Unë duhet ta urrej Ismail Kadarenë. Duhet ta urrej sepse jam maqedonase, kurse ai është shqiptar, ndërsa dy popujt tanë kanë qenë armiq për shekuj me radhë dhe kanë luftuar mes tyre jo më larg se një dekadë më parë. Duhet ta urrej sepse në një takim të kohëve të fundit të qendrave ndërkombëtare PEN, në Bled të Sllovenisë, ai ishte i vetmi që refuzoi të nënshkruante një peticion që kërkonte njohjen e Maqedonisë me emrin e saj kushtetues, peticion që u nënshkrua nga të gjithë shtatëdhjetë shkrimtarët anëtarë të PEN-it, ndër të cilët edhe pesë shkrimtarë të tjerë shqiptarë. Duhet ta urrej Ismail Kadarenë sepse është e dukshme që ai ka bashkëpunuar me regjimin e Enver Hoxhës, dhe nuk protestoi aq sa duhej kundër mizorive të komunizmit, mizori shumë të ngjashme me ato të Jugosllavisë komuniste, të cilat kanë lënë pasoja të pashlyeshme edhe në familjen time për më shume se tre breza. E megjithatë, pasi kam lexuar romanet dhe shkrimet e tij, jo vetëm që unë nuk e urrejë atë, por dua që ta shpall si kandidat për Çmimin Nobel për Letërsinë 2013. Më lejoni të shpjegohem se pse.
Kadare ka lindur në vitin 1936 në Gjirokastër, një qytezë e vogël si në përralla, diku mes maleve të jugut të Shqipërisë, e cila ka shërbyer si mjedisi ku zhvillohen ngjarjet e disa prej romaneve të tij, përfshirë romanin “Kështjella” (1970) (Angl. The Siege, 2008). Kjo qytezë ka edhe famën unike dhe ironike e të qenit vendlindja e Enver Hoxhës, diktatori që sundoi për një kohë të gjatë në Shqipëri. Kadare ishte gjithashtu pjesëtar i kuvendit popullor komunist për më shumë se pesëmbëdhjetë vjet, para se më në fund të kërkonte azil politik në Francë në vitin 1990-pesë vjet pas vdekjes së Hoxhës dhe në prag të shkërmoqjes së komunizmit në 1991. Ai ishte kryetari i një organizate kulturore që mbikëqyrej vazhdimisht prej Nexhmije Hoxhës, të shoqes dhe krahut të djathtë të diktatorit. Ai madje botoi romanin “Dimri i madh” (1977) një glorifikim i vendimit udhëheqës të Hoxhës për shkëputjen e Shqipërisë nga Rusia staliniste në vitin 1961.
Nga ana tjetër, disa prej librave të tij u ndaluan gjatë tridhjetë viteve që ai jetoi si shkrimtar në Shqipërinë komuniste. Ndër to renditet edhe romani që mendohet si më i miri i tij, “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” (1981; Angl. The Palace of Dreams, 1990), i cili heq një paralele të dukshme mes regjimit të Hoxhës dhe një vendi të trilluar ku ëndrrat shqyrtohen për të gjetur tek to shenja të disidencës politike. Prapëseprapë, në sajë të fuqisë së mendimit të tij të lirë, Kadare jo vetëm mbijetoi, por shkëlqeu si shkrimtar në një vend ku shkrimtarët zakonisht merrnin rrugën e ekzilit, burgoseshin ose ekzekutoheshin për sulme shumë më të vogla ideologjike.
Me qenë shkrimtar në Shqipërinë komuniste duhet të ketë qenë pak a shumë si me qenë kronikani i romanit “Kështjella”, roman i cili sikurse disidenca e Kadaresë, përbën një alegori të alegorisë. Në thelbin e vet, nuk është thjesht një kritikë e komunizmit, por edhe një refleksion mbi relativitetin kulturor të përfaqësim historik. Njëlloj si në fabulën e romanit “Kështjella” dhe po kështu-njëlloj sikur ka ndodhur në familjen time, në të cilën komunistë të vijës së ashpër, pjesë e klasës punëtore, socialistë liberal pjesë e borgjezisë, dhe antikomunistë konservatorë përziheshin dhe lidhin martesa mes tyre-jeta politike e Kadaresë nuk shpërfaq një kufi të qartë mes komunistëve “të këqij” dhe disidentëve “të mirë”. Në vend të kësaj, në prozën e tij letrare, Kadare përdor thjerrëzat e historisë për të shenjuar natyrën e ndërlikuar të kundërshtimit politik në përgjithësi. Kronikani i “Kështjellës”, një oportunist politik, për shembull, rrëfen historinë e përplasjes mes ushtrisë otomane dhe armikut shqiptar, histori e cila shndërrohet nga ana tjetër prej kritikëve bashkëkohorë në një rrëfim për përplasjen midis komunistëve dhe kundërshtarëve të tyre. “Kështjella”, sikurse disidenca e Kadaresë, është një alegori e alegorisë. Në thelb, nuk është vetëm e vetëm një kritikë ndaj komunizmit, porse një refleksion mbi relativitetin e përfaqësimit historik në një ushtri të madhe të Lindjes në kohën e Perandorisë Otomane.
Portretizimi që i bën Kadare Tursun Pashës, komandantit të ushtrisë otomane tek “Kështjella”, portret simbolik i Enver Hoxhës dhe diktatorëve ushtarakë kudo në botë, është shumë domethënës në këtë aspekt. “Nata ishte shtatzënë dhe ai ishte në barkun e saj, krejt i vetëm” është, për shembull, mënyra se si kronikani përshkruan gjendjen shpirtërore të Pashait në prag të rrethimit. Një personazh shumështresor në muzg të jetës së vet, i shqetësuar për tatëpjetën që ka marrë karriera e tij ushtarake, Tursun Pasha ndihet i shtypur peshës se detyrës vetjake dhe qytetërimit që përfaqëson, detyrë të cilën ai synon ta përmbush. Në barkun e mëdyshjeve të tij, ai përballet me vlerën e jetës së tij të kaluar si shërbëtor dhe shestues i një perandorie rishtare dhe mizore. Në fund të vrojtimit të tij sogjetar, qielli i përflakur që shfaqet kah Lindja është ogur i një rrethimi të përgjaktë, dhe vdekja e tij është i vetmi çlirim prej kufijve të perandorisë . Kësisoj, “barku i errët i natës” luan funksione të shumëfishta simbolike-ai është rravgimi i brendshëm i një njeriu që kërkon të shpëtojë prej peshës shtypëse të historisë, zgjedhës së një perandorie gjigande e cila shtrihet në drejtim të perëndimit, dhe, kjo nënkupton në mënyrë të pagabueshme, perandorinë komuniste të Stalinit. Vetvrasja e Tursun Pashës në fund të rrethimit thekson kuptimin e njëmendtë të kësaj metafore, vdekjen e tij e cila kthehet në “një lloj vendi të askundgjetshëm, i cili është jashtë pushtetit të ligjit, jashtë botës dhe Perandorisë.”
Një element tjetër i kritikës së Kadaresë ndaj regjimit të Hoxhës është sulmi i tij ndaj idesë së çkombëtarizimit, e cila tek “Kështjella” e ka zanafillën tek Padishahu, ose me një fjalë tjetër Sulltani, ide e cila ishte kaq e parapëlqyer në perandorinë më të vonë komuniste. “Padishahu i Madhërishëm” na rrëfen kryemjeshtri “ka caktuar të tjerë për t’u marrë me çështje të kësaj natyre. Ata të gjithë janë ustallarë të çkombëtarizimit… ustallarë në kalbjen dhe gërryerjen e kombeve.” Këta “zanatçinj” kryejnë “rrënimin e kombeve përsëbrendshmi, rrënim që ka si pikënisje dhënien e ofiqeve të larta, eh, bash kështu, kjo është e keqja që mund t’i ul [kaurët] në gjunjë.” Me fjalë të tjera, është ideologjia shumë më shumë se lufta ajo që mund të thyej një komb: “Nuk mund ta quash një komb të pushtuar derisa të kesh pushtuar shpirtin e tij.” Njësoj si komunizmi, i cili lindi e u përhap prej revolucioneve të përgjakshme, për të dështuar më pas, ushtria otomane nuk i thyen dot luftëtarët atdhembrojtës shqiptarë vetëm me anë të forcës; janë mendjet dhe zemrat e njerëzve ato që janë kështjellat e njëmendta të një kombi.
Kadare i kthehet kësaj teme në romanin e tij më të fundit “Aksidenti” (2010; angl. The Accident), në të cilin gjurmohet ndikimi zvetënues i vlerave të shformuara perëndimore në Evropën Juglindore post-komuniste. Tek romani “Aksidenti”, megjithatë, armiku nuk është një diktator komunist, por mësymja ideologjike e vlerave të pamëdyshta perëndimore, të cilat, në emër të lirisë, kanë shprishur thelbin moral të Shqipërisë post-komuniste.” Ndryshe nga autorët disidentë të regjimeve të ndryshme diktatoriale, Kadare nuk sheh dritë në fund të tunelit të historisë. Nuk ka shpëtim prej ciklit të përjetshëm të konfliktit dhe pajtimit. Lufta vazhdon, në mënyra shumë të ndryshme. Nuk ka kurrfarë shpëtimi në anën tjetër të kufirit, dhe as në pararojën e një revolucioni të fisëm. Në këtë kuptim, rrethanat e Shqipërisë së Kadaresë i sfidojnë ato të Josif Brodskit se ekzili, qoftë ai fizik apo mendor, është i vetmi reagim i arsyeshëm ndaj një regjimi shtypës. Për Kadarenë, mënyra e vetme për t’i rezistuar një diktature, qoftë ajo komuniste, koloniale, apo neokoloniale, është që ta luftosh atë, sërish e sërish pa pushim, nga brenda, që nga thellësitë e shpirtit që e mban gjallë. Ekzili nënkupton një besim naiv në epërsinë morale të një pale ndaj një pale tjetër. Dhe këtu gjen shpjegim kundërshtimi i Kadaresë për të nënshkruar peticionin e delegacionit maqedonas për të njohur emrin e Maqedonisë-si një gjest politik, peticione të tilla kërkojnë në mënyrë të pashmangshme që të pozicionohesh në një anë: “Ose jeni me ne, ose jeni me [ta],” sikurse thoshte Xhorxh Bushi. Roli i një shkrimtari nuk është të zgjedh njërën prej kaheve ideologjike që përplasen, t’u shërbej interesave të njërit apo tjetrit kah, por të angazhohet një nyjëtimin e një kritike të sinqertë dhe të gjithanshme të secilës sosh, dhe më së mbrami, të tërheq vëmendjen tonë kah ajo që ne të gjithë kemi të përbashkët-humaniteti ynë.
Të gjitha vërejtjet kryesore ndaj kandidimit të Kadaresë për Çmimin Nobel e kanë zanafillën tek i njëjti burim: paaftësia e receptuesve perëndimor për të hedhur pas krahëve provincializmin e tyre kulturor dhe për të vlerësuar një shkrimtar i cili nuk i përshtatet stereotipit të letërsisë botërore, që James English e përshkruan si një mélange shumë-kulturore me aromë lokale. Më e para ndër këto vërejtje, është ideja që Kadare në një farë mënyre nuk ishte disident aq sa duhej dhe bashkëpunoi me regjimin e Hoxhës, ide e cila buron prej një klisheje tipike perëndimore për disidentët anti-komunist si personalitetete të shquara të tipit Solzhenicin që botojnë veprën e tyre disidente në rrethana të jashtëzakonshme, dhe më pas emigrojnë në perëndimin shkëlqimplotë dhe të lumtur-një version hollivudian ky për disidentin e Evropës Lindore. Kadare, nga ana tjetër, i përket aradhës së të padukshmëve që i rezistuan regjimeve diktatoriale nga brenda, një sipërmarrje shumë më shumë shkurajuese dhe heroike. Kadare mbijetoi për më shumë se dyzet vjet duke botuar romanet e tij të pabujshme në shpalljen e tyre disidente porse kryekrejet anti-komuniste dhe nën hundën e diktatorit stalinist Enver Hoxha. E vetmja gjë që do t’i jepte më shumë përmasat e një heroi Kadaresë, do të ishte vdekja prej persekutimit (një mundësi që gjithmonë ekzistonte) dhe nëse do të kishte botuar shkrimet e tij heretike duke i shpallur si t tilla mu në vetë botën komuniste.
Vërejtja e dytë, që lidhet thjesht me orakullin e shijes letrare, është nyjëtuar prej kritikut të gazetës “The New Yorker” James Wood, dhe ka të bëjë me romanin më të fundit të Kadaresë “Aksidenti”, për të cilin Wood mëton se “ka letrsi me tepri dhe shpesh është i fuqishëm, por është deri diku tepër letrar, andaj dhe fijet e alegorisë janë tepër të dukshme, me një dallueshmëri të dhimbshme.” Ndërkohë që nuk është synimi i kësaj eseje të bëjë në thellësi analizën e këtij romani, është e qartë nga eseja e Wood-it se subjekti paraqet “një alegori të ngasjeve dhe vargonjve të tiranisë së re post-komuniste, lirisë.” Kadare ka guxuar të sulmojë shenjtërinë e të gjithë ideologjisë imperiale perëndimore-lirinë. Ai pati kurajon të tregonte se liria që pasoi komunizmin nuk ishte një fund i lumtur, siç e ka paraqitur shtypi perëndimor; në fakt, ka gjasë të dalë të jetë fund edhe më i keq se vetë komunizmi. Shtypi perëndimor, që e kishte problem të lëvdonte virtytet e prozës së Kadaresë ndërsa ai minonte në heshtje armikun e tyre ideologjik-dhe madje e kritikoi atë që ishte më shumë i heshtur se sa duhej, dhe tepër i sofistikuar në sulmet e tij-befas tani mendon se alegoritë e tij janë tepër të dukshme dhe jo shumë të sofistikuara. Del qartë në kritikën e Wood-it që kjo është çështje ka të bëjë më shumë me përplasjen ideologjike se sa me meritën letrare.
