Ajo nuk do ta kishte imagjinuar kurrë se femrat do të ishin mazhoranca e forcës punëtore. Nëse do ta pyesnim sërish atë punëtore, se a do të ishin të lumtura femrat pasi të kishin poste të rëndësishme në shoqëri, natyrisht që përgjigjja e saj do të ishte "po". Por, në fakt, nuk është kështu. Sipas studiuesve, niveli i përgjithshëm i lumturisë së femrave është ulur gjatë këtyre 40 viteve të fundit. Rënia nuk varet nga fakti se femrat kanë një ose më shumë fëmijë, situata ekonomike, gjendja shëndetësore, puna që kryejnë dhe nëse janë ose jo të martuara. Femrat e fillojnë jetën më të lumtura se meshkujt, por kur shkojnë drejt fundit të ekzistencës së tyre, nuk janë më aq të lumtura sa në fillim. Lumturia martesore e femrave ulet më shumë se ajo e meshkujve kur janë 39 vjeçe, në moshën 41-vjeçare ulet kënaqësia ekonomike, në moshën 44-vjeçare femrat janë më të pakënaqura se meshkujt rreth asaj që kanë arritur. Në moshën 47-vjeçare femrat nuk janë dhe aq të lumtura për jetën e tyre sa meshkujt. Kështu, kurba vazhdon të zbresë. Trajektorja është koherente dhe vazhdimisht në rënie. Ndërsa për meshkujt ndodh e kundërta: deri në një farë pike, kurba rritet dhe kur meshkujt e femrat arrijnë të 50-at, fatet e tyre ndahen.
"Unë nuk do të përdorja fjalën hidhërim. Do të flisja më tepër për lodhje, diçka spontane që pushton jetën e përditshme", thotë një docente e psikologjisë sociale në Universitetin e Milanos. "Gratë kanë marrë mbi vete shumë përgjegjësi. Jeta është shumë e vështirë dhe jo gjithmonë i ka shpërblyer me çmimin maksimal. Nga përgjegjësitë e mëdha, ka më shumë gjasa të zhgënjehen. Jo rastësisht pakënaqësia fillon të rrënjoset te femrat nga mosha 45 deri në 47 vjeçe. Kur arrijnë në këtë moshë, femrat shohin se sa kanë investuar në punë, familje e shoqëri dhe nuk marrin atë që meritojnë. Tani meshkujt janë më të lumtur se femrat. Gjithashtu lumturia përcaktohet edhe në bazë të asaj që kemi përballë. Për shembull, në vitin 1972, femrat ballafaqoheshin me femra të tjera brenda grupit. Tani ballafaqohen edhe me meshkujt dhe shikojnë se gjërat nuk shkojnë dhe aq mirë".
Femrat duhet të mbulojnë shumë detyra, si në punë, ashtu dhe shtëpi. Duhet të kujdesen për fëmijët, bashkëshortin, duhet të gatuajnë, të pastrojnë, pra të bëjnë gjithçka. Në fakt, 50 për qind e femrave që punon, e ka të vështirë të krijojë familje dhe në të njëjtën kohë të punojë. Një vështirësi që ul dëshirën për të bërë fëmijë, ndërkohë që shumë femra do të dëshironin, por shumë pak kanë guxim. Femrat janë të lodhura dhe kur vështrojnë përreth e kanë të vështirë të fokusohen te modelet që shohin. Është krijuar një mendim tragjik mbi feminilitetin. Janë të fiksuara për të bërë ndryshime në trup dhe për të larguar përgjithmonë rrudhat.
"Nga studimet, është vënë re një problem tjetër, shumë i bezdisshëm për femrat: ai i kohës që asnjëherë nuk mjafton. Femrat që punojnë shumë nuk kënaqen me kohën e tyre të lirë, jo për cilësinë, por për sasinë. Zakonisht femrat punojnë më shumë se meshkujt, kështu që e vlerësojnë jashtëzakonisht autonominë e tyre. Nuk duan të heqin dorë, pavarësisht angazhimeve të shumta dhe mbështetjes së pakët nga ana e partnerëve", thotë një studiuese. "Unë mendoj se hidhërimi për femrat i detyrohet më shumë vetmisë se sa mungesës së profesionalizmit. Një dështim në punë nuk përjetohet si tragjedi.
Unë nuk shoh gra të shkatërruara nga mungesa e suksesit. Për femrat është më e dhimbshme të mos kenë jetë sentimentale: mungesa e një mashkulli, e përkëdheljeve dhe e fëmijëve, kjo i bën të vuajnë. Gjatë këtyre viteve shpresoja të shihja femra më të forta, më protagoniste, më fitimtare, por fatkeqësisht nuk ndodh kështu. Gjithsesi, për të mos i dekurajuar femrat, po u them se edhe meshkujt nuk janë të lumtur. Si femrave, ashtu dhe meshkujve, u mungon një perspektivë, një orientim. Na mungon një ëndërr që më parë e kishim", përfundon ajo.