Pse rinia e sotme trajtohet si Dele?

Pse rinia e sotme trajtohet si 'Dele'?

Nisur nga Reforma që po bëhet në arsim, mora iniciativën të jap mendimin tim, përsa i përket  zhvillimit arsimor në tërësi dhe edukimit të fëmijëve, fëmijëve të cilët nesër do të jenë burrat dhe gratë që do të çojnë shoqërinë shqiptare përpara dhe vetë “Jetën”.

- Në vendin tonë, problemi i edukimit vjen si pasojë e induktimit të modelit “Marksist” (komunizmi modern) në shkolla.

-Shkollat komuniste nuk synonin në zbulimin e aftësive individuale të gjithsecilit, nuk kishin fëmijën në plan të parë, por strukturimin e fëmijës si pjesë e shoqërisë dhe e rregullave, bindjen në shtetin-Zot. Fëmija shihet si mjet që duhet t’i bindet shtetit dhe jo si qenie njerëzore me gjithë potencialin individual. Marksi thoshte që, mësuesi duhet të bëjë shpjegimin e lëndës që ka tagrin për të dhënë, mësuesi ka pushtet të padiskutueshëm mbi fëmijën dhe fëmija ka detyrimin t’i bindet. Kjo është natyrisht e papranueshme. Në këtë mënyrë vazhdojmë të rrisim “robotë” dhe jo “liderë”. Në këtë mënyrë vazhdojmë të rrisim robotë të cilët do të zbatojnë urdhrat që jepen nga eprorët e tyre që, duhet thënë, jo gjithmonë janë të aftë. Pra, vazhdojmë të rrisim shërbëtorë, sepse ne nuk i mësojmë fëmijët të kenë një mendim të tyrin personal, nuk i mësojmë të krijojnë eksperiencat e tyre, nuk i mësojmë të kenë një mendim kritik ndaj diçkaje të re, por ta marrin të mirëqenë sepse kështu bëjnë të gjithë, sepse kështu thotë… “Babazoti”. Si rrjedhojë ne nuk respektojmë mendimin e atyre që janë më të vegjël në moshë apo në detyrë !

-Duhet bërë diçka e qartë, mësuesi paguhet nga prindërit e fëmijëve në mënyrë indirekte, pra nëpërmjet taksave dhe ka detyrimin t’u shërbejë fëmijëve në zbulimin dhe zhvillimin e aftësive individuale të gjithë secilit, jo t’i induktojë fëmijëve rregullat të cilat ai mendon dhe beson si të drejta, jo të tregojë pushtet absolut mbi fëmijët.

- Problemi nuk është tek respekti që prindi ka ndaj fëmijës, por tek respekti që prindi i ngulit fëmijës për veten, e cila vjen si pasojë e vetë eksperiencës personale të prindit. Pra ne vazhdojmë të gabojmë ndër breza në edukimin e fëmijëve, duke u krijuar atyre idenë që janë të vegjël, që ata nuk dinë asgjë, që ata e bëjnë çdo gjë gabim dhe se më problematikja është se duhet t’u binden më të mëdhenjve, me frikën se po e lamë fëmijën të na kundërshtojë, ai do na e” pijë lëngun”, do na dalë nga “rruga e Zotit”. Absolutisht “Jo” ! – Fëmija do të ketë një qëndrim të tijin, do të krijojë eksperiencën vet, do të fitojë pjekuri për përballje të tjera në jetë, duhet të fitojë respekt për atë çfarë është dhe çfarë do të jetë.

- Unë nuk dua dhe nuk jam pesimist në këtë drejtim, sepse është diçka që ndodh brenda një brezi, dhe me dëshirën e mirë, do ishte shumë mirë nëse do hartoheshin politikat e arsimit fillor nga njerëz të aftë. Por më vjen keq kur shoh në jetën e përditshme dhe në rrjete sociale që brezi i prindërve i thërret dhe i trajton të rinjtë sot si “dele”. Ky epitet vjen si pasojë e asaj që vetë ata kanë marrë nga prindërit e tyre dje. “Kështu ma kanë bërë mua, kështu do ta bëj dhe unë ty”. Ndjej keqardhje gjithashtu kur dëgjoj të thuhet që “druri ka dalë nga xheneti”. Kjo është diçka kafshërore, këta njerëz nuk kanë mësuar asgjë gjithë këto vite që kanë kaluar, post-komuniste. Kafsha nuk ka fjalën dhe përdor dhunën me të vegjlit e saj.

- Si rrjedhojë e kësaj del që dhe profetët që kanë mbajtur ligjërime për të thirrur popullin për t’iu bashkuar rreth vetes kanë qenë të paaftë, por veç oratorë. Kanë qenë të paaftë, për t’i dhënë dije popullit, për ta nxjerrë nga injoranca e thellë dhe i ka mbledhur me fjalë boshe dhe dhunë, atëherë kur ndiheshin më të fuqishëm se grupimi, të cilin kërkonin të bënin për vete. Pra, feja nuk ka synuar t’i mbushë me dije njerëzit, por në sajë të njohurive të saj, ka kërkuar të jetë e pushtetshme, e plotfuqishme, universale dhe t’i bëjë njerëzit t’i binden verbërisht asaj duke marrë gjithçka të mirëqenë. Ajo çfarë ka synuar edhe Marksi.

Në qoftë se në librat e shenjtë thuhet që askush nuk vret në emër të Zotit, duhet të shkruhet dhe që askush nuk rreh në emër të Zotit!

Të rrahësh është njësoj si të vrasësh, sepse e rrit fëmijën me ndjenjën e frikës, persekutimit dhe inferioritetit.

Nga ana tjetër, prindërit duhet të kuptojnë që fëmija nuk shkon në shkollë, nga klasa fillore deri në mbarim të universitetit për të marrë një profesion, por shkolla është mjet për të zbuluar talentet individuale të fëmijëve dhe zgjerimin e njohurive të gjithë secilit !

Unë e mirëpres reformën në arsimin e lartë, por për të patur një shoqëri më moderne duhet që reformat në arsim të vijnë paralelisht në të gjitha ciklet (parashkollor, shkollor dhe universitar).

Arsimi, shëndetësia dhe rendi janë tri fushat bazë të zhvillimit të një shteti. Nëse do të përkushtoheshim pak më tepër këtu, do të hidhnim baza të vërteta për një të ardhme të ndritur për brezat e ardhshëm.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama