Provokon Lagerbak: Anglinë e nxjerrim ne jashtë "Euros" Në ditën e djeshme ka bërë jehonë referendumi i Anglisë për daljen nga Bashkimi Europian.
Nga ky fakt ka përfituar trajneri i Islandës, Lars Lagerbak, i cili do sfidojë në fazën e 1/8-ve "tre luanët" duke ironizuar: "Shpresoj që të kontribuojmë edhe ne për t'i plotësuar dëshirën Anglisë të largohet nga Europa (qesh).
Mënjanë shakatë, jam i bindur se Hoxhson do të jetë i shqetësuar, pasi na ka studiuar shumë mirë dhe është i vetëdijshëm që nuk e pret një mision i thjeshtë". Më tej ai shtoi:
"Jam shumë optimist, pasi i shoh çdo ditë lojtarët e mi në stërvitje dhe jam i bindur që, nëse do të ruajmë organizimin tonë dhe do të tregojmë sërish vendosmëri për të fituar, mund të bëjmë surprizën kundër Anglisë.
Në këtë ndeshje i gjithë presioni është mbi kundërshtarin, kjo është një armë më shumë për ne", tha ai.