Publicisti dhe aktivisti i mjedisit Ardian Klosi ndahet nga jeta

Publicisti dhe aktivisti i mjedisit Ardian Klosi ndahet nga jeta
Ardian Klosi, 55 vjeç, i njohur si publicist, botues dhe aktivist, u nda nga jeta mbrëmjen e kaluar pasi vari veten në kushtet e depresionit. 55-vjeçari alarmoi të afërmit duke mos u përgjigjur për disa orë me radhë në telefon dhe pas hyrjes në banesë, policia mundi vetëm të konstatonte vdekjen e tij.

Klosi vuante prej disa kohësh nga një gjendje e tentuar psikologjike dhe kishte tentuar të vriste veten edhe më parë, në mënyrë të passukesshme, nëpërmjet helmimit me ilaçe. Kjo tentativë kishte bërë që publicisti të shtrohej për një periudhë të shkurtër në spitalin psikiatrik, ku mori një trajtim kundër depresionit, me sa duket pa rezultate të frytshme.

I lindur në vitin 1957, Klosi u diplomua në Fakultetin e Tiranës, në degën gjuhë-letërsi në vitin 1981 dhe mbrojti me sukses doktaraturën në vitin 1990. Nga viti 1993-98, ai u transferua në Gjermani, ku u njoh edhe me bashkëshorten e tij. Pas 1998-s, Klosi u rikthye në vend, për t’u veçuar për rolin e tij aktiv në shoqërinë civile dhe botën e letrave e të mendimit. Midis librave të ndryshëm, veçohen “Refleksione”,  “Shqipëria, zgjim i dhunshëm”, “Quo vadis Shqipëri” dhe “Shqipëria ç’mund të jetë”. Ai gjithashtu publikoi vepra në gjermanisht, si “Mbijetesë Shqiptare” dhe botoi fjalorin gjermanish-shqip, në bashkëpunim me disa autorë të tjerë, në vitin 1997.

Si botues ai i dha bibliotekës së gjuhës dhe historisë së Shqipërisë disa vepra të rëndësishme, si Skënderbeu i shumëdebatuar i Oliver Jens Schmitt apo Në fillimet e nacionalizmit shqiptar- Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Europë nga Nathalie Clayer.

Ai njihej si aktivist i rëndësishëm në mbrojtje të mjedisit dhe qe angazhuar në shumë fushata, përfshirë, fushatën kundër ndërtimit të termocentralit në Vlorë, fushatës kundër ndërtimit të fabrikave të çimentos dhe, së fundmi, fushatës për ngritjen e referendumit kundër importit të plehrave në Shqipëri.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama