Mbi librin “Intertekstualja dhe disidentja te Dimri i Vetmisë së Madhe”, i studiuesit Met Dervishi, së shpejti në qarkullim nga Shtëpia Botuese “Saras”. Laboratori krijues i Kadaresë gjithnjë i ka joshur studiuesit me fuqinë e tij sugjestionuese. Por sidomos stilistët dhe, në mënyrë të veçantë, prof. dr. Xhevat Lloshin. Megjithatë, joshja e këtij laboratori nuk resht së qenë e tillë dhe, siç ndodh vetëm me mjeshtrit e mëdhenj të fjalës, duket sikur është e hapur për qasje të ndryshme. Pikërisht një qasje të re kundrejt laboratorit krijues të Kadaresë mëton ky punim.
Përzgjedhja e “Dimrit të vetmisë së madhe” për të depërtuar në misteret e dispozitivit stilistik të Kadaresë ka shumë arsye. Në krahasim me veprat e tjera të Kadaresë, por dhe në krejt prodhimin letrar nën diktaturë, ky roman ka pasur një fat të veçantë. I botuar për herë të parë në vitin 1973, ai u refuzua nga kodi socrealist, u rrethua për tre vjet me një heshtje kërcënuese së bashku me autorin, dhe pastaj u ribotua me titull tjetër tre vjet më vonë, kinse i ripunuar, në të vërtetë i trukuar. Trukimi stilistik që i ka bërë Kadareja botimit të tij të dytë, do të meritonte një punim tjetër. Të rikthehemi tek arsyet e përzgjedhjes së “Dimrit…”:
Së pari, ky roman është një ndër kulmet e Kadaresë. Në këtë roman kemi kristalizimin e plotë të dispozitivit të tij stilistik, që vepron në tekst me gjithë plotfuqishmërinë e tij sugjestionuese. Fakt është që 20 000 kopjet e këtij botimi të parë janë tërhequr nga lexuesi brenda ditës.
Ky ka qenë një rekord i papërsëritshëm.
Së dyti, ndaj këtij romani, fill pas botimit, është orkestruar një fushatë kritike që ka zgjatur disa muaj. Në këtë fushatë, tipike për fushatat e vendeve të ish-Lindjes komuniste kundrejt veprave disidente, janë përfshirë si asnjëherë tjetër në historinë e letrave shqipe nën diktaturë, punëtorë, fshatarë, studentë, ushtarë, oficerë, reparte ushtarake, kritikë, studiues, zyrtarë të lartë, shkurt, i gjithë mekanizmi i propagandës komuniste. Dhe, gjithashtu, për herë të parë në historinë e raporteve të pushtetit komunist me letërsinë, në këtë fushatë është përfshirë edhe lideri komunist, Enver Hoxha, duke qenë dhe vetë personazh i këtij romani.
Së treti, megjithëse kjo fushatë do të mjaftonte për t’i vënë këtij romani kurorën e disidencës së letërsisë shqiptare, receptimi i këtij teksti pas rënies së diktaturës prodhon një paradoks. Në fillimin e viteve ’90, ky roman do të provojë periudhën e dytë të heshtjes ndaj tij. Më vonë, në debatet e gjera për disidencën shqiptare / pafuqinë shqiptare për të prodhuar disidencë, ky roman zë kryet e vendit. Në një ekstrem, për të ripohuar karakterin pllakatesk e propagandistik të saj, nga ekstremi tjetër për të provuar nëpërmjet tij kulturën e simulim-manipulimit, pra, për të vërtetuar dhe nëpërmjet tij që në kulturën shqiptare kemi simulim të disidencës, kur kemi pasur thjesht vepra pllakateske komuniste, por dhe manipulimin publik nëpërmjet këtij simulimi. Në këtë kontekst, ky punim mëton t’i japë përgjigje edhe këtij paradoksi. Nga vjen ky? Mos vallë është teksti që e shkakton këtë paradoks receptues? Mirëpo, ndërkaq, si do të shpjegohej receptimi refuzues dhe fushata kundër botimit të tij të parë? Apo, përkundrazi, kemi një debat që shmang pavetëdijshëm raportet e drejtpërdrejta me tekstin duke dialoguar kësisoj me dekodimin komunist që iu bë këtij teksti pas botimit të dytë, në përputhje me qëllimet e propagandës komuniste? Pra, në receptimin pas viteve ‘90 të shekullit të kaluar, por dhe më vonë, mos vallë kemi të bëjmë, në të vërtetë me një dialog me mënyrën se si e përvetësoi propaganda komuniste këtë tekst për qëllimet e saj?
Fillimisht thamë që joshja ka të bëjë me dispozitivin stilistik të Kadaresë. Por, ky dispozitiv unikal në kohën kur është kristalizuar si i tillë, ka qenë në raporte dekoduese me, përkundrejt metodës zyrtare, socrealizmin. Që ka pasur problem me dekodimin e dispozitivit stilistik të Kadaresë me metodën askush nuk e vë në dyshim. Dhe në receptimin pas viteve ‘90 e këndej, ka autorë që konsiderojnë disidencën estetike të prozës së Kadaresë. Problemi këtu qëndron që, nëse një dispozitiv stilistik është njëkohësisht një këndvështrim i botës, në ç’raporte ishte/është ky këndvështrim me këndvështrimin marksist të botës? Dhe, nëse kjo pyetje merr përgjigje pozitive në tekst, disidenca estetike shndërrohet në disidencë politike. Është dhe ky rasti? Dhe, më tej, nëse mundemi t’u japim përgjigje këtyre pyetjeve me instrumente të stilistikës, stilistika provon vetveten si shkencë e kritikës së tekstit. Në këtë kuptim, “Dimri…”, por dhe tekstet e tjera të Kadaresë, janë një sfidë dhe për stilistikën / poetikën / kritikën e tekstit, e cila është e vetmja që mund t’u japë përgjigje shkencore paradokseve të receptimit. Por, dhe e vetmja që mund të japë përgjigje shkencore për individualitetet e letrave shqipe.
Thamë që ky punim mëton të ketë një qasje të re kundrejt dispozitivit stilistik dhe individualitetit të Kadaresë. Ta shtjellojmë këtë shkurt. Për herë të parë, “Dimri…” në këtë punim shihet nga këndvështrimi i konceptit / koncepteve të Michael Bachtin për dialogjiken / polifoniken në letërsi. Më konkretisht, për kundërvënien binare të tij të prozës monologjike dhe asaj dialogjike / polifonike (Tolstoi / Dostojevski).
Punimi ynë ka katër kapituj. Në kapitullin e parë: Receptimi i tekstit, jemi mbështetur në teorinë e receptimit të Jauss Hans. Në këtë kapitull kemi shqyrtuar receptimin e romanit në kohën e botimit, receptimin e tij pas ribotimit, si dhe receptimin e tij në vitet pas rënies së diktaturës.
Në kapitullin e dytë: Tekst monologjik apo dialogjik / polifonik, kemi shqyrtuar dispozitivin stilistik të Kadaresë te “Dimri…”, gjegjësisht përkatësinë e tij stilistike. Meqë Bachtin e konkretizon konceptin e tij të dialogjikes te Dostojevski, e studiues të tjerë, te Joyce etj., ne mëtojmë të kemi provuar që, në dallim nga polifonikja te Dostojevski apo Joyce, Kadareja është unik në dialogjizmin / polifoninë e tij. Së pari, se në tekstet e Kadaresë, ndryshe nga paraardhësit e tij të mëdhenj, autori tërhiqet në skemën e tij krijuese. Sipas mendimit tonë, të cilin e kemi vërtetuar në tekst, te Kadareja horizonti i autorit del në përgënjeshtrim të vetvetes. Ky mekanizëm stilistik te Kadareja krijon kushtet për arritjen e nivelit më të lartë të prozës polifonike, kontrapunktin.
Në kapitullin e tretë: Ideologjemat versus klisheve, për herë të parë shqyrtohen ideologjemat e “Dimrit…” në raport me klishetë politike të diktaturës. Ky kapitull, në veçanti, është dhe guri i provës për karakterin disident / socrealist të tekstit. Gjatë analizës së ideologjemave, ne mëtojmë të kemi provuar disidencën politike të tekstit, madje mëtojmë se në tekst kemi një Enver Hoxhë tjetër si personazh kundrejt Enver Hoxhës si diktator (Maska e Kadaresë). Në kapitullin e katërt dhe të fundit: Hipoteksti / Përbindëshi/ Djali me yll në ballë, kemi shqyrtuar hipo e hipertekstin, në përputhje me konceptin e Gerard Genette etj. Nga analiza ne kemi vërtetuar në tekst hipotekstin e kalorësit / djalit me yll në ballë që fluturon në strofullën e përbindëshit etj. Madje, kemi zbuluar në tekst dhe kokën e perëndisë sllave të stepës.
Për këtë punim, unë do të doja të falënderoja shumë njerëz, të cilët më kanë ndihmuar gjatë këtyre dy vjetëve, siç do të doja të falënderoja dhe ata që më kanë penguar, ngaqë më kanë bërë më ngulmues në punimin tim.