Psikologu i Gjermanise Skuadra duhet te perdore triumfin ne Brazil

Psikologu i Gjermanisë: Skuadra duhet të përdorë triumfin në Brazil

Për të thyer një tabu që ekziston prej vitesh nuk mjafton vetëm përgatitja fizike apo titujt në media. Edhe pse për shumë mund të konsiderohet vetëm një lojë, futbolli është shumë herë më i ndërlikuar nga ç'duket. Kësaj here, në ndihmë të djemve të Joakim Lëvit ka ardhur një psikolog i njohur gjerman, i cili prej vitesh ka rafinuar teknikën e tij duke studiuar dhe ndihmuar në të njëjtën kohë shumë sportistë.

gjermani stervitje

Iluzion

"Një ekip që konsiderohet si 'mace e zezë' nuk ekziston. Ai qëndron vetëm në mendjen e lojtarëve", shpjegon Verner Mikler. Psikologu i famshëm gjerman, i cili punon me trajnerët e Federatës Gjermane të Futbollit, jep opsionin e tij se si mundet Gjermania që të thyejë tabunë 50-vjeçare. "Tani qëndron një pyetje se sa lojtarë e kanë provuar humbjen (kundër Italisë). Më pas është e rëndë- sishme që të kuptosh se çfarë duhet të bësh për ta kaluar këtë ngërç. Në këtë pikë them se lojtarët duhet që të kujtojnë faktin se Gjermania fitoi kupën e botës. Ata duhet të mos harrojnë se për të arritur deri në majë kanë kaluar shumë vështirësi. Duke bërë kështu, ata fitojnë besim në vetvete", shpjegon Mikler.

Ndeshje e re

"Njerëzit mendojnë se ajo çfarë ka ndodhur në të shkuarën do të përsëritet edhe në të ardhmen. Por të gjithë duhet të kenë parasysh se çdo ndeshje është një kapitull i ri. Prandaj ka shumë rëndësi mënyra se si lojtarët dhe trajneri futen në fushë", arsyetoi psikologu. "Rekordi negativ mund të jetë një nxitje shtesë. Ajo mund të kthehet në një motiv më shumë për lojtarët që të japin edhe më shumë në fushë. Për ata, dueli i radhës kundër 'maces së zezë' mund të jetë një shans i dytë për të treguar se mund të hedhin pas momente negative", vazhdoi psikologu.

Me rëndësi

Në fjalën e tij, Mikler shpjegon se lojtarët e Gjermanisë kanë plot shembuj nga ku duhet të frymëzohen që të futen në fushë të bindur te fitorja. "Kupa e botës dhe fitorja me shifrat e thella 4-1 përballë Italisë në mars mjaftojnë për të të nxitur ose të motivuar dhe të mendosh se je i suksesshëm. Për mendimin tim, në këtë pikë duhet punuar shumë. Lojtarët duhet të jenë të bindur tek aftësitë e tyre", tha psikologu.

gjermani brazil

Efekti bumerang

"Gjermania ka shumë shanse dhe strategji për të mundur një rivale si Italia. Për ta përballuar mirë situatën, neve na duhet që të jemi në një ditë të mirë dhe të kujtojmë të gjitha gjërat pozitive. Mund të krahasosh ndeshjen me një person që ka ankth nga provimet. Nëse personi në fjalë mendon gjithmonë për provimet që nuk ka kaluar, atëherë s'i shërben vetvetes. Në këtë pikë kemi të bëjmë me efektin bumerang. E përsëris, duhet që të mendojnë vetëm për gjërat e mira", shpjegoi psikologu. Për herë të fundit, Gjermania u përball me Italinë në një ndeshje të finaleve të dy kompeticioneve kryesore në 2012 kur pësoi një humbje shokuese përballë djemve të Çezare Prandelit. Për Miklerin, ky takim nuk duhet kujtuar nga lojtarët e Gjermanisë. Psikologu shpreson që Lëv të ketë në kokën e vet një sërë planesh për ta mundur Italinë. "Ka shumë rëndësi që të përqendrohesh të zgjidhjet. Nuk duhet që të fokusohesh shumë te pikat e forta të rivalit. Ato duhen pranuar. Por ekzistojnë edhe pikat e dobëta. Ato duhet që të kthehen në prioritet nëse do që ta mundësh", tha psikologu.

Këshilla

Në fund të bisedës së tij, Mikler theksoi se në këto situata detyra e trajnerit është delikate. "Duhet ta bindësh ekipin tënd se plani që ke është fitues. Mbi të gjitha, duhet t'i bësh që ata të kuptojnë se ti ke shumë zgjidhje. Pra, nëse nuk funksionon plani A, atëherë nis ai B e kështu me radhë. Duke qenë se Gjermania ka fituar Kupën e Botës, është e vetëdijshme se mund ta kontrollojë lojën. Ky aspekt është kyç, pasi të lejon të marrësh një rol aktiv në fushë. Të jesh aktiv është më mirë se sa të jesh reagues. Nëse pëson gol, duhet të kesh bindje se mund ta kalosh rivalin. Atje të duhet plani B. Në rast se pëson një gol, atëherë shikon momente të caktuara të jetës sate. Pikërisht në ato çaste duhet të ndalosh dhe mendosh se ke marrë mësimin e duhur nga humbja e 2012-ës", - tha ai.

Përgatiti: ALTIN VORPSI



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama