Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut shpreh shqetësim lidhur me situatën e shkollave për minoritetin grek. PBDNJ i bën thirrje qeverisë që të respektojë detyrimet që rrjedhin nga Konventa për Mbrojtjen e Minoriteteve të Këshillit të Europës pasi nuk konstatohet asnjë përparim i dukshëm për sa i përket përmirësimit të gjendjes për shtrirjen e thellimin e arsimimit në gjuhën amtare te tyre.
“Dje vogëlushët e minoritetit etnik grek dhe jo vetëm ata, e filluan shkollën pa asnjë tekst në gjuhën e tyre. Është totalisht përgjegjësi e Ministrisë së Arsimit realizimi i kësaj detyre. Viti Shkollor fillon jo thjesht me mangësi por edhe me premisa të rrezikshme në drejtim të realizimit dhe zbatimit në praktikë të të drejtës themelore, të arsimimit në gjuhën amtare”, thuhet në deklaratën e PBDNJ-së.
Kjo forcë politike i kërkon qeverisë së re dhe ministres së Arsimit ngritjen e një sektori të posaçëm në nivel qendror e lokal për ndjekjen, përballimin e problematikave të krijuara e marrjen e përgjegjësive konkrete. Madje PBDNJ kërkon që fëmijët e minoritetit grek të mësojmë me tekstet shkollore të Greqisë.
“Neglizhimi i përballimit me realitetin e arsimimit për pjesëtarët e Komunitetit Etnik Grek sjell pasoja në drejtim të imazhit të vendit, tension të panevojshëm dhe thyerje të kohezionit shoqëror.
Nuk do të ishte e ekzagjeruar, por një hap domethënës i mirëkuptimit dhe europianizimit të brendisë ,qe për një seri tekstesh shkollore të Minoritetit Etnik Grek të realizohet përfshirja e atyre që përdoren në sistemin arsimor Grek, gjithmonë sipas rekomandimeve të specialistëve”, përfundon deklarata.