Provimi’ me i veshtire ne jete

Provimi’ më i vështirë në jetë
Çfarë tiparesh kërkojnë të rinjtë tanë te partneri.Kohët kanë ndryshuar: Po nuk pate pasuri, nuk je i bukur dhe nuk je i shkolluar, vështirë është ta gjesh fatin e jetës.

Kjo, për arsye se të rinjtë tanë më tepër po e shikojnë interesin material se sa dashurinë.

Të rinjtë tanë, ashtu si të rinjtë e mbarë botës, vendimin më të rëndësishëm në jetë e konsiderojnë zgjedhjen e personit të jetës. Ky është “provimi” më i vështirë dhe më të rëndësishëm në jetë. Por, natyrisht që personi i duhur, apo shpirti binjak, nuk është edhe shumë lehtë të gjendet.

Madje, të rinjtë tanë thonë se për t’u lidhur me të dashurën, ata së paku duhet të jenë të përafërt, t’i kenë tiparet e njëjta, ndërsa edhe bukuria dhe mençuria luan rol të rëndësishëm. Por, jo të gjitha çiftet i vlerësojnë të njëjtat tipare të personit adekuat për të qenë pjesë e jetës së tij. Për disa më e rëndësishme është bukuria, kurse për disa të tjerë mençuria, pasuria, shkollimi.

Mençuria, morali, bukuria...

“Për mua me rëndësi është që e dashura ime të jetë e mençur dhe e shkolluar, ndërsa bukuria ka pak rëndësi tek unë. Po ashtu, virtyt tjetër i rëndësishëm është që të përshtatem edhe në ide dhe të dashurën time ta kem edhe shoqe, të kuptohemi për shumë gjëra të gjejmë gjuhë të përbashkët”, është shprehur Arjan Krasniqi. Ai ka thënë se edhe bukuria shikohet deri diku, por, për të nuk është vetëm ajo që të bën ta duash dike. Sipas Arjanit, në zgjedhjen e të dashurës së tij, me të cilën është bashkë tani e dy vjet më parë, nuk e ka vlerësuar shumë pamjen e saj, por virtytet e tjera, si mençuria, morali, shkollimi, prej cilës familje vjen etj.

Ndryshe nga Arjani, Besimi, rreth të 23 –ve, shprehet se për të më me rëndësi është bukuria se sa mençuria apo shkollimi. “ Unë konsideroj se më me rëndësi është që një femër të jetë e bukur se sa e shkolluar. Nuk ia vlen që të kesh të dashurën jo të bukur dhe që nuk është elegante. Unë e çmoj shumë bukurinë”, ka thënë ai. Ndërsa, Valmira e pohon të kundërtën. Ajo thotë se më e rëndësishmja për ta gjetur njeriun e jetës është që ai të jete i mençur, i shkolluar dhe për nga bukuria të jetë mesatar. “ Unë, më së shumti te një djalë e çmoj mençurinë dhe sinqeritetin, e më pas vijnë gjërat e tjera, që për mua janë dytësore; si vendi prej nga vjen, bukuria, karriera dhe pasuria”, është shprehur Valmira, duke shtuar që për të pak ka rëndësi bukuria te një djalë, pasi prioritet është sinqeriteti dhe mençuria.

Jeta është bërë interes

Mirëpo, ka edhe të rinj të tillë, të cilët me një vajzë dëshirojnë të jenë në lidhje vetëm për interes, pra nëse është e pasur dhe e bukur, ndërsa mençuria dhe sinqeriteti nuk kanë fare rëndësi. “ Në vitet e fundit, jeta është bërë interes, andaj për mua ka rëndësi që e dashura ime të jetë e pasur dhe e bukur, kurse jo edhe të jetë e mençur. Kur e ke të dashurën të pasur, nuk ke nevojë të punosh edhe për të”, ka thënë Besim Kastrati nga Prishtina.

Po ashtu, edhe shoku i tij, Basriu, është i interesuar që ta gjejë një vajzë e cila e ka nënshtetësinë e huaj dhe nuk i interesojnë fare gjërat e tjera. “ Më e rëndësishmja për mua është që një vajzë shqiptare t’i ketë dokumentet e vendeve perëndimore, ndërsa gjërat e tjera, si mençuria, bukuria, nuk kanë aspak rëndësi. Po e shoh që në Kosovë nuk ka perspektivë, andaj zgjedhja e vetme ka mbetur që të martohem me një vajzë me letra”, ka thënë ai. Pra, sipas tij, nuk ka fare rëndësi bukuria apo mençuria. Prioritet për të është që ajo të ketë letra dhe të jetë e moralshme.

Por, Valoni dhe Shpresa, të cilët dashurinë e tyre e kanë kurorëzuar me martesë, thonë se për ta me e rëndësishmja ka qenë që të gjejnë gjuhë të përbashkët, të jenë jo vetëm bashkëshortë, por edhe miq. “ Për mua nuk ka pasur rëndësi që burri im të jetë patjetër i bukur. Sjellja e tij, mençuria, sinqeriteti, e mbi të gjitha dashuria, më kanë lënë shumë përshtypje. Këto veti të tij kanë qenë rezultat i asaj që dashuria jonë të kurorëzohet me martesë”, është shprehur Shpresa. Sa u përket vetive që më shumë i kanë lënë përshtypje Valonit te Shpresa, siç u shpreh ai, kanë qenë sinqeriteti, mençuria, por edhe bukuria, ngase te vajzat më shumë çmohet bukuria se sa te djemtë.

“ Mençuria, sinqeriteti, sjellja dhe niveli i edukimit të Shpresës janë rezultat i kurorëzimit të dashurisë sonë me martesë. Ne tashmë i kemi bërë tetë vjet që jemi bashkë dhe asnjëherë nuk kemi pasur probleme. Shpresën e dua në atë masë që e kam dashur edhe në fillim dhe kalimi i kohës nuk e ka zbehur fare dashurinë tonë, përkundrazi, ka thënë ai.



/cdodite/

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama