Provokimi me Marubin

Provokimi me Marubin
Artisti nga Shkodra në një bisedë mbi prezantimin në Ekspozitën e Artit Pamor "Onufri 2010". Kërkimi mbi imazh, "Portret gruaje" të Pjetër Marubit. Artan Draçini merr pjesë në "Onufri 2010" me diptikun fotografik "Pa titull". Në njërën anë rri puna e tjetërkujt, një portret i Pjetër Marubit, dhe përbri, autori prezanton "operacionin" që ai ka bërë mbi kopjen e portretit. Kush është autori secilës?

Draçini e quan një rast të provokuar, në kuptimin e gjestit artistik.

Në imazhin origjinal, një grua ka pozuar e ulur, para një sfondi me beze të zezë. Mban një qenush në prehrin e plotë që i krijon një fustan kërpudhë me pika. Ky kompozim "ngrihet" mbi një skelë dërrase.

Në foton konfrontuese, Draçini paraqet një imazh pa "inskenimin" pa "teatrin", pa memorien që ruan origjinali. "Heqja" e këtyre elementeve në foton ku shkruhet "Pjetër Marubi Portret Gruaje 1875-1903", është pjesë e një kërkimi që artisti nga Shkodra e komenton në këtë bisedë për "Shekullin".

Në çfarë rrethanash ju ra në dorë ky imazh i Pjetër Marubit?Kërkimi që keni kryer mbi të ku synon të arrijë?

Fillimisht më lejoni të them se mundësia për t'u shprehur për punën tënde është gjithmonë joshëse, me gjithë frikën e justifikuar se fjala mund të varfërojë dhe ngurtësojë nivelet e leximit të imazhit. Do të isha dakord me ju për termin "kërkim" që ju përdorni, por jo në kuptimin e studiuesit të fotografisë, historianit të artit apo kërkuesit shkencor.

Duhet të biem në një mendje që bëhet fjalë për atë lloj kërkimi që sheh si protagonist të lojës Institucionin, në një dialog të zgjatur në kohë me një motiv të caktuar, që në krijimtarinë artistike të autorëve të ndryshëm prodhon cikle apo një seri veprash që trajtojnë të njëjtën temë. Interesi im për fotografinë historike, veçanërisht të Marubëve, ka qenë pjesë e këtij procesi pyetjesh e përgjigjesh që shpreson të marrësh nga imazhet dhe ngjarjet e të kaluarës, në përpjekjet që çdo individ apo shoqëri bën në kërkim të një raporti sa më të saktë me identitetin e vet.

(Në këtë kontekst, veprat e ekspozuara të artit që nxiten dhe shërbehen nga fondi i trashëgimisë kulturore përbëjnë në vetvete apel për përkujdesje ndaj këtyre vlerave të vyera dhe institucioneve që i konservojnë). Kontakti me foton "Portret gruaje" të Pjetër Marubit, të botuar në albumin e vitit 2003 /Marubi- Shqipëria 1858-1950/ ka ardhur thjesht rastësisht si pjesë e këtij procesi interesi e shfletimi.

Konfrontimi i imazheve vë në dukje ndërhyrjen, "RETUSHIMIN", një "lojë" e njohur me fotografinë dokumentare në regjimin e kaluar.

Fotografia në fjalë të godet menjëherë jo vetëm për cilësinë e bukurinë e saj, por dhe nga prania e njëkohshme e dy momenteve diametralisht të kundërta, të huaja për njëra-tjetrën. Pamja fisnike dhe pse jo "aristokratike" e gruas që pozon mbi një podium tejet të vrazhdë, agresiv dhe të papërpunuar.

Kjo prezencë kontradiktore të nxit, instinktivisht, dëshirën për ta "pastru". Në këtë moment hyn në lojë ai "retushimi" (më së shumti në kuptim figurativ se sa fjalë për fjalë) i famshëm dhe i mirënjohur nga ne - dhe që ju me të drejtë përmendni - duke shkaktuar një deformim dhe ndryshim të atillë të thelbit të imazhit sa që rrjedhimisht lindin një varg pyetjesh.

Retushimi bëhet katalizator hamendjesh dhe dyshimesh që kanë të bëjnë jo thjesht me fatin e një fotoje. (Për saktësi fotoja në fjalë është botuar në albumin e vitit 2003 e paprekur dhe pa ndërhyrje.)

Në të vërtetë çfarë ka ndodhur me atë portret gruaje? Për çfarë qëllimi është "rinuar" ai imazh i mrekullueshëm?

Është "krijuar" artistikisht një shembull simbolik, tipizues i mënyrës sonë të të sjellurit me imazhet e të kaluarës dhe kujtesën tonë, në nivel individual dhe shoqëror.

Pyetjet që lindin në përfundim të një operacioni të tillë (të natyrës së ready-made-it) janë të ndryshme, në momentin që retushimi i ka zhdukur p.sh. personazhit që pozon podin e saj të "aktrimit". I ka fshehur "aktorit" skenën.

A kemi të drejtë të supozojmë se - përderisa gruaja pozon para kamerës - ajo "aktronte dëshirat dhe aspiratat" e saj - dhe që ne - 100 vjet pas jua rrëfejmë, vetes dhe fëmijëve tanë, si një realitet të përmbushur? Gruaja që pozon mund të ishte një e huaj që fotografohej në Shqipëri?

(Nisur nga të dhënat historike të kohës kjo është krejt e mundur). Sa prej memories sonë, personale dhe kolektive, është produkt i këtyre "retushimeve", koshiente apo inkoshiente qofshin?

Sa prej asaj çka ne mendojmë për veten tonë është rrjedhojë e fakteve të cituara jashtë konteksteve?

Me këtë prezantim në Onufri, ju bëni pa e pasur qëllim edhe një apel për gjendjen e koleksionit të kësaj trashëgimie kombëtare?

Ai që vesh rrobat e "artistit" është i interesuar të zgjojë pyetjet - përgjigjet janë në dorë të spektatorit. Ekspozita të tilla si "Onufri" janë një rast i bukur për të ndërtuar këtë lloj marrëdhëniesh e dialogu me publikun e artit.

Ju vazhdoni të jetoni në Shkodër, drejtoni galerinë e artit atje, me jo pak vështirësi. Nëse do të kishit mundësi financiare dhe njerëz që t'ju mbështesnin, çfarë do të bënit për galerinë?

Sa i përket aktivitetit të Galerisë së Arteve të Shkodrës, mund të them se problemet e institucioneve kulturore në Shqipëri, pavarësisht specifikave, mbeten të ngjashme. Ato janë probleme që rrjedhin nga nevoja për të ripozicionuar veten në një realitet që ka ndryshuar dhe ndryshon çdo ditë.

Si i tillë duhet parë si një proces dhe jo si një moment. Suporti financiar dhe njerëzor do të ndihmonte në realizimin sa më të mirë të atyre objektivave dhe misioneve që çdo galeri arti, muze apo institucion kulturor shpall publikisht. Me këtë rast falënderoj komunitetin e artistëve shkodranë për mbështetjen dhe kontributin në realizimin e aktiviteteve të ndryshme të zhvilluara pranë kësaj galerie.

Dy fjalë për veten tuaj, punën, interesat për artin.

Kam lindur në Shkodër në vitin 1965. Kam përfunduar studimet e larta për pikturë pranë ILA ( sot Akademia e Arteve Tiranë) në vitin 1987. Aktualisht punoj si përgjegjës i Galerisë së arteve të Shkodrës.

I përkas atij brezi artistësh që "Onufrin" e kanë ndjekur që në fillimet e tija - si pjesëmarrës (edicioni 2002, 2003, 2010) apo vizitor - dhe mbetet një aktivitet përherë i rëndësishëm për skenën artistike shqiptare. Besoj se simpatia ime për "Onufrin" dhe llojin e debatit që ai nxit, tregon njëkohësisht edhe për vetë qasjen dhe preferencat e mija ndaj krijimtarisë artistike.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama