Provimit të djeshëm iu nënshtruan 47 mijë e 500 nxënës të shkollave 9-vjeçare në të gjithë Shqipërinë. Me këtë provim, ata finalizuan përfundimin e ciklit të plotë të studimit të detyrueshëm 9-vjeçar. Bazuar në atë çka pohuan specialistët e MASH, por edhe vetë nxënësit që dhanë dje provimin, testi ishte i një niveli mesatar. Specialistët e MASH thanë se provimi i Lirimit zhvillohet po njësoj si Matura Shtetërore, paçka se në testimin e djeshëm nuk kishte as detektorë dhe as zhurmues.
Në ndryshim nga Matura Shtetërore, në ambientet e shkollave nuk janë vendosur zhurmues për bllokimin e telefonave. E vetmja masë kanë qenë mësuesit, të cilët kanë pasur për detyrë të vëzhgojnë nxënësit për parregullsitë që mund të ndodhin gjatë zhvillimit të testit. Gazeta “Shekulli” ka pyetur disa nxënëse të shkollës “Edith Durham” për të mësuar nëse ka pasur ndonjë parregullsi gjatë provimit. Ndryshe nga ç’prisnim, në shumicën prej klasave të kësaj shkolle është kopjuar lirshëm.
Ka pasur edhe ndonjë mësues tek-tuk që e ka marrë procesin e provimit të matematikës, shumë seriozisht duke mos lënë asnjë nxënës të kthente kokën. Avia Marto, nxënëse e kësaj shkolle, pohon se të vetmit kontrollorë ishin mësuesit, të cilët kishin ardhur nga shkollat e tjera. “Që në fillim na kontrolluan, na morën të gjitha gjërat që kishim me vete, celularë, letra, kemi hyrë në klasë vetëm me një fletore.
Mësuesja që ishte në klasën tonë na u prezantua që në fillim, vinte nga shkolla “Gjon Buzuku” dhe nuk na ka lënë as të kthenim kokën”, thotë Avia. Ndryshe nga kjo e fundit, një tjetër nxënëse, Arla Sheshi shprehet se mësuesja e tyre ishte shumë e mirë duke i lënë të komunikonim për çdo lloj paqartësie apo ndihme që mund t’iu jepte. “Nuk e mbaj mend nga cila shkollë ishte, por na ka ndihmuar vërtetë shumë. Besoj se do të dalim shumë mirë.”
Me çfarë kuptuam nga vetë nxënësit, çdo gjë që ata kishin bërë në provim varej nga mësuesja administruese e provimit. Por, ka edhe të tjerë që thonë: “Ne i kemi bërë të gjitha mirë, varet nëse kemi fat në momentin që korrigjuesit do të marrin në dorë fletët tona.” Administratorët pranë shkollave 9-vjeçare në Tiranë thonë se janë marrë të gjitha masat, si në ndarjen e nxënësve nëpër klasa por janë kryer edhe kontrollet për ndalimin e mjeteve të komunikimit në ambientet e provimit. “Sigurisht që janë vendosur sipas një rregulli të caktuar që më përpara në bazë të rregullores së provimeve të lirimit.
Janë vendosur kryesisht 14-15 nxënës në çdo klasë, në çdo ambient të kësaj shkolle. Ne këtu kemi dhe shkolla publike dhe shkolla private. Janë bërë kontrolle dhe janë mbledhur të gjithë celularët e nxënësve”, thotë një specialiste e Drejtorisë Arsimore teksa del nga ambientet e shkollës. Ndryshe nga vitet e tjera, nxënësit e “Edith Drham” kanë dalë dje nga provimi me tezën e provimit me vete. Kjo do t’i ndihmojë ata ndoshta të konsultohen me njëri-tjetrin edhe pas përfundimit të provimit. Kjo, përpara se të publikohet skema e vlerësimit në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Sa i takon vlerësimit të testeve, këtë vit ka pasur një risi për nxënësit e shkollave 9-vjeçare.
Fletët e provimit të nxënësve nuk do të grupohen në qendra vlerësimi, ashtu siç ndodh në vlerësimin e testeve të Maturës Shtetërore, por do të korrigjohen pranë drejtorive arsimore përkatëse nga specialistë të ndryshëm, ndërkohë që korrigjimi do të jetë manual.