Vërejtja e fundit, që gjeti jehonë në “New York Sun” në vitin 2005, ishte ideja se vepra e tij është tepër e hijedritshme dhe tepër e vështirë për t’u përkthyer, vendi i tij është tepër larg dhe me nam jo të mirë për audiencën perëndimore madje edhe për ta kuptuar (e jo më për ta vlerësuar)-buron nga i njëjti egocentrizëm perëndimor që e bën të vështirë ta imagjinosh Kadarenë si një kritik shumëpërmasor të ideologjive konfliktuale. Temat e romaneve të Kadaresë-alegoritë e tij për perandoritë e vjetra dhe të reja; çështja e historisë dhe kuptimit të saj; besimi i tij i pabujë dhe megjithatë i përhershëm në qëndresën e shpirtit njerëzor-të gjitha këto shkojnë përtej kohës dhe kufijve. Konteksti i rrëfimeve të tij nuk është thjesht Shqipëria në pika të ndryshme të historisë së saj, jemi ne-lexuesit, dhe botërat që ne krijojmë në mendjet dhe zemrat tona. Gjuha e tij, poetike dhe në të vërtetë e vështirë për t’u përkthyer me të gjithë përshkënditjen e saj të shkëlqimtë, ruan fuqive e vet edhe pas përkthimit prej një gjuhe të dytë, si në rastin e përkthimit të romanit “Kështjella” (Angl. The Siege), roman që është përkthyer në gjuhën angleze nga frëngjishtja, dhe jo prej gjuhës origjinale, gjuhë shqipe. Të lexuarit e letërsisë, sikurse kontakti me dikë që është ndryshe nga ti, kërkon gjithherë njëfarë përpjekjeje intelektuale për të mos e braktisur një shkrimtar vetëm e vetëm se ai është i huaj, çka do të ishte jo vetëm një akt dembelizmi porse po ashtu një humbje për ne si dhe qenie dhe bashkësi njerëzore.
Së fundi, që të kthehemi tek çmimet Nobel, këta Oskarë të botës letrare, çfarë kuptimi ka për to idealizmi apo “një vepër letrare me kah idealist” sot? Idealistët nuk janë njerëz që jetojnë në një kullë të fildishtë, që hedhin sytë ç’prej dritares së tyre të ngushtë drejt një qielli të stolisur me gjethe palme, për të përfytyruar një botë të qetë, në paqe dhe të lumtur. Idealistët janë shpesh kundërthënës dhe nganjëherë krejtësisht përçmues. Për ta, një qiell i stolisur me gjethe palme ka më shumë gjasë të shprehë vezullimin dhe zbehtaninë e ngjyrave teknologjike të kulturës bashkëkohore pop se sa një oaz të ndritshëm të së ardhmes. Për Kadarenë, të vazhdonte të shkruante kritika të errëta porse të sigurta për një kohë komuniste tashmë të perënduar do të kishte qenë më e lehta rrugë; ai do ta kishte çimentuar autoritetin e tij si shkrimtar i madh i Evropës Lindore që ka kritikuar komunistët e ligj. Në vend të kësaj, ai zgjodhi rrugën më të parehatshme, si për të edhe për ne; zgjodhi të ngrejë pyetje më shumë se sa të gjejë përgjigje për to; pyetje që nuk gjejnë përgjigje në të tashmen, dhe ndoshta, nuk do të gjejnë përgjigje asnjëherë edhe në të ardhmen. Ky është idealizëm. Dhe kjo është arsyeja se pse ai duhet të fitojë Çmimin Nobel për Letërsinë në vitin 2013.
Referencat
-English, James. The Economy of Prestige: Prizes, Awards, and the Circulation of Cultural Value. Cambridge: Harvard University Press, 2005.
-Kadare, Ismail. The Siege. New York: Canongate, 2008.
-Kirsh, Adam. “Mystery of Man: Just Who Is Ismail Kadare?” New York Sun, June 27, 2005.
-Wood, James. “Chronicles and Fragments: The Novels of Ismail Kadare.” The New Yorker, Dec. 20 & 27, 2010.
*Autorja Nina Sabolik është doktorante e letërsisë angleze në Arizona State University. Ajo është në procesin e përgatitjes së disertacionit për efektet e emigrimit tek nacionalizmi në veprat e shkrimtarëve emigrant jugosllavë në Evropën Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara.