Provimi i Letersise 70 kopjace te dyshuar

Provimi i Letersise, 70 kopjace te dyshuar
Provimi i parë i Maturës Shtetërore, i Gjuhës dhe Letërsisë shqipe ka plot 70 kopjacë të dyshuar. Kjo listë me këta teste të dyshuara do t’i shkojë nesër ekspertëve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për t’u vërtetuar plotësisht.

Këtë e bën me dije për “Shekullin” drejtori i Arsimit Parauniversitar, Fatmir Vejsiu. Vejsiu, tha se ditën e hënë, pas daljes së rezultateve finale është firmosur urdhri i Ministrit të Arsimit Myqerem Tafaj për ngritjen e një komisioni që do të verifikojë testin e dyshimtë.“Nesër do të hartohet raporti final për testet e dyshuara, i cili do të dërgohet për t’u vërtetuar nga ekspertët e MASH.” Në lidhje me testin, theksohet se nuk ka patur të kënaqur dhe as maturantë të cilët protestuan si një vit më parë. Sipas drejtorit të Arsimit Parauniversitar, deri më tani ka pasur vetëm disa kontestime të vogla nga maturantë, të cilët pretendojnë se janë vlerësuar më pak se ç’duhet, por këto do të verifikohen vetëm pasi ata të kenë marrë një fotokopje të testit të tyre.

Raste të tilla ka plot si për shembull kur maturanti pretendon që fleta e testit nuk i përket atij, kur ai nuk pajtohet me zgjidhjen e një ushtrimi apo edhe me gjithë testin në tërësi. “Ka pretendime, por që nxënësit duhet të marrin fotokopjon e testit një herë dhe më pas të kenë mundësi të shprehin pakënaqësinë. Një pjesë e dyshimeve janë ngritur për faktin se maturantët kanë rezultuar shkëlqyeshëm në këtë test në kohën kur mesatarja e shkollës së mesme nuk e kalon notën 6. Në rast se konfirmohet kopjimi, atëherë maturantët do të penalizohen. Sa i takon provimeve të Maturës, korrigjimi i testimeve të matematikës ka dy ditë që ka filluar.

Sipas rezultateve paraprake, Vejsiu bën të ditur se vetëm në këto dy ditë vlerësime janë marrë vlerësime maksimale, ashtu siç janë marrë edhe vlerësime të ulëta. Vlen të theksojmë se në këtë provim, maturantët kanë pritshmëri më të ulëta, krahasuar me provimin e mëparshëm atë të Letërsisë që për hir të së vërtetës nuk rezultuan aq të suksesshëm. Sipas rezultateve, vetëm 8 maturantë kanë dalë shkëlqyeshëm, duke marrë 50 pikët e mundshme. Ndërsa maturantët mbetës janë në nivelin 2.5 deri në 2.7 për qind.

Rezultatet përfundimtare të këtij provimi pritet të dalin një ditë përpara datës së provimeve me zgjedhje. Pas 2 sfidave të para, maturantët më 29 qershor, kur duhet të ketë përfunduar dhe procesi i numërimit të votave, do të japin edhe provimin e tretë dhe të fundit, atë të lëndëve me zgjedhje.

Maturantët e Pakënaqur

Ata që kanë kontestime kanë të drejtë të tërheqin kopjen e provimit dhe të bëjnë verifikimet e mundshme, por nuk ndryshojnë dot rezultatin. Ndryshe nga vitet e tjera maturantët nuk kanë të drejtë të kërkojnë rivlerësim të testit, por vetëm ta shohin se si është rivlerësuar. Maturantët që kanë pakënaqësi për notën e marrë në provimet e Maturën e Shtetërore kanë të drejtë që të shikojnë mënyrën e vlerësimit të tyre nga ana e korrigjuesve.

Ky vendim është marrë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës e cila për këtë vit mori masat që çdo test të korrigjohej nga të paktën dy korrigjues dhe në rast se kishte vlerësime të ndryshme, atëherë testi kalonte në duart e një korrigjuesi të tretë dhe të katërt. Të gjitha këto masa u morën për të mos lënë vend për asnjë dyshim tek maturantët. Agjencia Kombëtare e Provimeve ka miratuar një udhëzim që parashikon hapat që duhet të ndjekin maturantët për të marrë në duar fotokopjen e provimit. Kështu maturantët duhet të bëjnë një kërkesë me shkrim pranë shkollës së tyre dhe për të marrë testin e Gjuhës dhe Letërsisë kërkesa duhet të paraqiten në shkollë. Më pas, çdo shkollë dërgon pranë Drejtorisë Arsimore përkatëse listën e maturantëve që kanë kërkuar fotokopjen e testit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama