Askush nuk ka thënë se cilat ishin njohuritë e perandorit të madh të Francës, Napolon Bonaparti për Kinën, kur në vitin 1816 ka thënë se “Kur Kina do të zgjohet, bota do të dridhet”. Çfarë dinte ai nga bota e madhe e kinezëve po të marrim parasysh pamundësinë e botës së informacionit. Nuk gjendet një përgjigje, por fjalët e perandorit të madh kanë peshën e një profecie, kur sot vihet re një zgjim i madh kinez, por edhe një dridhje e pjesës tjetër të botës, asaj që ka komanduar krejt botën në të gjitha drejtimet. Nëse i referohesh historisë, njohësi i parë i botës së madhe kineze, Marko Polo, solli në Evropë përshtypjet e tij për Kinën dhe që pakkush i besoi. Ai ishte një reporter i talentuar, ku edhe vetë Venediku, aq i zhvilluar, i ngjante si një provincë e shkretë përballë atij realiteti që ai pa kur preku Kinën e largët që për vetë Evropën ishte një mister i madh.
Në kohën e tregtarit Marko, Kina prodhonte sa dy të tretat e pasurisë botërore, por që dy shekuj përpara se të prekte këtë vend të Lindjes së Largët, venedikasi Marko Polo, Kina kishte shpikur shtypshkrimin, krijonte produkte letrare, kishte shpikur barutin dhe busullën. Në kohën kur venedikasi Polo njohu Kinën, ishte edhe koha kur dinastia e mongolëve, Khan, kishte pushtet në këtë vend dhe për çudi janë lejuar të gjitha fetë e mëdha të Evropës dhe Azisë, budizmi, krishtërimi, hebraizmi dhe taoizmi. Njëmijë vjet para lulëzimit të Athinës, kinezët endnin dhe tregtonin mëndafshin e që më pas ata krijuan një perandori të tërë më këtë prodhim.
240 vjet para Krishtit ishin kinezët ata që studiuan kalimin e kometës Hallej, ndërkohë që shkenca e tha këtë gjë dhjetë shekuj më vonë. Pesë mijë vitet e fundit, kjo perandori e madhe nuk e ka lëshuar vendin e parë në të gjitha fushat e jetës. Këto e të tjera përparësi të së djeshmes së Kinës, kanë dëshmuar se ky vend, kjo epërsi nuk u krijua nga hiçi, nuk u krijua sot, por ato janë ecuri e mëtejshme e një zhvillimi të hershëm. Vitet më të errëta të saj kanë qenë vitet 1840, ku Anglia nisi një sulm ndaj Kinës në atë që ka hyrë në histori si “shekulli i poshtërimit”. Por ajo gjeti forca, e mbylli shpejt atë periudhë të errët, dhe elefanti kinez po njeh majat e zhvillimit të madh botëror. Bota po mban frymëmarrjen dhe sytë i ka kthyer nga Kina…
Gabimi, vetëm 200 milion banorë!
Kina pretendon se e kontrollon popullsinë e vet sidomos lindjet, dhe për këtë ka ligje të forta, por ka të dhëna se regjistrimi i fundit, ai i vitit 2005 e që regjistron se popullsia e përgjithshme është 1,3 miliardë banorë, shumëkush mendon se kjo shifër duhet të jetë më e madhe. Shtimi i popullsisë është gati i pafrenueshëm më gjithë se ka edhe ligj që nuk lejon lindjen e më shumë se një fëmije, sërish në Kinë ka zona të tëra që nuk janë kund në hartën e saj të popullsisë. prirja e përgjithshme kinezëve është që të kenë shumë fëmijë dhe nga frika e ndëshkimit ata nuk i dëshmojnë lindjet e reja. Kjo ndodh në zonat fshatare. Këtë kanë dëshmuar demografët amerikanë që kanë studiuar popullsinë kineze. Këtu nuk janë regjistruar kinezët që biznesi i ka çuar ata në të gjitha shtetet e botës, po të kemi parasysh edhe faktin se ata janë tregtarë të lindur. Dhe marshi i gabimit do të jetë vetëm 200 milion!!! Kina urbane ka 520 milion banorë, ajo ka shifrën më të madhe të përdoruesit të celularëve, rreth 310 milionë abonues, dhe 134 milionë përdorues të internetit. Çdo vit 20 milion fshatarë i braktisin fshatrat edhe pse rroga e tyre në qytet është më e ulët.
“Brezi Ikea”
Me këtë term njihen tridhjetëvjeçarët në Kinë, në provincat kryesorë që kanë ndryshuar tërësish jetën, mentalitetin e vjetër kinez të të jetuarit duke përqafuar atë evropian. Dhe shkak për këtë përmbysje janë bërë suedezët të cilët në disa qytete kryesore kanë hapur supermarkete moderne duke i joshur kinezët e pasur me ëndrrën për të jetuar si evropianët. Dhe suedezët në këtë pikë kanë qëlluar në shenjë. Kanë përqafuar një stil të ri të jetës, një mobilim ndryshe të shtëpive duke kombinuar traditën e tyre me stilin e ri suedez.
Evropianët të cilët kërkojnë të përjetojë çudinë kineze vizitojnë shpesh gjigantin aziatik dhe mbeten të çmerituar nga çmimet e lira. Është një botë e re e cila ka përfaqësuesit e vet 20-30 vjeçarët, por që mjerisht nuk mund ta prekin dot shtresat e ulta të cilat kanë një standard të ulët jetese. Sepse edhe ndryshimet klasore janë aq të theksuara ne Kinë, më tepër se në të gjitha vendet e zhvilluara të botës. Nëpër qendrat e qyteteve kryesore jeton elita e shoqërisë, në shtëpi- kulla prej xhami e betoni të cilat të lënë pa mend. Ka ambiente të tilla që nuk mund t’i gjesh edhe në Amerikë.
Formula Një
Sporti që është edhe simboli i teprimeve të shoqërisë së konsumit, u zhvillua në Shangai më 26 shtator 2006 sepse së pari këtë mundësi ua siguronte ky qytet i cili përbën edhe zemrën e zhvillimit botëror. Është qyteti i joshjes, i luksit të Kinës dhe kështu Kina hapi një faqe të re; bumi i motorizimit që po zhvillohej në Kinë do të bënte edhe sfidën e saj të re në atë të automobilave. Pista kryesore ishte ajo Shangai- Zhiading, një vepër që ka kushtuar 300 milion euro me një strukturë të veçantë, sepse ajo i ngjan një krahu të gjatë 140 metra që e parë nga lart krijon idenë e shkronjës kineze Shang. Ishte një spektakël televiziv që e ndoqi gjithë bota e që mbeti e shokuar nga përfaqësimi dinjitoz i asaj paraqitjeje aq spektakolare. Brenda një muaji u shitën 150 000 bileta e matrapazët e çuan këtë çmim deri në 500 dollarë. Nuk gjeje vend në hotele deri 200 km larg qendrës, për shkak të çmimeve të ulta, dyqanet u bashatisën për pak ditë.
Koha e motorizimit të Kinës e detyroi shtetin Kinez të rrisë investimet dhe atij i kanë mjaftuar dhjetë vjet për të ndërtuar një sistem rrugësh prej 35 000 km dhe projekti është që deri në vitin 2035 kjo shifër do të shkojë në 85 000 km. dhe motorizimi i këtij gjiganti kë detyruar që edhe gjigantët e mjeteve të motorizuara të ngrenë fabrikat e tyre në Kinë, sepse aty do të jetë edhe tregu më i madh i investimeve të tyre. Është një treg gjigant që po tërheq gjithnjë e më shumë investime në këtë fushë. Brenda vitit 2004 u investua 13 miliardë dollar, shumë kjo që rriti aftësinë prodhuese të automobilave në 6 milion mjete në vit. Në mes të qytetit gjen rrugë me tetë ndarje, ndërsa Pekini për olimpiadën e vitit 2008 ajo ndërtoi unazën e shtatë të qytetit. Por shtimi i madh i mjeteve të qarkullimit ka detyruar qeverinë të marrë masa shtrënguese të cilat konsistojnë në numrin e paktë të targave të mjeteve të cilat shiten me ankand. Kështu për vitin 2004, vetëm 6 800 qytetarë mundën të marrin targat dhe me të edhe një makinë. Çmimi i një targe ka shkuar deri në 2 600 euro, ndërsa për një targë në Pekin deri në 5 000 euro. Aty prodhohen mjete të motorizuara që në tregjet botërore shiten me 30% më lirë nga makinat e tjera.
Adresa e internetit
Kinezi quhet Ma Ju, jeton në një qytet të vogël pranë Shangait, por që fut në xhep çdo ditë 100 000 dollarë . Ai ishte 39 vjeç në vitit 1999 dhe shpiku adresën e internetit. E-bay, Yahoo, Amazon, Alibaba. com janë adresat ku ka shtatë milion importues nga gjitha bota që kanë lidhje me 2 miljon biznese. Dhe gjoba për çdo biznes është 5 000 dollarë në vit për ço biznes e quajnë “babai i internetit” në Kinë, është komunisti më i pasur i botës, numri i vizitorëve është 134 milionë edhe Toni Bler kur shkon në Kinë nuk mund të largohet nga Kina pa takuar Ma Ju.
Vetëm Alibaba ka 2 000 punonjës në gjithë botën, ai vetë është rrëzuar tri herë nga e drejta për të hyrë në universitet duke u detyruar të ndjekë një shkollë të dorës së dytë. Shumë kohë shoqëronte turistë anglezë për të perfeksionuar gjuhën. Në vitin 1995 ai ishte përkthyes mes një biznesi amerikan dhe një kinez që kishin fituar një tender për një rrugë nacionale. Por dikur ortakët u grindën dhe përkthyesin e mbajtën peng duke e kërcënuar edhe më pistoletë.
Ai shpëtoi më shumë nga fati dhe vrapin e kishte ndalur në një kazino në Las-Vegas, ku edhe kishte fituar 600 dollarë. Para se të kthehej në Kinë, ai vizitoi një të njohurin e vet në qytet dhe aty pa për herë të parë një kompjuter. Mbeti i hutuar, madje mendonte se po të prekte qoftë edhe tastierën, aparati do të prishej dhe do ta quante veten të mbaruar. I kishte kërkuar të zotit të shtëpisë që të kërkonte aty një adresë ”birra” dhe që aty i lindi ideja që të ndihmonte firmat kineze që të njiheshin në botë. Dhe që nga ajo kohë ai nuk iu nda më internetit, nuk del në publik, pak njihet në ambiente të gjera, ka gruan një djalë dhe tri qen.
Mesatarja është 53 vjeç
Marrëveshja e Kiotos, e cila konsistonte te masat e mëdha që duhet të marrin qeveritë e botës për të ulur ndotjen e ambientit, i dha Xorxh Bushit një mësim të madh, por këtë herë nga Kina. Vetë Amerika e shkeli marrëveshjen e Kiotos, ndërsa Kina po merr masa të forta kundër ndotjes. Amerika është edhe ndotësi më i madh i botës, dhe tani që Kina po motorizohej, shumëkush mendonte se tani do të ishte Kina ndotësi kryesor, por kjo e fundit mori masa të forta të cilat kufizonin shkarkimet e gazrave në natyrë. Kina e madhe tani duhej të merrte masa shtrënguese. Pluhuri i helmët që endet mbi qytetet kryesore të Kinës, nuk u anashkalua edhe nga autoritetet komuniste.