Këtë e pohon edhe drejtori i Arsimit parauniversitar në MASH, Fatmir Vejsiu. “Sa i takon mënyrës së vlerësimit, do të jenë 38 drejtori arsimore të cilat do të bëjnë korrigjimin e testeve në një kohë shumë të shpejtë. Kuptohet që Tirana do të ketë më shumë mësues për vlerësim, pasi ka më shumë ngarkesë. Komisioni do të jetë i përbërë nga dy mësues që do të kontrollojnë testet në mënyrë që vlerësimi të jetë sa më real. Ndërkohë që vlerësimi i këtyre dy mësuesve do të ballafaqohet me një vlerësues të tretë, i cili do të jetë vlerësuesi real”, sqaron Vejsiu. Ky provim ishte data e fundit e angazhimit të këtyre nxënësve në shkollë, për të hapur siparin e një cikli të ri studimesh, atë të gjimnazit.
Vlerësimi
Sipas rregullores së Provimeve të Lirimit, vlerësimi i përgjigjeve të nxënësve bëhet me pikë të cilat ekuivalentohen në notë. Vlerësimi i çdo përgjigjeje të dhënë nga nxënësi për kërkesën përkatëse, mbështetet në skemën e vlerësimit të përgatitur nga Agjencia Kombëtare e Provimeve. Skema e vlerësimit është një standard vlerësues i njëjtë për çdo nxënës. Bashkë me testet për çdo provim, AKP i dërgon Komisionit të Provimeve të Lirimit skemën e vlerësimit të testit. Kjo e fundit përzgjedh vlerësuesit në varësi të numrit të testeve dhe kohës së shpalljes së rezultateve.
“Numri i vlerësuesve është në varësi të numrit të testeve që vlerësojnë dhe kohës së shpalljes se rezultateve të vlerësimit. Vlerësimi i testeve realizohet në mjediset që përzgjidhen nga drejtoritë Arsimore, në kushte të përshtatshme dhe të sigurta”- thuhet në rregullore. Ndërkohë më tej përcaktohet se çdo test vlerësohet nga dy vlerësues. Çdo vlerësues nënshkruan testin që vlerëson. Kur midis dy vlerësuesve ka ndryshime pikësh për të njëjtat kërkesa, kryetari i vlerësuesve të lëndës cakton një vlerësues të tretë, vendimi i të cilit është përfundimtar. Komisioni ngre grupe që shqyrtojnë rast për rast të gjitha testet që raportohen si të dyshimta për kopjim. Shpallja e rezultateve bëhet jo me vonë se pesëmbëdhjete dite pas çdo provimi”- përfundon rregullorja e Provimeve të Lirimit.
Ulen kuotat e pranimit në universitete
Ndryshe nga ç’ka ndodhur vitet e mëparshme, në vitin universitar 2013-2014 nuk do të ketë një shtim të lartë të kuotave të pranimit. Kjo pohohet nga burime zyrtare pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Ata sqarojnë se propozimet janë dërguar në Ministrinë e Financave dhe shumë shpejt pritet të miratohen. Sipas MASH, kuotat e këtij viti universitar do të jenë ndoshta më të ulëtat në vite, krahasuar me vitet e fundit. “Në të gjitha shkollat e larta kemi propozuar një shtim të kuotave jo më shumë se 5%. Ministria e Financave mund të propozojë një rritje të mëtejshme të tyre, por asnjëherë më të lartë se 9%”, sqarojnë zëdhënësit e MASH. Sipas përqindjeve të përllogaritura në shifra reale, pritet që vitin e ardhshëm akademik të pranohen rreth 2 mijë studentë më tepër. Por edhe ky numër, sipas MASH, ka ardhur si pasojë e shtimit të 25 degëve të reja. Gjithsesi, veton do ta vendosë Këshilli i Ministrave.
“Në programet ekzistuese maksimumi janë shtuar 10 apo 20 kuota për çdo degë, sipas propozimeve që na kanë bërë universitetet. Vendet e reja për studentët sigurohen kryesisht në degët që ne hapim për herë të parë këtë vit. Ne propozimet tona i kemi bërë në përputhje me ato të universiteteve”, sqarojnë burime zyrtare nga MASH. Sipas tyre, për herë të parë maturantët do të mund të studiojnë për trashëgimi kulturore, disa degë të bujqësisë, të cilat u kanë munguar universiteteve të Tiranës, por edhe disa profile teknike që do të çelen në rrethe, sidomos në Peshkopi dhe Durrës. Specialistët sqarojnë se këtë vit MASH është përqendruar më shumë te cilësia, duke i dhënë prioritet infrastrukturës. “Shumë shpejt pritet të nisë nga puna kampusi i ri i Universitetit të Tiranës, i cili do të akomodojë rreth 15 mijë studentë”, sqaron MASH