Që në fillim të këtij shkrimi do të dëshiroja të bëja të ditur për të gjithë ata që synojnë ndihmesë konstruktive ndaj letërsisë për fëmijë dhe të rinj, se termi i pranuar ndërkombëtarisht nga botuesit, shkrimtarët, studiuesit, kritikët, bibliotekarët, leximtarët (story-tellers) është letërsi për fëmijë dhe të rinj, emërtim që nënkupton se kjo letërsi u drejtohet moshave nga 3-18 vjeç, pavarësisht se letërsia e mirë nuk njeh moshë dhe në shumë raste janë të rriturit ata që lexojnë me endje libra për fëmijë dhe adoleshentë. Organizata më e njohur ndërkombëtare që grupon shkrimtarët, botuesit, studiuesit dhe ilustratorët e kësaj letërsie quhet IBBY (International Board of Books for Young People – Bordi Ndërkombëtar i Librit për të Rinj) dhe e ka qendrën në Bazel të Zvicrës.
Shqipëria është anëtare e kësaj organizate që nga viti 1991 dhe seksioni shqiptar i IBBY-t ka organizuar në vitin 2000, me mbështetjen financiare të BE-së, një takim të gjerë ballkanik me shkrimtarë për fëmijë dhe të rinj. Ende edhe sot asnjë vend i Ballkanit nuk ka mundur ta organizojë një aktivitet të tillë letrar. Letërsia shqipe për fëmijë dhe të rinj doli nga periudha komuniste me një skematizëm dhe ideologjizim të skajshëm, me një traditë relativisht të varfër para vitit 1944. Megjithatë, pati edhe arritje. Hapja ndaj Perëndimit i gjeti shumë prej shkrimtarëve të papërgatitur për përballjen me realitetin e ri dhe temat që në Perëndim ishin trajtuar prej dekadash.
Pas një periudhe të shkurtër zbatice, krijimtaria letrare rinisi mbi një shtrat të ri dhe në të vijuan të jepnin kontribut autorë me përvojë, si Bedri Dedja, Gaqo Bushaka, Odhise Grillo, Naum Prifti, Shpresa Vreto, Bardhyl Xhama, Skënder Hasko, Dionis Bubani, si dhe shkrimtarë të brezave më të rinj, si: Astrit Bishqemi, Viron Kona, Viktor Canosinaj, Vangjush Saro, Sokol Jakova, fabulisti i mirënjohur Ferit Lamaj e për të ardhur deri tek autorët e suksesshëm të viteve të fundit, si Shkëlqen Zalli, Fatmir Gjestila apo Agim Bajrami, dhe shumë e shumë autorë të tjerë. Autori u kërkon falje atyre shkrimtarëve që nuk janë përmendur në këtë shkrim. Studimi i kësaj letërsie po ashtu pati hop cilësor me studiues si Ramazan Çadri, Astrit Bishqemi dhe së fundi Muharrem Jakupi.
Letërsia shqipe për fëmijë dhe të rinj filloi të trajtonte tema tepër të mprehta të kohës, si mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, shfrytëzimin e tyre, trafikimin, problemet familjare dhe ato të divorcit, marrëdhëniet prindër-fëmijë, dashurinë e parë tek adoleshentët e plot tema të tjera të bëra të prekshme për shkak të fenomeneve të reja që solli sistemi i ri i ekonomisë së tregut. Krahas problemeve shoqërore u lëvruan edhe zhanret e fantazisë e aventurës. U bënë eksperimente të guximshme me formën artistike.
Në vitet 2000, letërsia shqipe për fëmijë dhe të rinj arriti nivele europiane. Lexueshmëria e saj u rrit ndjeshëm. Këtu ndikoi edhe pavarësimi i Republikës së Kosovës dhe rritja e interesit për librin shqip në Maqedoni dhe Mal të Zi. Falë hapjes dhe ndërtimit të një infrastrukture të re komunikimi, libri filloi të qarkullonte më shpejt, u shtuan panairet, interneti lehtësoi mbërritjen e librit edhe në diasporë me anë të shitjeve elektronike. Kurrë më parë letërsia shqipe për fëmijë dhe të rinj nuk ka pasur këtë përhapje dhe këtë lexueshmëri.
Ajo është nga më të kërkuarat nëpër biblioteka dhe kjo është lehtësisht e provueshme. Kjo letërsi ka zgjuar interesin e fëmijëve dhe të rinjve për të organizuar takime me shkrimtarët, për të dramatizuar romanë. Madje grupe nxënësish të talentuar, nën drejtimin e mësueseve të tyre të mrekullueshme, me kamera amatore, kanë realizuar edhe filma mbështetur në romanët “Meriyll” dhe “Zemra në pëllëmbë të dorës”. Autori i këtyre romanëve do të dëshironte të falënderonte thellësisht nxënësit dhe mësueset e këtyre shkollave publike në Lushnjë dhe në Uznovë të Beratit.
Shkrimtarët e kësaj letërsie kanë marrë pjesë në shumë aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare, në takime letrare pa fund, ku është provuar interesi gjithnjë e në rritje i lexuesve të të gjitha moshave për librat shqip. Shkrimtari Viron Kona e ka çuar veprën e tij deri në Suedi. Ndërsa në vitin 2008, autori i këtij shkrimi ishte i ftuari i Panarit të Librit në Berlin, ku krahas aktiviteteve të tjera u bënë edhe lexime të hapura të disa pjesëve të zgjedhura nga romani “Meriyll”, pjesë të përkthyera në gjermanisht. Duke u kërkuar falje për mungesën e modestisë atyre që më njohin, desha të theksoj se ka shumë vende të tjera që ende nuk kanë marrë pjesë në këtë festival. Panairi i Librit Tiranë 2012 ishte një sukses tjetër për shkrimtarët shqiptarë të letërsisë për fëmijë dhe të rinj.
Aty u tregtuan vlera dhe jo mall. Interesi për këtë panair ka ardhur gjithnjë e në rritje dhe këtë vit mbërritën lexues nga rrethet, nga Kosova e Mali i Zi. Autorët shqiptarë janë më të kërkuarit në panair. Për herë të parë në këtë panair më ka ndodhur të jap autografe për një grup gjimnazistësh nga Tuzi i Malit të Zi. Në kushtet kur për letërsinë shqipe për fëmijë e të rinj në këto dy dekada nuk është bërë kurrë asnjë anketim apo sondazh serioz, është e lehtë për skeptikët të bëjnë deklarata të paargumentuara se kjo letërsi ka rënie apo “nuk dhamë çmim panairi se nuk kishte prurje”. Dikush tjetër, tip që nuk ka asnjë lidhje organike me letërsinë në fjalë, pyet në mënyrën habitore-cinike:
“Kaq i zoti na qenka filani që lexohet nëpër shkolla?! A ka juri, recension, që i rekomandon librat që duhen lexuar?”, kur dihet se pranë Ministrisë së Arsimit ka funksionuar gjithmonë një bord me specialistë të njohur për këtë qëllim dhe, po të mos kishte përtuar qëllimisht të hynte në kërkim në “Google”, tipi ciniko-habitor do ta kishte gjetur lehtësisht faktin e përfaqësimit të “filanit” në Festivalin e Berlinit. Qëndrime të tilla skeptike dhe nihiliste nuk e ndihmojnë aspak letërsinë shqipe për fëmijë dhe të rinj. Në mënyrën më miqësore do t’ju sugjeroja organizatorëve të Panairit të Librit që vitin tjetër të angazhojnë një OJF të specializuar për anketime dhe sondazhe, OJF që të nxjerrë përfundimet e panairit, prirjet e tij, raportin e letërsisë shqipe me atë të huaj, autorët më të lexuar, raportin e fiksionit me letërsinë dokumentare e kështu me radhë.
Vetëm kjo formë procedimi nuk do të linte shteg për pakënaqësi dhe skepticizëm. Realiteti letrar shqiptar është ky që është dhe nëse kjo nuk i pëlqen shijes vetjake të dikujt, faji nuk është i realitetit. Është e dhimbshme, por e vërtetë: u bë kohë që nuk botohet një shkrim apo nuk bëhet një prononcim në mbështetje të letërsisë shqipe për fëmijë dhe të rinj, ndërkohë që shkrimtarët shqiptarë kanë arritur deri në këto nivele me stërmundime dhe sakrifica të papara, duke bërë një punë skllavëruese, duke u paguar për një libër me një vlerë monetare që nuk e kapërcen atë të një arke me banane.
Për t’i shpëtuar këtij poshtërimi shumë prej tyre kanë zgjedhur t’i botojnë librat me shpenzimet e tyre, duke shkatërruar kështu në disa raste, nga dashuria për artin, buxhetet familjare. Këtë e di shumëkush, por në vend që të kërkohet solidaritet dhe mbështetje për këta shkrimtarë, heshtet, letërsia për fëmijë dhe të rinj trajtohet si Hirushja, në jurinë e panairit të fundit nuk pati vend për një specialist të kësaj letërsie. Megjithatë, e ripërsëris me garancinë e njohësit të thellë të kësaj letërsie, e një shkrimtari që ka marrë pjesë në dhjetëra takime letrare nëpër Shqipëri dhe në Kosovë, se letërsia shqipe për fëmijë dhe të rinj është në kulmin e lexueshmërisë së saj.
Nuk e mohoj se ka vend edhe për kritika, se prurjet e një viti mund të jenë të pakta, se mosha e shkrimtarëve po shkon drejt pleqërisë dhe nuk po hyjnë në krijimtari forca të reja, detaj për të cilin u duhet rënë kambanave të alarmit, por e përgjithshmja është pozitive. Kudo ku flitet shqip, lexohet. Nga përllogaritjet më del se në Ballkan janë rreth 2.5 milionë shqiptarë nën moshën 18 vjeç, pra ata janë kontingjenti më i madh i lexueshmërisë në gjuhën shqipe. Janë këta lexues dhe prindërit e tyre që e mbajnë gjallë shpirtërisht një shkrimtar shqiptar sot. Personalisht u jam thellësisht mirënjohës lexuesve të mi dhe prindërve të tyre për mbështetjen njerëzore, të painteres dhe objektive.
*Shkrimtar i letërsisë për fëmijë
Titulli i redaksisë. Titulli origjinal (LETËRSIA SHQIPE PËR FËMIJË DHE TË RINJ NË KULMIN E LEXUESHMËRISË SË SAJ)