Dhe në vitin 2004, nga studimet e kryera, u konstatua se 75% e banorëve të qyteteve vuajnë nga patologji të shkaktuara nga ndotja, kryesisht nga tumoret në mushkëri. Kjo është edhe arsyeja që jeta mesatare në këto qytete është vetëm 53 vjeç, ndërkohë që gjetkë është 72 vjeç. Ngrohja në Kinë sigurohet me qymyr i cili është si hoje (vrimat ndihmojnë që të digjet më mirë) dhe gjen përdorim të gjerë. Kështu ky bum ekonomik vihet në lëvizje nga qymyri i gurit. Ka 28 000 miniera të qymyrit të gurit, centrale me qymyr, kompjuteri merr energji të prodhuar nga qymyri, furrat e betonarmesë me qymyr, furrnaltat, është krijuar një impiant për lëngëzimin e qymyrit. Falë teknologjisë moderne, nën një trysni të lartë, qymyrit i injektohet hidrogjeni dhe në temperaturë të lartë qymyri shkrihet dhe krijohet karburant i lëngshëm i çdo lloji. Dhe satelitët kanë filmuar re të tëra të zeza që enden mbi kurorën e qyteteve.
Nuk ka lajme nga Bagdadi, Mosuli, Irani, por nga minierat e zeza të Kinës, ku minatorët e vdekur përditë i nxjerrin shokët mbi barrela. Ka një mrekulli kineze, por ka edhe një botë tjetër ajo e xhunglës, e mjerimit, e skllavërisë të mishit për top, ku industrialistët kinezë mbajnë në minierat e tyre plot 6 milion kinezë. Në masat që kanë marrë kinezët për të ulur ndotjen, hyjnë edhe makinat më pak në raport me numrin e popullsisë, harxhimi më pak i lëndëve djegëse, ndërtimi i shtëpive më të ngrohta, përdorimi më pak aparate që kërkojnë energji dhe kështu, sot është një bilanc i tillë; një kinez prodhon çdo vit 1,1 ton shkarkime karbonike, një italian dhe francez sa dyfishi i një kinezi, një gjerman 3,4 tonë, ndërsa një amerikan sa gjashtë kinezë. Kështu, pas Amerikës, Kina është ndotësi i dytë, Amerika lëshon çdo vit në atmosferë 1 850 milion tonë shkarkime karbonike, ndërsa Kina 1 400 milion tonë në vit.
“Truri” kinez
Sipas një studimi shkencor është vënë re se nxënësit aziatikë, sidomos kinezët, janë në pararojë të studimeve në të gjitha fushat e dijes e sidomos në matematikë. Kjo i ka detyruar amerikanët që së fundi të importojnë programe kineze për arsimin duke futur këtu edhe metodat e mësimdhënies. Kështu faktoi edhe një organizatë botërore me qendër në Paris që mbledh për çdo vit mijëra studentë të elitës nga të gjitha vendet e botës të cilët u nënshtrohen testeve të ndryshme të një niveli shumë të lartë. Rezultatet kanë treguar se të parët janë studentët aziatikë, ndërsa për disa vite rresht, amerikanët janë poshtë vendeve të mesit. Në provimin e matematikës të parët janë klasifikuar studentët kinezë. Studiuesit kinezë këtë përparësi ia dedikojnë një autoriteti absolute dhe një disipline të hekurt në shkollë. Përfundimi i një studimi ka kërkuar që nga Kina të importohen mësues, të brumosur me disiplinën konfuciane.
