Ditë më parë në Kozenca të Italisë u bë përurimi i librit ë Anton Nikë Berishës “Prushi i bukurisë, përsiatje mbi artin e fjalës”.
Ky prezantim u drejtua nga Rosamaria Camodeca, me drejtimin skenik nga Roberta Vaccaro. Programi u hap me një interpretim artistik nga aktori Demetrio Corino, maestro violoncelist Spiro Pano dhe balerinat e vogla të grupit MT Dance nën drejtimin e Maria Toma-s, që së bashku i dhanë jetë vënies në skenë të një lloj teatri sensorial.
Më pas përshëndetën kryetari i bashkisë Ferdinando Nociti dhe këshilltarja për kulturën Caterina Marini, të cilët vunë në dukje organizimin e shfaqjes nëpërmjet një niveli të lartë profesional nga ana e anëtarëve te Shoqatës Kulturore “Medusa” dhe Agjensisë “Expressiva Cumunicazioni”. Presidenti i “Medusa”-s, Emanuele Armentano, vuri në dukje rëndësinë e poemës për ndikim pozitiv te lexuesi.
Mbrëmja u drejtua nga Avokati Alcide Simonetti dhe kumtesat u mbajtën nga përkthyesja e tekstit Albana Alia dhe inspektori i Ministrisë së Arsimit Francesco Fusca. Ata vunë në dukje që puna e prof. Berishes është sa komplekse por edhe harmonike dhe poetike. Ishte kjo një shfaqje me stil origjinal që përfshiu shqisat dhe shkaktoi emocione me qëllim të fundit kuptimin sa më të thellë të “Bukurisë”. Në fund të pranishmit i përshëndeti i autori Prof. dr. Anton Nikë Berisha.
(“Prushi i bukurisë, përsiatje mbi artin e fjalës”, në dy gjuhë: shqip dhe italisht, italisht është përkthyer nga Albana Alia: Il Fulgore della Bellezza. Riflessioni poetiche sull’arte della parola, botues Luigi Pellegrini Editore, Cosenza,2014 ).