Sipas profesor Ceskos, trajner i kësaj psikoterapie, Psikoterapia Pozitive u vjen në ndihmë njerëzve për të gjetur dhe përmirësuar kualitetin e jetës, ristrukturimin e balancës së modelit në jetë, si dhe qasjen e tërësishme në konflikte, probleme dhe simptoma shëndetësore. “Psikoterapia Pozitive është një perspektivë humanistike me karakter psikodinamik në psikoterapi, që të gjitha problemet, konfliktet, simptomat dhe çrregullimet i trajton nga një këndvështrim gjithëpërfshirës. Prandaj vetë fjala “pozitive”, rrjedh prej fjalës latine, “positum” që do të thotë “e tërësishme, faktike”.
Prandaj, çdo problem apo çrregullim, nëse shihet dhe trajtohet nga të gjitha këndvështrimet e duhura, atëherë klienti apo pacienti jo vetëm që do të gjejë shërimin, por edhe do të vetëdijesohet për problemin, simptomën apo çrregullimin e vet. Sot njerëzit janë lodhur të marrin informata vetëm për gjendjen aktuale të tyre, duke diagnostifikuar me diagnoza ”fantome”, por njeriu, përveç diagnozës, ka nevojë të dijë për prejardhjen dhe gjetjen e rrugëve drejt arritjes në zgjidhjen e problemit apo konfliktit. Prandaj, ajo që dallon nga format tjera të psikoterapisë, është se Psikoterapia Pozitive çdo problem apo çrregullim duhet të shikohet edhe në aspektin e pozitiv, atë që ka të bëjë me vetëdijesimin e aftësive të vetë klientit në gjetjen e rrugëve për të zgjidhur problemin.
Çdo njeri ka aftësi për të gjetur zgjidhje për problemin e vet, e që këto aftësi burojnë nga dy aftësi kryesore. E para është aftësia primare që zhvillon aftësinë për të dashur dhe aftësia për të ditur. Prandaj, a ka më mirë se të flasim dhe të rikujtojmë te njerëzit këto dy aftësi që janë burime kryesore të jetës”, thotë Cenko.
Objektivat
* Psikoterapia Pozitive zhvillon konceptin humanistik të njeriut, duke marrë parasysh aspektet transkulturale të njeriut në zgjidhjen e konflikteve.
* “Pozitive” nuk do të thotë se çdo gjë duhet të shikohet pozitivisht, por qasja ndaj problemit duhet shikuar nga të gjitha format, aspektet dhe qëndrimet.
* Qëllimi kryesor në Psikoterapinë Pozitive është zhvillimi dhe aplikimi sistematik i metodologjisë së strukturuar mbi kualitetin e jetës.
* Psikoterapia Pozitive është afatshkurtër, ku trajtimi kryhet më shkurt se në qasjet tjera psikoanalitike.
* Çrregullimet dhe konfliktet nuk janë vetëm faktografike, por njeriu, në të njëjtën kohë, posedon kapacitete për të përballuar me ato.
* Psikoterapia Pozitive vërteton se njeriu posedon dy lloj kapacitetesh - kapacitetin për të dashur - kapacitetin për të ditur
* Në Psikoterapinë Pozitive, klienti dhe pacienti mësojnë dhe arrijnë që të ndryshojnë rolin e tyre nga pacienti te terapisti.
* Psikoterapia pozitive ofron mundësinë e koncepteve themelore në trajtimin e të gjitha sëmundjeve dhe konflikteve. Kjo qasje përfshin konceptet në të cilat mund të përdoren metodat e ndryshme të shkollave dhe drejtimeve të shumta psikoterapeutike.