Kjo prapambetje në Amerikë ka sjellë edhe pasoja të tjera ku për shumë vite rresht në Amerikë mungojnë inxhinierë, matematicienë, fizikantë, biologë, duke i detyruar autoritetet amerikane të marrin talente jashtë saj. Nga ana tjetër, po joshen firmat amerikane të cilat po zhvendosin kapitalet e tyre drejt gjigandit aziatik, jo vetëm se atje gjen talente, por edhe se Kina është një treg i madh industrial. Shkencëtari amerikano-kinez, Stiv Çeni, edhe pse po afrohej te të gjashtëdhjetat dhe kishte tridhjetë vjet që kishte prekur bregun e Paqësorit, befas një ditë vendosi të braktisë Amerikën. Do të rikthehej në vendlindje, në Kinë. Amerika shfaqi shqetësimin se po i ikën truri të cilin e kishte përgatitur vetë. Dhe viteve te fundit kjo u përhap si një epidemi. Kinezi ishte një nga “etërit” e superkompjuterave, por që prodhohen në sasi të kufizuar. Këto pajisje, përdoren në kërkime ushtarake. Truri që për shekuj ishte njëkahëshe, tani po lëviz në drejtim të kundërt. Mrekullia kineze i ka detyruar studentët, shkencëtarët kinezë që të ndërrojnë drejtimin e jetës së tyre. Ato po kthehen drejt Kinës, falë mrekullisë kineze. Ikja e kinezëve u dha si një alarm në medjan amerikane. Tani frika kishte tjetër ngjyrosje. Kina mund të prodhonte supërkompjutera.
Teknologjinë njihte mirë “babai’ i tyre. Kina mund të prodhonte teknologji te reja ushtarake. Armën e fshehtë tani e kishte marrë një tjetër gjigant i cili po trondiste botën. 500 superkompjuterat më të fuqishëm ka bota, dhe pjesa më e madhe ndodhet në Amerikë. Por lindi një tjetër kompjuter. Tani në Kinë ku punon profesori me origjinë kinez, u prodhua një tjetër kompjuter, i dhjeti në botë për nga shpejtësia. E Kina tani ka 14 të tillë. Ngjarjet e 14 shtatorit i ka bërë amerikanët më skeptikë në dhënien e vizave e kjo ka vështirësuar edhe prurjen e trurit “specifik” në brigjet e Paqësorit. Nga ana tjetër, zhvillimi i teknologjisë në këto vitet e fundit është më e lartë dhe më e shpejtë në Kinë se sa në Amerikë. Sa studentëve të talentuar e gjejnë veten më shpejtë në Kinë. Vetëm në vitin akademik 2004-2005, kërkesat e studentëve kinezë për të studjuar në Amerikë u ulën deri në masën 45 %. Kjo ulje e konkurueshmërisë ka sjellë të tjerë parametra. Studentët amerikanë zgjedhin për të studjuar universitete të tilla si të drejtësisë, ekonomisë, dhe shumë pak në shkencat ekzakte. Dhe ja bilanci; 38% e shkencëtarëve të Amerikës janë jo amerikanë.
Teni i vogël dhe Kina e madhe
Ten Hsiaho Pini një emër që shqiptarëve mbi moshën tridhjetë vjeç u thotë diçka, mbahet sot në Kinë si babai i kapitalizmit kinez. Është quajtur një nga mendjet më të ndritura të botës ky njeri trupshkurtër, por me mendje gjeniale. Ai rridhte nga shtesat e borgjezisë. Shtëpia e tij kishte 22 dhoma , por në kohën e revolucionit ajo u nda për 14 familje. Studimet i kreu në Paris, ku u lidh edhe me lëvizjen komuniste. Origjina e tij i kishte dhënë perceptimin ndaj pronës private duke i dhënë njëherazi edhe instinktin e lirisë ekonomike. Gjithë shekulli XX i Kinës ngërthehet me emrin e madh të këtij njeriu trupvogël. Ai e kuptoi vendin e tij të madh më mirë se kushdo tjetër njeri të kohës së vet.
Atij i takon ajo shprehja e famshme: “Nuk ka rëndësi nëse maçoku është i bardhë a i zi, mjafton që të kapë minj” reformat e mëdha që ai ndërmori nga vitet 1978 deri në vitin 1989 e çuan vendin në shndërrime të thella ku u hodhën edhe themelet e ekonomisë së re të tregut në Kinë. Ideologjisë socialiste te Teni, ia zuri vendin pragmatizmi e për këtë ai u mbështet kryesisht nga klasa e mesme, dhe për çudi edhe nga të rinjtë që e njihnin aq pak sistemin komunist. Ai njihte pushtimin japonez, luftën civile ndërmjet komunistëve dhe Guamindanit, ndoqi revolucionin Maoist të vitit 1949, kolektivizimi i detyruar, revolucionin kulturor, përjetoi pozitivisht shkrirjen e akujve në marrëdhënien me Amerikën dhe për fatin e tij e të gjithë Kinës, ai u shpëtoi spastrimeve të rrepta të komunistëve kinezë, ku siç dihet ishin aq mizore. Mbrojtësi i tij i përhershëm ka qenë Çu En Lai, dhe ai ka vepruar gjithnjë pas perdes. Kur ndihej keq për shkak të politikave ekonomike të liderëve të vet komunistë ai, befas ikën nga skena politike, fshihet dhe del në kohë tjetër.
Dhelpëria e tij funksionojë, por të birin, maoistët në kohën e revolucionit kulturor, gardistët e kuq, e flakën nga dritarja e universitetit duke e lënë atë të paralizuar përjetë. Ndihmoi në rrëzimin e bandës “së të katërtëve” (kriminelë komunistë). Vizitën e tij në Amerikë e kanë komentuar gjatë dhe amerikanët e kanë shpallur dy herë “njeriu i vitit” kur kërkonte mbështetje për reformat që mendonte ai u thoshte njerëzve që e rrethoni “hesht dhe do të të bëjë të pasur”. Një thënie faustiane që përdoret edhe sot në Kinë. Pa emrin dhe frymën e Ten Hsia Pinit, shekulli kinez nuk do të kishte këtë paraqitje. Ai vdiq në vitin 1997.
Armatosja atomike e Kinës
Shumë herë Kina e kishte paralajmëruar Amerikën se ajo po përgatitej për armët atomike. Amerika ishte gati të realizonte edhe një goditje ndaj bazave ku mendohej se ishin qendrat e këtyre përgatitjeve, por dikur ajo e largoi këtë ide. Nga ana tjetër, Kina bëri sensacionin e vet. Në shkretëtirën e Mongolisë së thellë në vitin 1964, Kina bëri shpërthimin e saj bërthamor. Tashmë lufta e ftohtë ndryshoi pamje. Veç Amerikës dhe B.S. tani në këtë fushë kishte dalë edhe Kina. Kjo shënoi edhe rilindjen shkencore të saj. Dikur Mao Ce Duni ishte shprehur se bomba atomike është “një tigër prej letre”, por tani ai u shpreh se fatin e luftës nuk e vendosin armët, por popujt. Deklaratat e mëvonshme të Kinës për fushën bërthamore, ishin ato të një vendi komunist që i kishte shpallur luftë imperializmit dhe revizionizmit.
Por më herët, kinezët kishin hyrë në tratativa me sovjetikët për të sfiduar perëndimin, ShBA.-në. Që në vitin 1951 kinezët ishin zotuar se do të bënin furnizimin me uranium në këmbim të ndihmës sovjetike për kërkimet bërthamore. Teknologjia e Moskës u shpërngul drejt Kinës, madje Moska do t’i dhuronte një model-tip A të kësaj bombe. Por ndodhi prishja. Moska u tërhoq nga projekti i vet e kjo kishte sjellë edhe një acarim të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy gjigantëve të botës. Që në vitet 1956, kur Maoja i kishte parë me skepticizëm sjelljen e Hrushovit, Kina kishte ushqyer se ajo pretendonte se do të ishte lider i ri dhe i fuqishëm i kampit komunist. Moska shprehu supermacinë e vet kur tha se ” pa ndihmën tonë Kinës do t’i duheshin 20 vjet të shpikte bombën atomike”.
