrenezi, studente e degës Financë Bankë në Torino. “Testi zë 100 % të notës, pasi nuk ekzistojnë seminaret apo teste para atij final”.