Maoja bëri gabimin fatal që i kushtoi aq shumë Kinës; ai filloi të industrializojë krejt vendin duke zbehur investimet në bujqësi. Kjo nismë solli 30-50 milionë të vdekur në Kinë. Ishin viktima të zisë së bukës dhe dikur ajo ia doli mbanë. Ia doli me ndihmën e dy shkencëtarëve të saj, shkencëtarë të kalibrit botërorë, “dy Qianët”, mbasi të dy shkencëtarët quheshin Quan. Prova e vitit 1964 acaroi së tepërmi luftën e ftohtë. Shkenca ushtarake njohu rritje pas rritjesh dhe në vitin 1970 mes etheve të lëvizjes së gardistëve të kuq, Kina nxori në orbitë satelitin e parë i cili do t’i binte qark Tokës duke transmetuar “Lindja është e kuqe”. Bumi ekonomik i Kinës së mijëvjeçarit të tretë, përgatiti shkencëtarë të kalibrit botëror dhe në këtë fushë ajo i konkurron Amerikës.
Një statujë e Marko Polos
Është një qytet i bukur buzë një liqeni të kaltër që të mban të mbërthyer. Gjelbërim, pyje të dendura, më tej banesa të lashta parandorake, kështu kjo qytezë është një vend i bukur turistik. Kjo qytezë është një ndër shtatë kryeqytetet e Kinës dhe në mes të tij ndodhet një statujë. Tregtari venedikas Marko Polo ai që solli i pari emrin e kinës në Evropë, e që e gjeti atë nëpërmjet “rrugës së mëndafshtë” në vitet 1292 dhe 1294 e nga kjo qytezë me traditë në fushën tekstile, Kina po përgatitet të pushtojë botën me industrinë e saj. Një marrëveshje më O B T-në që ka hyrë në fuqi në vitin 2005, ka shumë mundësi që të shënojë edhe fundin e shumë industrive të pasura të botës, sepse në tregun botëror tani po del një gjigant i ri, që në këtë fushë është vërtet lider. Qyteza ka 7 milion banorë dhe në krah të fabrikave të shumta janë ndërtuar edhe fjetore punëtorësh, e më tej mensa, shkolla, kopshte e çerdhe. 400 kompani botërore, nga 28 vend të botës, kanë ardhur këtu për të investuar. Bota tekstile mbajti frymën. Pambuku “Made in China” mbyti tregun e botës me prodhime të mira dhe të lira. Përballë saj nuk ka konkurueshmëri. Paga e një punëtori është 45 euro në muaj, një administrator ka pagën 100 euro në muaj.
Nuk harrohen që poshtë, në fushat e pamata janë fshatarët; baballarë, nëna, bijë që shesin punën e tyre 180 kg pambuk dhe fitojnë 3 euro. Kaq është edhe paga ditore për një punëtor. Punëtorët kinezë janë ndër punëtorët më të disiplinuar të botës. Dhe përdorin makineri të fjalës së fundit. Kjo qytezë ka ndërtuar një sistem rrugësh me tetë korsi, ka ndërtuar aeroportin e vet me fluturime për në Amerikë e Evropë. Dhjetëra shoqëri kanë sjellë aty financimet e veta dhe përgjatë rrugës që të shpie në Shangai, të marrin sytë dhe mendjen rrokaqiejt. Statuja e Polos ka një simbolikë. Evropianët, dhe jo vetën ata, merrnin rrezikun me sy nëpërmjet “rrugës së mëndafshit” për të shtënë në dorë këtë prodhim të tokës kineze që për 1000 vjet sundoi tregjet e lindjes e të perëndimit. Edhe në vitin 1820, kur filloi edhe një rënie e ekonomisë kineze, prodhimi i përgjithshëm bruto i Kinës përbënte 33% të pasurisë botërore. (Amerika edhe në vitet e veta më të arta, nuk e ka kaluar shifrën 22%) Grupi që drejton këtë dinasti tekstile janë me kartën e anëtarëve të Partisë Komuniste kineze.